Drejtësia drejt mbylljes/ Koha për reformën zgjedhore, skenarët e PS, LSI, e PD dhe shanset e qeverisë teknike

0
108

 

Ndërmjet dy partive kryesore të koalicionit qeverisës, ashtu si edhe në rastin e reformës në gjyqësor, pritet të ketë qëndrime të ndryshme lidhur me çështjet që prekin kodin elektoral

 

Gëzim Saliu

 

 

Mbyllja me konsensus e reformën në drejtësi, pavrësisht se hapi i fundit drejt finishit pritet të shënohet me votimin e 7 projektligjeve, sjell përpara palëve politike në vend sfidën e re: reformën zgjedhore. Sesioni i ri parlamentar që nis më 7 shtator e përfundon nga fundi i javës së tretë të dhjetorit pritet të ketë në qendër të dskutimeve të ti pikërisht reformën në kodin elektoral. Në kohën kur zgjedhjet e përgjithshme parlamentare, në rast se nuk zhvillohen ato të parakohshme, do të mbahen diku nga muaji qershor, palët duket se nuk kanë shumë kohë për të humbur në kuadër të plotësimit të  standardeve dhe përfshirjes së të gjithë aktorëve. Lënia e kësaj reforme për minutën e fundit, ashtu sic ndodhi me paketën e ndryshimeve kushtetuese për drejtësinë, do të ishte me jo pak penalitete për fatin e zgjedhjeve. Opozita nga ana e saj e ka cilësuar këtë çështje si kryereformën e vendit pasi sipas demokratëve nga korrupsioni zgjedhor rrjedhin më pas të gjitha llojet e korrupsioneve në vend. Por edhe mazhoranca duket se ësëhtë e interesuar për këtë çështje tani që reforma në drejtësi është thuajse në përfundim. Por ndërmjet dy partive kryesore të koalicionit qeverisës, ashtu si edhe në rastin e reformës në gjyqësor, pritet të ketë qëndrime të ndryshme lidhur me çështjet që prekin kodin elektoral. Ndërkaq edhe partnerët ndërkombëtarë e veçanërisht OSBE e cila luan një rol parësor në këtë proçes, kanë bërë thirrje për përfundimin sa më parë të reformës zgjedhore duke vënë theksin tek respektimi i rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it.

 

tryeza zgjedhore

Opozita mes kryereformës dhe qeverisë teknike

 

Ndonëse në dy muaj e fundit për shkak të angazhimit të plotë me çështjen e reformës në drejtësi ,tek opozita nuk janë dëgjuar qëndrime të prera për reformën zgjedhore, vlen të theksohet se nga deklaratat e vazhdueshme të kryedemokratit Basha dhe eskponentëve të lartë të kësaj force politike, reforma në kodin elektoral ka qenë dhe do jetë nr.1 në axhendën e selisë blu. Pak kohë më parë PD nënvizoi se krijimi i një qeverie teknike do jetë parakusht për zhvillimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme në vend. Sipas Bashës qeveria aktuale, duke marrë shkas nga zgjedhjet e 2015-ës nuk mund të sigurojë zgjedhje të lira e në këtë aspekt PD nënvizon me forcë domosdoshmërinë e krijimit të qeverisë teknike me përfshirje të të gjitha palëve. Vetëm në këtë formë, pra përmes kësaj qeverie gjithëpërfshirës, mund të sigurohet zhvillimi i zgjedhjeve sipas standardeve të OSBE/ODIHR-it. “Në qoftë se ka një armik të madhe të zgjedhjeve sot, ky është korrupsioni zgjedhor. Nga një shqetësim në të shkuarën sot është kërcënim i madh. U kthye në vitin 2013 dhe sot është kanceri në reformën zgjedhore”,- ka pohuar pak kohë më parë Basha. Por si do ta arrijë PD krjimin e qeverisë teknike?

