TIA: Shteti i pafuqishëm për t’i bërë ballë interesave private

0

Transparency International publikon analizën mbi gjendjen e demokracisë në Shqipëri duke theksuar një sërë problemesh si kultura e pandëshkueshmërisë, mungesa e sundimit të ligjit dhe korrupsioni i shfrenuar. Sipas TIA-s këto çështje duhen trajtuar urgjentisht. Në raport thuhet se asnjë zyrtar i lartë nuk është shpallur fajtor për korrupsion, duke përmendur emrat e 3 prej zyrtarëve të lartë, politikanë.

Një raport gjithpërfshirës, i pari i këtij lloji i organizatës Transparency International Albania për gjendjen e demokracisë në Shqipëri, funksionimi e institucioneve kryesore të saj dhe roli i tyre për të luftuar kundër korrupsionit, nxjerr në pah të meta serioze në të gjitha hallkat e shtetit dhe të shoqërisë shqiptare.

Raporti “Themelet e Sistemit Kombëtar të Integritetit” analizon 4 sektorë kryesorë: politiko-institucionalë, social-politikë, social-ekonomikë dhe social-kulturorë. Sipas tij “të 15 institucionet dhe sektorët e shqyrtuar janë larg të qenit shtylla të forta për luftën kundër korrupsionit. Në terma relativë, Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) dhe Avokati i Popullit janë më të mirët në këtë sistem, ndërsa Shoqëria Civile, Prokuroria dhe Gjyqësori janë ndër më të dobëtit.”

Raporti përmban kritika të ashpra për punën e gjyqtarëve, për mungesë të theksuar profesionalizmi. Sipas tij “Gjyqtarët jo vetëm që kanë treguar nivele të ulëta të të kuptuarit të disa prej nocioneve kyçe të korrupsionit, si për shembull përfitimet, influencimi apo qëllimi, por as që kanë ushtruar të drejtën e tyre për të kërkuar më shumë prova në raste kur kjo ka qenë e nevojshme. Asnjë zyrtar i lartë nuk është shpallur fajtor për korrupsion”.

Duke iu referuar një studimi tjetër për Shqipërinë, Indeksit “Bertelsmann” të Transformimit, raporti thekson se “në krahasim me vendet e tjera paskomuniste transformimi i Shqipërisë ka mbetur më pas. Një prej shqetësimeve kryesore të viteve të fundit është pafuqishmëria e shtetit për t’u bërë ballë interesave private dhe atyre të biznesit që ndikojnë në vendimet politike”. Raporti thekson se “kultura e mosndëshkueshmërisë, mungesa e sundimit të ligjit dhe korrupsioni i shfrenuar janë çështje që duhen trajtuar në mënyrë urgjente”.

Analiza vlerëson se korrupsioni ka lidhje të drejtëpërdrejtë edhe me lulëzimin e krimit të organizuar. “Një vlerësim i vitit 2015 për krimin e organizuar në Shqipëri e vendos nivelin e lartë të korrupsionit në polici dhe institucionet e zbatimit të ligjit si një nga arsyet kryesore që e lejon krimin të lulëzojë”.