Çfarë ka në mendje Putini për Ukrainën?

0
143

Çfarë po planifikon Presidenti Vladimir Putin për Ukrainën? Zyrtarët në Kiev thonë se udhëheqësi rus po sajon pretekste për të justifikuar një sulm për të marrë nën kontroll një territor që i siguron një rrugë tokësore përmes Ukrainës juglindore drejt Krimesë, gadishullit që Moska aneksoi.

Ata e shikojnë si parathënie të një ofensive, shtimin e luftimeve në rajonin kryesisht rusishtfolës të Donbasit, ku prej gati dy vitesh militantë dhe forca ruse janë përfshirë në të ashtuquajturin “konflikt të ngrirë” me ushtrinë ukrainase.

Në Krime po grumbullohen njësi dhe paisje ruse, përfshirë raketat S-400, dhe Moska pretendoi javën e kaluar se Ukraina pati infiltruar sabotatorë në gadishull me synimin e kryerjes së “akteve terroriste”, një akuzë që Kievi e mohon kategorikisht dhe madje e shikon si një ogur të kobshëm.

Zyrtarët e shërbimit të zbulimit ushtarak ukrainas mendojnë se do të shtohen akuzat nga Kremlini për akte sabotazhi, dhe këmbëngulin se rusët “po planifikojnë provokacione në masë të gjerë” me synimin të diskretitojnë Ukrainën në sytë e Perëndimit.

Ata mendojnë se Moska po planifikon një ofensivë që do të fillojë pak përpara zgjedhjeve parlamentare ruse të datës 18 shtator. Zyrtarët rusë e mohojnë këtë gjë dhe thonë se është Ukraina ajo që po kryen provokacione.

“Putinit i duhet një luftë e vogël fitimtare”, thotë Alexey Arestovych, ish-zyrtar i zbulimit të Ukrainës dhe tashmë analist i pavarur ushtarak.

Nëse do të bëjnë një ofensivë të gjerë, ai thotë se “rusët do të duan të kapin Mariupolin”. Kjo do të shmangte nevojën që Rusia të shpenzojë miliarda për ndërtimin e një ure mbi ngushticën detare Kerch, si dhe për ngritjen e tubacioneve të energjisë që do të lidhnin gadishullin me tokën ruse.

Zoti Arestovych, i cili njeh mirë planifikimin ushtarak ukrainas, thotë se një skenar të cilit i frikësohen shumë strategët në Kiev, do të ishte një mësymje e forcave ruse nga Krimea drejt rajoneve Kherson dhe Zaporizhya, duke u ngjitur madje deri në qytetin verior Enerhodar dhe më tej drejt qytetit lindor Rozivka dhe rrjedhimisht në qytetin port të Mariupolit.

Disa anëtarë të komisionit monitorues të OSBE-së, me seli në Mariupol, kanë bërë gati “çanta emergjence” për t’u larguar në rast të një evakuimi të menjëhershëm.

Javës që shkoi, Oleksandr Motuzyanyk, zëdhënës për çështje të sigurisë në presidencën e Ukrainës, i tha Zërit të Amerikës se është rritur së tepërmi aktiviteti i dronëve rusë, të cilët kanë filluar edhe të survejojnë në thellësi të territorit ukrainas, përfshirë rajonet Kherson dhe Zaporizhya, pranë Krimesë.

Në planet e tyre të emergjencës, strategët ushtarakë ukrainas thonë se lartësitë në jug të Kramatorsk dhe në veri të Horlivkas, në rajonin Donbas, mund të bëhen gjithashtu një tjetër objektiv kryesor ushtarak i Rusisë.

Kapja e këtyre lartësive do t’u jepte forcave të mbështetura nga Rusia një avantazh strategjik për bombardimin e forcave ukrainase që kanë rrethuar qytetin Donetsk, të kontrolluar nga separatistët. Këto pika të larta kontrollojnë dhe dy udhëkryqe të rëndësishme.

Strategët ukrainas mendojnë se do të ketë lëvizje dhe diversione.

“Nëse ia fillojnë me një ofensivë nga Krimea, do të ishim në gjendje t’i zmbrapsnim”, thotë zoti Arestovych. Ai thotë se ushtria ukrainase është në formë shumë më të mirë krahasuar me vitin e kaluar, falë trajnimit nga këshilltarë ushtarakë perëndimorë të ardhur nga SHBA-ja, Kanadaja dhe vende të tjera të NATO-s. Ushtria ruse dhe separatistët pro-Moskës “do t’ia fillonin nga lindja me synimin për të na çorientuar”, thotë zoti Arestovych.