Deri para 6 muajsh kur artikulimi i kërkesës për qeveri teknike dhe zgjedhje të parakohshme arriti kulmin, askush nga rradhët e shumicës nuk e mori seriozisht këtë skenar të demokratëve. Por zhvillimet e fundit me reformën në drejtësi, kur Kryeparlamentari Meta deklaroi se ishte i gatshëm të dorëhiqej dhe që vendi të qeverisej nga një qeveri teknike nëse reforma votohej me vota të peshkuara dhe pa konsensus, shumëkush nga rradhët e PS filli të ndiente ‘dridhjen e gjunjëve’. Ndsonëse histroi pati një fund të lumtur dhe kjo edhe në saj të kontributit të vyer të kreut të LSI-së, nuk mund të mohohet se marrëdhëniet mes koalicionit të majit janë në ‘epokën e akullnajave’. Kjo ftohje e socialistëve ndaj partisë së Metës, nëse kanë qenë ndonjëherë të ‘ngrohtë’ me ta, ka ardhur për shkak të qëndrimit konsistent të LSI-së për një reformë në drejtësi me konsensus dhe pëmbylljes së draftit me votimin në Parlament pikërisht skenarit të përcaktuar nga Kryeparlamentari  rreth një vit më parë. Kjo fitore e Metës nuk është mirëpritur aspak nga kryeministri Rama, i cili nuk nguroi të provonte këto kohë edhe vriantin e qeverisë pa LSI-në, vetëm se në fund rezultoi një ‘flluskë sapuni’. Por duket se marrëdhëniet mes PS e LSI do të vazhdojnë të jenë të tilla edhe në ditët e javët në vijim e në të tilla kushte shpresa e demokratëve për të arritur rrëzimin e qeverisë dhe krjimin e një ekzekutivi teknik mbetet aty.

Ndërkaq duke ju rikthyer qëndrimit të demorkatëve për reformën dhe kërkesave kryesore të tyre vërehet se ato janë tre:

-Së pari, votim dhe numërim elektronik për të kufizuar mundësitë e krimit dhe njerëzve të pushtetit që vijnë me trastat e korrupsionit që të blejnë apo intimidojnë votuesit, që të blejnë apo intimidojnë numëruesit e votës.

-Së dyti, kufizimin e përdorimit të parasë në fushatë. Duke parë modele edhe të financimit 100% të partive politike nga financat publike dhe kriminalizimin e financimit privat.

-Së treti, auditimin strikt të partive politike, jo sa marrin por sa shpenzojnë. Interesat e oligarkëve mundësojnë që në fushatat elektorale të hidhen miliona e miliona euro në çdo qytet, me një qëllim, kapjen dhe blerjen e vullnetit të qytetarëve.

