Standard.al

Ngritja e SPAK alarmon pushtetarët, 800 dosje korrupsioni do rihapen

0

Parlamenti nis të hënën sesionin e ri dhe shumë shpejt do miratohet ligji për luftën ndaj korrupsionit. Në këtë mënyrë ka nisur numërimi mbrapsht për të gjithë ata zyrtarë që kanë vjedhur, shpërdoruar detyrën apo kanë fshehur pasurinë. Aktualisht në zyrën e kryeprokurorit Adriatik Llalla janë me qindra dosje korrupsioni, të cilët qëndrojnë të mbyllura prej vitesh dhe të gjithë ata persona që janë gjetur me shkelje e bëjnë gjumin e qetë. Por nuk do të ndodhë kështu me ngritjen e Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion. Shumë dosje që ka prokuroria aktuale pritet të kalojnë aty, por ajo që është më e rëndësishmja është se me ngritjen e këtij organi do ketë një valë të madhe denoncimesh. Dosjet kryesore të korrupsionit dhe fshehjes së pasurisë janë hartuar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe Inspektorati i Lartë i Deklarimit të Pasurive. Sipas burimeve nga të dyja këto institucione, çfarëdo që të ndodhë me ngritjen e SPAK ato do të ridepozitojnë të gjithë kallëzimet që kanë bërë gjatë këtyre viteve në prokurori. Sipas burimeve, bëhet fjalë për një numër të madh dosjesh dhe për emra të rëndësishëm të politikës shqiptare, duke përfshirë deputetë, ministra, ish-ministra, kryebashkiakë dhe drejtorë drejtorish a ministrish. Sipas përfaqësuesve nga KLSH, deri në fund të 2015 janë 527 dosje zyrtarësh të lartë të gjetur me shkelje. Burimet pranë këtij institucioni thanë se të gjitha kallëzimet që janë bërë qëkur në krye të KLSH ka ardhur Bujar Leskaj, do ripërsëriten. Ai e mori detyrën në fund të 2011 dhe çdo zyrtar apo ish-zyrtar i gjetur me shkelje që nga kjo periudhë e deri aktualisht do duhet të japë llogari para SPAK. Nga viti 2012 deri në 2015 janë kallëzuar rreth 527 persona, por edhe gjatë vitit aktual janë kallëzuar dhjetra të tjerë duke bërë që të shkojë në rreth 600 numri i zyrtarëve. SPAK pritet që nga janari të nisë të funksionojë dhe në këtë mënyrë dosjet e para që do nisin të shqyrtohen do jenë pikërisht këto, ku bëhet fjalë për abuzime me tenderat, shpërdorim detyre, favorizime, etj. Në listë janë disa emra të njohur të kallëzuar nga KLSH si Sekretari i Përgjithshëm i MAS, Plarent Ndreca, kryebashkiaku i Kavajas, Elvis Roshi, kryebashkiakja e Patosit dhe shumë era të tjerë.

Fshehja e pasurive 

Përveç KLSH, kallëzimet pritet që të ridepozitohen dhe nga Inspektorati i Lartë i Kontrollit dhe Deklarimit të Pasurive. Sipas burimeve nga ky institucion, bëhet fjalë për rreth 158 zyrtarë të kallëzuar dy vitet e fundit, qëkur në detyrë u emërua Shkëlqim Ganaj. Por dhe këtë vit janë kallëzuar disa dhe numri shkon në rreth 200. Në listë janë gjyqtarë, prokurorë, deputetë, ish-ministra, ish-deputetë dhe shumë funksionarë. Për këtë ILDKP ka bërë kallëzime penale për fshehje e pastrim parash, por deri më tani asnjë dosje nuk ka shkuar në gjykatë nga prokuroria. Në listë janë emra si Ridvan Bode, Dritan Prifti, Andis Harasani, si dhe shumë gjyqtarë e prokurorë. Por për ta nuk ka pasur asnjë lëvizje nga organi i akuzës dhe për këtë arsye të gjithë dosjet do dërgohen te SPAK. Pra nëse bëhet një bilanc i dosjeve të ILDKP dhe KLSH, janë rreth 800 zyrtarë të gjetur me shkelje dhe që për ta do ripërsëriten kallëzimet.

 

Sot.al

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.