Në Donbas, palët janë pak a shumë të barazpeshuara. Zyrtarët thonë se Ukraina ka tashmë rreth 100 mijë ushtarë të vendosur përgjatë vijës së kontaktit në Ukrainën lindore, ku palët ndërluftuese kanë shkëmbyer zjarr prej muajsh, pavarësisht marrëveshjes së armëpushimit “Minsk 2”, të ndërmjetësuar nga Franca dhe Gjermania në vitin 2005.

Zyrtarët ushtarakë të Ukrainës vlerësojnë se brenda territorit të Ukrainës ndodhen 45 mijë forca të mbështetura nga Rusia, të përbëra nga rekrutë vendas, ish-ushtarakë rusë dhe ushtarakë rusë në shërbim të rregullt. Këta mbështeten nga 45 mijë trupa të tjera të rregullta ruse të vendosura matanë kufirit ndërkombëtar, brenda Federatës Ruse.

Në jug, balanca nuk është kaq e drejtë. Ukraina ka katër brigada, me rreth 10 mijë trupa, të vendosura në rajonet Kherson dhe Zaporizhya, të cilat mund të përforcohen prej dy brigadave të tjera rezerviste.

Zyrtarët ukrainas dhe perëndimorë thonë se që nga aneksimi i Krimesë në vitin 2014, Rusia ka shtuar forcat dhe paisjet ushtarake në gadishullin e Detit të Zi me një total prej 45 mijë trupash.

Ajo çka e shqetëson Kievin është zhvendosja e ushtarëve dhe paisjeve në veri të Krimesë, ndërsa fronti ndërmjet Krimesë dhe Ukrainës ka qenë relativisht i qetë që nga aneksimi dhe pa përplasje ndërkufitare.

Anton Lavrov, një analist i pavarur ushtarak dhe autor i një libri për luftën ruso-gjeorgjiane të vitit 2008, mendon se Kremlini nuk ndodhet në prag të fillimit të një ofensive madhore.

“Situata në Donbas nuk do të rëndohet nga iniciativa e Moskës, pasi ushtria ruse nuk është e përgatitur për një përshkallëzim të situatës”, thotë ai, duke shtuar se nuk janë krijuar kampe fushore nga forcat ruse përgjatë kufirit me Donbasin, gjë që do të ishte tregues i planifikimit të një fushate ushtarake.

Një zëdhënës i sigurisë për presidencën e Ukrainës, Kolonel Oleksandr Motuzyanyk, bie dakort se është e vështirë të parashikohet se çfarë po planifikon Moska.

“Kur ka përplasje, ne kundërpërgjigjemi”, thotë ai.

Por, OSBE-ja ka fajësuar të dyja palët për shkelje të armëpushimit. Zoti Motuzyanyk mendon se Moska është duke testuar reagimin politik të Perëndimit në rast të një ofensive, si dhe reagimin ushtarak të Ukrainës.

Ai thotë se forcat ukrainase në Donbas njoftojnë se forcat e mbështetura nga Rusia po përdorin sisteme të reja portative për bllokimin e komunikimeve në lindje, si dhe kanë shtuar numrin e raketave portative antitank.

Nëse nuk po përgatit një ofensivë madhore, atëherë çfarë po planifikon Moska? Disa zyrtarë të Kievit mendojnë se qëllimi i vërtetë është presioni ndaj Perëndimit për të hequr disa nga sanksionet ekonomike të vendosura ndaj Rusisë pas aneksimit të Krimesë.

Rivendosja e marrëdhënieve normale tregtare me Perëndimin do të lehtësonte gjendjen e rrezikshme të ekonomisë së Rusisë, e cila u rudh me 4% vitin e kaluar, kryesisht për shkak të rënies së çmimit të naftës, dhe që sipas Bankës Botërore do të bjerë edhe 2% gjatë këtij viti.

Sipas këtij skenari, Rusia ose do të arrijë lehtësim të sanksioneve në këmbim të një zmbapsjeje ushtarake, ose do të diskreditojë Ukrainën në sytë e Perëndimit me akuzat për misione sabotazhi, si inkursionet në Krime që Kremilini pretendon se u kryen nga zbulimi ukrainas gjatë javës së kaluar./VOA/

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here