Për sa më sipër, kreu i PD-së Lulzim Basha ka bërë të ditur rreth pesë muaj më parë në tryezën e përbashkët me Ramën e Metën se korrupsioni zgjedhor është thelbi i problemit në Shqipëri, është sipas tij valvula që shkarkon korrupsionin në tendera, në koncesione, në dogana, në tatime. ‘Sot një votë ka çmim, një mandat ka çmim, një zonë shumë emërore ka çmim, një Parlament ka çmim në euro, sigurisht mund të përkthehet edhe në dollarë, apo lekë. Ky është fundi i demokracisë para se të fillojë ashtu siç duhet. Sot blihet vota, blihet karta, blihen komisionerët, blihen mediat, blihen aktorët e shoqërisë civile, blihen “badge” vëzhguesish për të mbushur qendrat e votimit me militantë e shpeshherë me kriminelë e persona në kërkim. Kur s’mjafton kjo përdoren burime shtetërore, përdoret ligji i amnistisë që miratohet me mandate të blera, ndryshohet në mënyrë të njëanshme pa konsensus ndarja territoriale. Ky është pushteti i fituar me çdo çmim. Dhe meqenëse çmimi është i lartë duhen shumë para .Jo sa merr një parti, por sa harxhon një parti, ky është treguesi i vërtetë. Korrupsioni zgjedhor dhe blerja e votës janë sekrete publike. Ligji me standarde pra siç e deklaron OSBE-ja edhe në raportin e fundit nuk i ndalka dot metastazat e këtij kanceri, as raportet ndërkombëtare nuk i ndalin dot, as kjo tryezë nuk e ndal dot nëse shprehja e vullnetit mbetet këtu dhe nuk përkthehet në një aksion të thellë politik ku rekomandimet e OSBE/ODIHR-it të jenë emëruesi më i ulët i përbashkët, minimumi i minimumeve, e domosdoshme por tërësisht e pamjaftueshme për zgjedhje të lira e të ndershme në Shqipëri. Korrupsioni zgjedhor është vetëm një aspekt i korrupsionit politik që është nëna e nënave të korrupsionit. Korrupsioni politik prodhon çdo derivat.Pushteti me çdo kusht prodhon korrupsionin politik, ky pjell korrupsionin zgjedhor që blen pushtetin. Pushteti i korruptuar prodhon mega korrupsionin e tenderave, të ankandeve, të koncensioneve. Ky korrupsion blen mediat, lidh policinë, prokurorinë, gjykatat dhe këtu fillon e gëlon edhe krimi i organizuar nën tutelën e qeveritarit të korruptuar. Ky është modeli i shtetit mafioz-oligarkik ku nuk ka më demokraci por ka një merkato’, bënte të ditur Basha problematikat e çështjes dhe njëkohësisht rëndësinë e zgjidhjes së tyre në këndvështrimin e opozitës. Po ashtu sipas PD dy janë burimet kryesore të financimit të korrupsionit politik dhe atij zgjedhor, korrupsioni i madh i tenderave që bëjnë qeveritarët dhe paraja e krimit të organizuar, trafiqet dhe sistemi i gjobave që ngre me shpejtësi ky krim. Spastrimi i listave me ligj nga personat me rekorde të tmerrshme kriminale do të mbetet i pamjaftueshëm nëse vullneti politik i liderëve të cilët nën këtë sistem caktojnë listat zgjedhore do të çojë që në vend të personave me rekorde kriminale në listat e ardhshme të kemi prezentë motrat, nipat apo mbesat e tyre duke iu lënë këtyre personave në dorë fijet për ti tërhequr ata si pelushanë. Prandaj problemi i krimit dhe lidhjes së krimit me politikën është problemi më i madh, më i rëndë, më unik i korrupsionit zgjedhor, i korrupsionit politik sot në Shqipëri. Të pastrojmë listat e ardhshme zgjedhore, jo thjesht nga personat me rekorde kriminale sepse këtë tashmë e dikton ligji, por nga çdo influencë kriminale’, ka nënvizuar në atë kohë Basha. Po ashtu një tjetër problematikë në kuadër të reformës zgjedhor për demokratët është edhe çështja e parave që mobilizohet përmes korrupsionit. Sipas PD-së fakti që përmes korrupsionit të zyrtarëve publikë, skemave korruptive, shpeshherë të kaluara deri në nivelet më të larta, me VKM-ra dhe me ligje një pjesë e parave shkon për blerjen e votës, përbën një kancer të avancuar sepse në këtë rast hajduti, edhe glorifikohet se çon paratë te partia, i shërben grupit. Ndaj në këtë kontekst PD ka theksuar se jo vetëm çështja e reklamave, por çdo çështje financimi duhet të futet në lupën e reformës zgjedhore.

 

Qëndrimi i Partisë Socialiste

 

