Standard.al

Të huajt lëvdata për Shqipërinë, Dhërmiu si Ibizza

0

Ndryshe nga pakënaqësitë për shërbimin në lokale, komentet e të huajve për Shqipërinë në TripAdvisor, portalin më të madh të turizmit, janë më se pozitive kur vjen puna për argëtimin, ditën apo natën qoftë ai. Ja se çfarë shkruan një komentuese italiane, e cila ndodhej në një nga plazhet e njohura në Himarë gjatë qëndrimit të saj një javë më parë: “Ky mund të jetë ndoshta një nga plazhet më të mira të Shqipërisë (Himara) për nga shërbimi dhe nga argëtimi që ofrohet. Ditën me vetëm 8.50 euro është e mundur që të kesh parkim, çadër, shezlong dhe koktej. Në Itali me këtë shumë mund të merrje vetëm një prej këtyre shërbimeve. Natën, çmimet janë disi më të larta, por diskotekat janë vërtet të këndshme dhe me shumë argëtim. Po ju jap disa shifra sa për të krijuar një ide: Dreka me peshk të freskët për dy persona mund të kushtojë 25­30 euro; në diskoteka paguan 3 euro për hyrjen dhe mund të pish kokteje me 4­5 euro”. Për të huajt, Dhërmiu është vendi i duhur për jetën e natës. Ata e quajnë “Ibiza shqiptare”. Në komentet e tyre shkruajnë se mund të gjesh një sërë baresh me kokteje në ajër të pastër dhe ku mund të kalohet një natë e këndshme. Nxitojnë të thonë se në plazhin e Dhërmiut kanë performuar DJ të famshëm si Tiesto dhe Paul Van Dyk. Një turist britanik shkruan: “Mbrëmjet më të çmendura janë ato të fundjavës. Vetëm sigurohu që të mos ua thuash shumë personave sepse në të kundërt, ato nuk do të jenë më parajsa të pazbuluara”. Edhe në Sarandë, jeta e natës mund të jetë vibruese. Kjo zakonisht nis pas orës 23.00. Ka një sërë diskosh verore që qëndrojnë të hapura nga maji në shtator. Në to luhet kryesisht muzikë house/dance dhe kapaciteti mund të arrijë deri në 2,000 persona. Në Vlorë, klubet verore më të famshme janë pranë Ujit të Ftohtë. Kapacitetet e tyre shkojnë deri në 2,500 persona. Të gjitha eventet janë të ekspozuara në faqet e tyre të internetit apo edhe në rrjetet sociale. Zakonisht për hyrjet gjatë ditës së premte dhe të shtunë paguhet një kuotë që varion sipas performancës. Nëse ka këngëtarë që performojnë live, kjo tarifë mund të llogaritet në rreth 1,000 lekë për person.monitor

 

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.