Sekuestrohen 2 ton drogë në brigjet italiane, në pranga 5 skafistët shqiptarë

0
157

Pesë shqiptarë janë arrestuar nga polica italiane në Ankona, pasi janë kapur duke shkarkuar rreth dy tonë drogë të dyshuar të llojit marijuanë nga një gomone, me të cilën kishin kaluar përmes Adriatikut. Sipas të përditshmes italiano “Correiere Adriatico” shqiptarët kanë përfunduar në prangat e policisë në gjirin e “Foce del Metauro”, ndërsa ky i fundit konsiderohej prej tyre si një gji i sigurtë ku mund të zbarkonin drogën qetësisht. Megjithatë, ata nuk e dinin se aty nuk po i prisnin pjesëtarët e tjerë që do të merrnin sasinë e drogës, por forcat e policisë së Komisariatit të Fanos, së bashku me përforcime të ardhura nga Pezaro dhe Ankona. Janë të njëjtat burime që bëjnë me dije se operacioni është organizuar në momentin kur trafikantët ishin fshehur nën urën hekurudhore, ku do të zhvillonin edhe procesin e shkarkimit të tonelatave të drogës. Ndërsa gjatë këtij momenti vunë re se ishin pikasur nga ana e forcave policore dhe menjëherë kanë tentuar të arratisen, por janë bllokuar nga agjentët, të cilët i kanë prangosur në flagrancë. Mësohet se kjo është hera e parë, që brigjet e vendit fqinj janë bërë dëshmitarë të një trafiku të këtyre përmasave të drogës. Mjeti lundrues ishte një skaf prej 8 metrash gjatësi dhe me dy motorë jashtë bordit të tij, për çmontimin e të cilëve kanë ndërhyrë zjarrfikësit e Fanos. Emrat e shqiptarëve nuk janë bërë të ditur ende nga ana e “Corriere Adriatico” për shkak të hetimeve.

Kapja e 120 kg drogë shqiptare në Itali

Disa ditë më parë një 51-vjeçar italian është ndaluar dhe më pas është arrestuar nga policia kufitare në San Cataldo, pasi është kapur me 120 kg marijuanë në varkën e tij. Sipas mediave italiane, droga dyshohet se vinte nga Shqipëria dhe kishte si destinacion brigjet e Leçes. Por efektivët e grupit kundër krimit të organizuar kanë bërë bllokimin dhe sekuestrimin e drogës bashkë me mjetin lundrues, si dhe arrestimin e italianit. Ngjarja ndodhi më 8 gusht të këtij viti, ku varka 6 metra e gjatë dhe me motor të fuqishëm, e cila përdorej për peshkim n nuk të linte asnjë përshtypje se ishte e ngarkuar me drogë. Por pas një kontrolli të imtësishëm, në pjesën e poshtme dhe tek vendi i timonit u zbuluan 34 pako të mëdha me marijuanë me një peshë totale prej 118 kilogram marijuanë. Në pranga për këtë sasi droge ka përfunduar italiani Ivano Palermo 51 vjeç, i cili më pas është transferuar në burg. Sipas mediave italiane bëhet me dije se 51-vjeçari kur ka dalë përballë togave të zeza është rrëfyer se për të transportuar drogën nga Shqipëria në drejtim të brigjeve të Leçes në Itali është paguar nga trafikantët për 5 mijë euro. Sipas të njëjtave burimeve mësohet se 51-vjeçarin e kishte lidhur me trafikantët shqiptar një person po me nënshtetësi shqiptare, identiteti i të cilit nuk bëhet me dije për shkaqe hetimore. Ky i fundit i kishte dhënë edhe një telefon, tek i cili do t’i telefonin trafikantët kur të “zbriste” në tokën italiane. Nga ana tjetër mësohet se italiani punonte si peshkatar dhe barkën tek e cila u gjet sasi e drogës e përdorte për peshkim. Ndërkohë që vijojnë ende hetimet për të zbuluar lidhjet e mundshme të italianit me rrjetin e trafikut të drogës në Shqipëri.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here