E vetmja nga të tri forcat kryesore politike që ka shprehur më pak qëndrime apo alternativa për reformën zgjedhore ka qenë Partia Socialiste. Ndonëse prej kohësh kryeministri Rama ka deklaruar se qeveria do zbatojë përpikmërisht rekomandimet e OSBE/ODIHR-it, shumë pak zgjidhje konkrete janë hedhur në tryezë nga PS. Kjo ka ardhur në saj të fakti se të paktën publikisht për PS kryerefoma e vendit ishte ajo e drejtësisë e vetëm pas saj mund të diskutohej për çështje të tjera. Duke ju referuar deklarimeve të kreut të qeverisë në tryezën e përbashkët me kreun e Kuvendit dhe kryedemokratin pesë muaj më parë vërehet se PS ka një mendim të përafërt me opzitën lidhur me reklamat elektorale. ‘Është pjesa më e shtrenjtë e fushatës zgjedhore dhe është pjesa më errët në shumë aspekte. Besoj duke u bazuar më shumë tek analiza jonë e përbashkët sesa tek shembujt, pasi shembujt janë nga më të ndryshmit, – ka vende shumë demokratike që kanë të njëjtin sistem, pra, që i lejojnë reklamat pozitive apo negative pa limit, ka vende që i lejojnë në mënyrë të limituar në kohë, ka vende që i ndalojnë. Shembujt janë nga më të ndryshmit.  Unë besoj se për ne është e nevojshme të bëjmë një diskutim, pasi nuk do të ishte në këndvështrim tim, e paudhë ta shkurtonim këtë zë në shpenzimet e fushatës dhe të lehtësonim barrën e madhe financiare që ky zë ka për partitë që janë seriozisht në garë. Sigurisht që mund të ketë zgjidhje edhe të ndërmjetme. Ne si PS nuk kemi ndonjë formulë të përcaktuar. Në këtë reformë jemi shumë të interesuar që të trajtojmë sëbashku me palët e tjera, problematikën në tërësi, pa imponuar asgjë, por, megjithatë, diskutimi në këtë pikë do t’ia vlente’- kishte theksuar Rama në tryezë lidhur me këtë çështje. Po ashtu PS ka vënë theksin tek korrupsioni zgjedhor, i cili sipas saj pavarësisht se krahasuar me të shkuarën është tkurrur në mënyrë të ndjeshme, sërish mbetet një shqetësim, sidomos në zonat më të varfra. Në atë tryezë ndryshe sa veproi me reformën në drejtësi, ku tentoi vënien në zbatim të planit për votim të njëanshëm, kryeministri kishte deklaruar se konsensusi për reformën zgjedhore është i domosdoshëm. ‘Në rast se për reformat e tjera, konsensusi është i dëshirueshëm, por nuk është absolutisht i domosdoshëm, për këtë reformë besoj se konsensusi është jo vetëm i dëshirueshëm, por edhe i domosdoshëm, pasi nuk mund t’i privohet asnjë pale mundësia për të hyrë në fushën e betejës zgjedhore me rregulla të qarta dhe të barabarta për të gjithë, duke përdorur vullnetin e shumicës’- kishte pohuar kreu i qeverisë. Por PS nuk nguroi të shprehte shenjën e parë në kundërshtim me aleatin kryesor qeverisës pasi ky i fundit shprehu nevojën për listat e hapura. Në tryeën e përbashkët kreu i Kuvendit, njëkoëshisht kryetari i LSI-së Ilir Meta theksoi listat e hapura të kandidatëve për deputetë do të forconin edhe më shumë parlamentarizmin, kërkesë kjo e mbështetur fort nga partitë e vogla dhe pjesërisht nga lideri i opozitës Basha. Por Rama nuk nguroi që vetëm dy ditë pas artikulimit të kësaj ideje nga aleati Meta të nxirrte në publik ministrin për Çështjet Vendore Bledi Çuçi i cili do të deklaronte kundërshtinë ndaj listave të hapura.

 

lsijaaa

Qëndrimi i Lëvizjes Socialiste për Integrim

 

