Donald Trump: Do ta zhduk ISIS-in

0
133

Kandidati republikan për president, Donald Trump do të flasë sot mbi mënyrën se si do të luftojë terrorizmin islamik. Vetëm disa ditë më parë ai tha se ishin Presidenti Barack Obama dhe kandidatja demokrate për presidente, Hillari Klinton që e kishin themeluar grupin militant Shteti Islamik. Zoti Trump, manjat i pasurive të patundshme, prej muajsh ka thënë se do të jetë më i ashpër ndaj xhihadistëve në Lindjen e Mesme sesa Presidenti Obama, por ende nuk ka dalë me një plan konkret se si do të veprojë në këtë aspekt. Ai ndezi kritika të shumta javën e kaluar me deklaratën se Shteti Islamik ishte krijuar nga Obama dhe Clinton. Më pas ai tha se kjo ishte thjesht një ironi nga ana e tij. Një nga mbështetësit kryesorë të zotit Trump, senatori i Alabamës, Jeff Sessions, i tha të dielën televizionit ABC se kandidati republikan “do të flasë rreth asaj se si duhet të rivendosim besueshmërinë me aleatët dhe me miqtë tanë në rajon, të cilët gjithashtu e kundërshtojnë këtë lloj terrorizmi. Ai do të flasë mbi mënyrën se luftohen armiqtë, si punohet me miqtë dhe se si duhet patur kujdes për të mos destabilizuar vende të ndryshme siç kanë bërë Obama dhe Clinton”. Një mbështetës i zonjës Clinton, ish-Sekretari i Mbrojtjes Leon Panetta, tha se është e nevojshme që kandidati republikan ta bëjë të ditur planin e tij konkret. Zonja Clinton, ish-sekretare e shtetit është në avantazh me afro 7 përqind ndaj zotit Trump në sondazhet politike dhe gjithashtu është përpara në disa shtete me rëndësi ku mund të vendoset rezultati i zgjedhjeve të 8 nëntorit. Në një seri komentesh që bëri të dielën në Twitter, zoti Trump ia hodhi fajin mediave për rezultatin e tij në anketa.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here