Sot shpallen fituesit e universiteteve/ Ja procedurat e regjistrimit online dhe dokumentat për t’u pranuar në fakultete

0

Për herë të parë në historinë e regjistrimeve në universitete, këtë vit fituesit nuk do të dorëzojnë diplomën e shkollës së mesme

Loading...

 

Sejrie Baleta

 

Sot do të publikohen listat zyrtare të fituesve për në universitete. Të gjithë kandidatët që kanë aplikuar këtë vit do ta kenë pak më të vështirë për tu shpallur fitues pasi shanset e tyre do të varen nga mesatarja. Një vit më parë mënyra e përzgjedhjes së fituesve bëhej në bazë të notave dhe mesatares dhe kandidatët mund të krahasonin pikët.  Po menjëherë pas shpalljes së rezultateve fituese tani çdo gjë është në dorën e maturantëve për t’u regjistruar. MAS ka hapur dje procedurat për regjistrimin paraprak të fituesve në universitete dhe ka caktuar 5 ditë afat nga ora 9.00 deri në orën 24.00, që fituesit të regjistrohen në programet që ata dëshirojnë. Regjistrimi online u jep mundësi studentëve të rinj të regjistrohen në një mënyrë më të thjeshtë, pa qenë nevoja të vijnë nga rrethet e ndryshme të vendit për të shkuar në sekretaritë e fakulteteve ku janë shpallur fitues. Në këtë mënyrë, prindërit do të shmangin një pjesë të shpenzimeve për fëmijët e tyre. Mjafton që të kenë akses në internet. Këtë vit janë rreth 27 mijë maturantë që do të ulen për herë të parë në auditorë. Shumica e fituesve mbeten akoma në pritje të rezultateve përfundimtare, pasi do të presin që të ngjiten një preferencë më lartë. Regjistrimi është i detyrueshëm pavarësisht nëse dikush pretendon të fitojë në një fazë tjetër për një preferencë më lartë. Nga ana tjetër, këtë vit do të ketë vetëm dy faza regjistrimi, e fundit do të jetë në datën 1 tetor. “Përzgjedhja e fituesve bëhet sipas parimit Meritë Preferencë. Maturanti/kandidati shpallet fitues në preferencën më të lartë të grupit të preferencave ku ai ka tejkaluar pikët e fituesit të fundit. Listat e fituesve do të publikohen në faqen zyrtare të  Ministrisë së Arsimit dhe Sportit dhe  Agjencisë Kombëtare të Provimeve”, – thotë Ministria e Arsimit.

Regjistrimi i fituesve
 
Regjistrimi i fituesve të shpallur në Universitete bëhet në dy faza:
 
-Faza e parë (Regjistrimi paraprak online në Portalin e Maturës Shtetërore)

Pas publikimit të rezultateve të fazës së parë, fituesit do të ndjekin procedurat e regjistrimit për në universitete në fakultetin përkatës. Nga 18 deri në 23 shtator ata do të regjistrohen online. Fituesit kanë marrë instruksionet e nevojshme në udhëzimin përkatës që është publikuar në faqen e MASH. Janë instruktuar se si duhet të ndjekin hap pas hapi mënyrën e regjistrimit për opsionin që kanë zgjedhur. Janë 5 fusha që duhet të plotësojnë, duke filluar nga fusha e parë që është ID e Maturës Shtetërore, emri, atësia, mbiemri dhe Numri Personal i Kartës së Identitetit. Gjithashtu është një adresë emaili, nëpërmjet së cilës do të njoftohen për hapat që kanë bërë në sistem. Dhe mbasi këto të dhëna janë futur saktë sistemi i lejon që të vazhdojnë më tej me aplikimin.

Opsionet

Si fillon fituesit i shfaqet fakulteti në të cilin ata janë shpallur fitues numri i preferencës, pikët përkatëse. Pas kësaj aplikuesi duhet të shtypë butonin “regjistrohu”. Sipas njoftimit të bërë në AKP më pas dalin dy opsione të tjera. Njëri është: “vazhdo konkurrimin për një opsion më të lartë” dhe tjetri është : “regjistrohem përfundimisht në preferencën e shpallur”. Nëse kandidati është fitues në preferencën e parë, kuptohet që ai është fitues përfundimtar, nëse maturanti është fitues në një nga preferencat nga 2 deri në 9, atëherë ai duhet të marrë një vendim. Nëse ai dëshiron të mbetet përfundimisht te kjo preferencë ai duhet të konfirmojë regjistrimin përfundimtar. Nëse ai dëshiron të konkurrojë për më lartë, ai duhet të zgjedhë opsionin tjetër : “vazhdoj konkurrimin për një preferencë më të lartë”. Preferenca që i ka dalë në fillim nuk i digjet kandidatit në rast se ai nuk gjendet fitues në një preferencë më sipër. Nëse e ngjit sistemi në preferencë më lartë gjatë përzgjedhjes që do të bëhet në fazën e dytë, atëherë

-Faze e dytë (Regjistrimi përfundimtar në fakultet me dokumente)

Për herë të parë në historinë e regjistrimeve në universitete, këtë vit fituesit nuk do të dorëzojnë diplomën e shkollës së mesme. Kjo për arsye se për t’u ardhur në ndihmë studentëve, sepse ai ëshët një dokument që ata i shoqëron gjithë jetën dhe se rezultatet e tyre janë në databasen kombëtare dhe në çdo rast i kanë të dhënat në dispozicion në mënyrë zyrtare pranë universiteteve dhe me synimin për të ulur koston financiare të dokumenteve që duhen bërë noterimet. Prandaj, sivjet nxënësit nuk do të dorëzojnë diplomën e shkollës së mesme, por ata duhet të paraqiten në sekretari javën e parë që ka filluar mësimi dhe duhet të dorëzojnë fotokopjen e dokumentit të Kartës së Identitetit, një mandat arkëtimi për tarifën e regjistrimit, e cila do të jetë 1600 lekë dhe dy foto që duhen për kartën e studentit. Udhëzuesi teknik për regjistrimin paraprak online publikohet në faqet zyrtare të MAS dhe AKP disa ditë përpara shpalljes së listave të fituesve të fazës së parë sipas Parimit Meritë Preferencë, pas aplikimit me formularin A2. Gjithashtu po në këto faqe publikohet dhe udhëzimi për regjistrimin përfundimtar (me dokumente) të studentit pranë sekretarive mësimore të IPAL, në programin e studimit ku është shpallur fitues.

Loading...

Lini nje pergjigje