Standard.al

Krimet nga të sëmurë mendorë në rritje, institucionet nuk reagojnë

0

Efektivi i Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë Ardian Kodra është viktima e radhës, e cila ka për autor një person, që sipas policisë ka shfaqur probleme të shëndetit mendor.

Ky nuk është i vetmi krim qe kryhet nga kjo kategori dhe që ngre shqetësimin se si duhen trajtuar persona të tillë dhe ku pasi rreziku qe ata shfaqin është i nivelit të lartë dhe i vazhdueshëm. Vetëm pak kohë më parë në Palasë të Vlorës, një tjetër i sëmurë mendor Jorgo Zani, i preu kokën kushëririt të tij 12-vjeçar. Shkaqet mbeten ende të paqarta, por Zani prej kohësh njihej si problematik, madje ishte kuruar dhe në Greqi.

Ndërsa në fshatin Rrashbull të Durrësit, Arben Kabashi i njohur si njeri me probleme mendore rrëmbeu një 11-vjeçare dhe e mbajti peng në banesën e tij. Policia ndërhyri dhe mundi që ta shpëtojë vajzën.

Por, krime të kryera nga të sëmurët mendorë nuk janë vetëm këto. Në vite kanë ndodhur ngjarje të rënda të cilët kanë patur për protagonist këta të sëmurë. Më 31 mars të vitit 2011, një fëmijë 10-vjeçar u qëllua disa herë me lopatë nga Hysen Senka në Berat. 10-vjeçari kishte shkuar tek daja i tij dhe ndërsa po luante me fëmijët, u godit nga 26-vjeçari Senka.

Në 7 prill të vitit 2013 në Durrës një 51-vjeçar me probleme mendore vrau nënën e tij se nuk i jepte paratë e pensionit. Më 14 gusht 2014 në Dukat të Vlorës, 45-vjeçari Xhezar Hysa, vrau një person dhe plagosi një tjetër.

Më pas policia tha se ai vuan nga probleme mendore. Më 4 mars, 2014 në Laç, një i sëmurë mendor vrau dy vëllezër brenda në një lokal dhe pasi doli jashtë qëlloi me breshëri automatiku e plagosi dy kalimtarë të rastit.

Pak para se të qëllonte, Altin Piroli 27 vjeç pretendonte se ishte Jezu Krishti. Por vëmendja, ndaj kësaj kategorie të rrezikshme që mund t’i hasim kudo, kthehet vetëm në momentin kur ata kryejnë krime të rënda, siç ka ndodhur edhe javët e fundit.

Aktualisht në burgje janë rreth 178 të sëmurë mendorë te konsideruar te rrezikshëm, për të cilët gjykata ka vendosur kurim te detyrueshëm në spitalet psikiatrike por me qindra të tjerë janë rrugëve jashtë vëmendjes se institucioneve dhe të patrajtuar prej tyre./Ora News/

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.