Qendra e Informimit të Bashkimit Evropian në Vlorë prezantoi projektin “Aktivizohu, Merr pjesë dhe Përfshihu për një Mjedis të Shëndetshëm” në kuadër të programit ACHIEVE – Shoqëria Civile Shqiptare për një Mjedis Evropian, financuar nga Bashkimi Evropian dhe zbatuar nga Qendra CRCD – Qendra për Kërkim, Bashkëpunim dhe Zhvillim në Vlorë.
Projekti synon të inkurajonte autoritetet lokale në Vlorë për zbatueshmërinë e ligjit mbi dhënien e informacionit ndaj publikut, qasjen e publikut në vendimmarrjet e çështjeve mjedisore nëpërmjet procesit të informimit dhe konsultimit, si dhe advokimin në nivel institucional në çdo çështje mjedisore që përbën vepër penale.
Alba Naci, Drejtore projektesh e Qendrës CRCD, mirëpriti pjesëmarrësit dhe prezantoi projektin, objektivat dhe pritshmëritë e tij. Ajo theksoi se objektivi kryesor i aktivitetit ishte prezantimi i projektit “Aktivizohu, Merr pjesë dhe Përfshihu për një Mjedis të Shëndetshëm” në prezencë të përfaqësuesve të institucioneve locale, i cili ka në fokus mbrojtjen dhe parandalimin e dëmtimeve të mjedisit dhe përfshirjen e qytetarëve mbi informimin dhe vendim-marrjen e çështjeve mjedisore, si dhe inkurajimi i dialogut, bashkëpunimit, dhe ndarje e eksperiencave të punës dhe informacionit në mënyrë që të sigurojmë pjesëmarrje publike efiçente dhe efektive në procesin e vendim-marrjes mbi çështjet e mjedisit.
Ajo përmendi se ky ishte aktiviteti i parë i serisë së aktiviteteve që do të organizohen në kuadër të këtij projekti. Aktivitete të tjera si krijimi i një grupi pune ndër-institucional mbi mbrojtjen e mjedisit, sesion informimi mbi impaktin mjedisor të investimeve publike në Vlorë, tryezë e rrumbullakët “Bizneset me ndikim mjedisor në Vlorë” – trajtim institucional dhe roli i publikut“ platforma 4ES dhe trajnimi final për Monitoruesit Civil të shëndetit të mjedisit urban, do të vijojnë më tej.
Robert Murataj, Drejtor Ekzekutiv i Qendrës Aarhus në Vlorë, diskutoi rreth forcimit të pjesëmarrjes publike përmes ndërgjegjësimit mjedisor në Bashkinë e Vlorës. Ai theksoi se informimi mbi çështjet e mjedisit duhet të transmetohet për publikun dhe institucionet e interesuara me qëllim informimin mbi situatën aktuale dhe të kenë mundësi të ushtrojnë influencën dhe angazhimin e tyre në çdo konsultim për vendim-marrjen e çështjeve mjedisore në nivel lokal.
Pjesëmarrës në aktivitet ishin përfaqësues të Bashkisë Vlorë, Agjencisë Rajonale të Mjedisit, përfaqësues të OJQ-ve, të rinj dhe qytetarë.