Reforma në Drejtësi/ Ja sa do të paguhet një magjistrat plus përfitimeve të tjera

0
120

Ndryshimet kushtetuese të votuara në Kuvend dhe draftet e paketës ligjore shoqëruese që pritet të miratohen, nuk kanë ende një tabelë me paga për gjyqtarët e prokurorët në sistemin e ri të Drejtësisë në vend.

Por drafti ligjor përmban të shkruar një formulë, e cila do të zbatohet pas miratimit të paketës ligjore që shoqëron Reformën në Drejtësi.

Formula duket se krijon një handikap për raportin e pagave të sistemit të Drejtësisë me ato të presidentit apo kryeministrit të vendit.

Sipas kësaj pakete, në vetëm njërin nga rastet e parashikuara (pasi ka tri kategori pagash për gjyqtarë e prokurorë në Shkallën e Parë, në Apel e në prokurorinë e përgjithshme e gjykatën e posaçme), pagat duken më të larta sesa rroga aktuale e presidentit (258 mijë lekë) dhe e kryeministrit.

Për shembull, prokurorët e gjyqtarët e Shkallës së Parë do të përfitojnë një pagë, llogaritja e së cilës nis me rrogën aktuale të sekretarit të Përgjithshëm të një ministrie (rreth 130 mijë lekë në muaj). Formula në draftin ligjor që shoqëron Reformën në Drejtësi, për gjyqtarët e prokurorët e Shkallës së Parë parashikon që shumës së pagës në fjalë t’i shtohet edhe 150 për qind, duke e çuar 325 mijë lekë të rinj pagën e prokurorëve e gjyqtarëve pa vjetërsinë dhe shtesat e tjera.

Në këtë shumë llogaritet të shtohet më pas 5% bonus për çdo fëmijë deri në moshën 18 vjeç dhe 25 vjeç (kur ndjekin studimet). Një tjetër shtesë në pagë është ajo për vjetërsinë, 2 për qind të pagës referuese për çdo vit shërbimi në funksion dhe me shtesë 4 për qind në fillim të vitit të tretë, ndjekur me 8 për qind shtesë për çdo katër vite të plota në ushtrimin e funksionit.

 

PËRFITIMET E TJERA

 

Drafti i përgatitur për ligjin “për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve” parashikon veç pagës edhe një seri përfitimesh të tjera financiare për magjistratët në gjykata dhe prokurori të sistemit të ri të Drejtësisë.

Magjistratët gjyqtarë apo prokurorë në sistemin e ri që sjell Reforma në Drejtësi, parashikohet të kenë edhe përfitime në kredimarrje për strehim.

Pas vitit të tretë në detyrë ata përfitojnë kredi për shtëpi nga shteti në shumën e vlerës mesatare të një apartamenti të paktën 50 m2 në zonën e qendrës së qytetit ku punojnë.

Për çdo anëtar familje të magjistratit, masa e banesës për të cilën ai përfiton kredi nga shteti rritet me 10 m2. Pika 3 e nenit 18 të ligjit, ngarkon ministrin e Drejtësisë për të hartuar më tej legjislacionin për mënyrën se si do të jepen kreditë në fjalë.

Këto përfitime bien dhe magjistrati duhet të kthejë në shtet gjithçka ka përfituar në rast se shkarkohet nga detyra me masë disiplinore ose kur ka kryer një krim. Ligji parashikon edhe bursa studimi për kandidatët për magjistratë.

Po ashtu në draft janë vendosur edhe parashikime ligjore për një masë shpërblimi për ata magjistratë që janë vlerësuar për aftësi në një vit pune. Sipas draftit të ligjit “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve”, magjistratët do të përfitojnë sigurim të jetës, shëndetit dhe pronës për veten dhe bashkëshorten ose bashkëjetuesen./PANORAMA

fax2ligji-per-pagat

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here