Juristët japin alarmin: Kushtetuta ka probleme, mungesa e dispozitave kalimtare skandal

0
142

Pas Presidentit të Republikës dhe kryeprokurorit Adriatik Llalla, edhe juristët japin alarmin se Kushtetuta e re është e pazbatueshme. Juristët deklarojnë se Kushtetuta e re bie ndesh me ligjet e vjetra, pasi mungojnë dispozitat kalimtare që lejojnë krerët e institucioneve ligjzbatuese të veprojnë. Ata e cilësojnë skandal mungesën e dispozitave kalimtare, duke kritikuar deputetët e Parlamentit Shqiptar se nuk i kanë lexuar ndryshimet e reja kushtetuese kur janë hartuar. Sipas juristëve, edhe me miratimin e 7 ligjeve sërish do të ketë boshllëqe dhe ngërç në zbatimin e Kushtetutës. Avokati Genc Gjokutaj, në një prononcim për gazetën “Sot”, sqaroi se mungesa e dispozitave kalimtare do të bëjë që një sërë dosjesh të korrupsionit të pushohen. Duke iu referuar rastit të kryeprokurorit, Gjokutaj tha se Llallës do t’i duhet të pushojë hetimin e dosjeve të korrupsionit dhe të presë derisa të hyjnë në fuqi dispozitat kalimtare. Ai e cilësoi një skandal dhe mungesë vëmendje të deputetëve shqiptarë, të cilët, sipas tij, gjatë hartimit të ndryshimeve të reja kushtuese duhet t’i jepnin fuqi ligjit të vjetër deri në hyrjen në fuqi të ligjit të ri.

Kështu, Kushtetuta e re bën që të krijohet vakuum ligjor vetëm për shkak të mungesës së dispozitave. “Shqetësimi i prokurorit është shqetësimi i një njeriu të ligjit, i cili e gjen veten jashtë loje me këtë Kushtetutë. Sepse është miratuar një pjesë, ndërsa pjesa implementuese nuk është miratuar. Ky është një skandal i ligjvënësve shqiptarë. Në momentin kur ligjvënësit miratojnë ndryshimet kushtetuese duhet të përcaktojnë edhe dispozitat kalimtare, duhet të caktojnë edhe kohën e funksionimit të ligjit të vjetër dhe fillimin e funksionimit të ligjit të ri. Ligji duhet të thoshte në fund që dispozitat e ligjit të vjetër do të vazhdojnë deri sa të plotësohet kuadri ligjor në bazë të Kushtetutës së re. Ne kemi një Kushtetutë të re, por ligje që janë në zbatim në bazë të Kushtetutës së vjetër. Një ligj që bie ndesh me Kushtetutën është nul, nuk ka efekt. Jemi në një situatë vakuumi ligjor. Të gjitha dosjet që janë filluar duhet të pushohen, sepse kujt do t’i referohen? Është një situatë ngërçi. Kjo situatë zgjidhej në atë moment me një dispozitë të vetme, kur ligjvënësi i jepte fuqi ligjit të vjetër deri në fuqi të ligjit të ri”, tha Gjokutaj.

 

Sajmir Vishaj

Avokati Sajmir Vishaj përcjell të njëjtin shqetësim. Ai thotë se kjo Kushtetutë, kur është hartuar, nuk është parë me detaje deri ditën e miratimit të saj. Vishaj tha se Kushtetuta do ketë probleme edhe pas miratimit të 7 ligjeve. “Deputetët e votuan Kushtetutën pa e parë në detaje. Kushtetuta ka shumë probleme, e cila do të hasë shumë vështirësi në zbatim. Edhe pas miratimit të 7 ligjeve sërish do të ketë boshllëqe në zbatimin e dispozitave kalimtare. Ky është një shqetësim i drejtë i ngritur nga kryeprokurori. Aktualisht janë shumë çështje në dorë që kanë të bëjnë me korrupsionin ose me krimin e organizuar, për të cilat duhet të merret SPAK. Problemi është se a do të ketë fuqi Prokuroria e Përgjithshme apo e Krimeve të Rënda t’i hetojë apo duhet pritur një organizim i ri i të gjitha strukturave si nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, Prokuroria e Përgjithshme dhe gjykatat. SPAK nuk do të varet nga Prokurori i Përgjithshëm, kështu që do të ketë probleme edhe me zbatimin e ligjeve të tjera, por që të gjitha kalojnë me dispozita kalimtare”, tha Vishaj.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here