Kreu i Kuvendit,njëkohësisht kryetar i LSI-së ka qenë ndër të parët në kalsën politike shqiptare që ka bërë apel për reformën zgjedhore dhe përmbylljen e saj, jo në limitet e fundit kohore, sipas rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it. Letrës së muajve më poarë të PD-së për ngritjen e komisionit të posaçëm për reformën zgjedhore Meta ju përgjigj pozitivisht dhe vetëm pas pak kohësh u votuan në Parlament emrat e rinj të këtij komisioni. Ndonëse deri më tani Komisioni i posaçëm ka zhvilluar vetëm dy mbledhje, kjo si pasojë e angazhimeve të palëve me reformën në drejtësi, pritet që nga shtatori e në vazhdim ai të ketë rol kryesor në diskutimin politik mes palëve. Ndërkaq në qëndrimin e parë për reformën e kodit elektoral kryeparlamentari Meta e ka dhënë në tryezën e përbashkët me kryeministrin dhe kreun e PD-së ku ka theksuar domosdoshmërinë e transparencës dhe zbatimit të rekomandimeve të ODIHR-it. Në atë kohë Meta e cilesoi si shqetesim serioz korrupsionin zgjedhor dhe  sugjeroi krijimin e nje sistemi transparent zgjedhor. Po ashtu Meta foli edhe lidhur me  numrin e larte te biznesmeneve ne parlamentin shqiptar dhe paralajmeroi se LSI do te percaktoje kritere te qarta per kandidatet per deputete apo te zgjedhurit vendore. Po ashtu Lsi ka vënë në plan të parë edhe mundësinë e aplikimit të listave të hapura si formë e drejtpërdrejtë e votimit dhe forcimit të parlamentarizmit. Po ashtu pjesë kryesore e kërkesave të LSI-së për këtë reformë, ashtu si edhe me atë në drejtësi, është gjithëpërfshirja e aktorëve politikë dhe konsensusi. Ndërkaq partitë e vogla që kanë gjithnjë më pak të përfshira në proçesin e reformës, megjithëse duhe të jenë zëri më i dëgjuar i saj, gjetën mbështetje tek kryeparlamentari për disa nga kërkesat e tyre. Në një takim që zhvilluan me Metën rreth tre muaj më parë krerët e partive të vogla i dorëzuan kreut të Kuvendit një draft përpiluar nga deputetët Fatmir Mediu, Dashamir Shehi, Agron Duka, Nard Ndoka si dhe nga krerët e partive joparlamentare. 48 partitë që firmosën draftin kërkuan nevojën e rishikimit të sistemit zgjedhor përmes mundësimit të votimit elektronik, listave të hapura, depolitizimit të komisioneve zgjedhore, përmirësimit të administrimit të procesit zgjedhor, shpalljes së rezultatit në ditën e zgjedhjeve sipas standardeve evropiane si dhe adresim të çështjeve të tjera që i shërbejnë rritjes së cilësisë dhe transparencës së procesit zgjedhor në Shqipëri. Kërkesat e partive të vogla morën në atë kohë mbështetjen e kryeparlamentarit,i cili nga ana e tij ka vënë theksin tek miradministrimi i procesit zgjedhor duke synuar rritjen e pavarësisë, paanësisë dhe kapacitetit profesional të të gjithë trupave të administrimit zgjedhor, veçanërisht të komisioneve zgjedhore. Meta po ashtu i ka dalë ne mbështetje partive të vogla për çdo ndryshim të kodit zgjedhor në përputhje me rekomandimet e OSBE-ODIHR.

 

 

pd - ja

 

Katër kërkesat kryesore të Partisë Demokratike

 

-Së pari, votim dhe numërim elektronik për të kufizuar mundësitë e krimit dhe njerëzve të pushtetit që të blejnë apo intimidojnë votuesit, që të blejnë apo intimidojnë numëruesit e votës.

-Së dyti, kufizimin e përdorimit të parasë në fushatë. Duke parë modele edhe të financimit 100% të partive politike nga financat publike dhe kriminalizimin e financimit privat.

-Së treti, auditimin strikt të partive politike, jo sa marrin por sa shpenzojnë.

-Së katërti në këndësvhtrimin ePD qeveria teknike është parakusht për zgjedhje të lira e të ndershme

 

Pikëpamjet e Partisë Socialiste

 

– Në rast se për reformat e tjera, konsensusi është i dëshirueshëm, por nuk është absolutisht i domosdoshëm, për këtë reformë besoj se konsensusi është jo vetëm i dëshirueshëm, por edhe i domosdoshëm

– Shkurtim  të shpenzimeve për reklamat elektorale

– Zgjidhje për korrupsionin zgjedhor, që mbetet një shqetësim, sidomos në zonat më të varfra

– Kundërshtim ndaj përdorimit të listave të hapura nga partitë për zgjedhje

 

Piketat e Lëvizjes Socialiste për Integrim

 

– Reforma zgjedhore të zhvillohet sipas rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it dhe përmbyllja e saj mos bëhet në limitet e fundit kohore

– Korrupsioni zgjedhor shihet si shqetesim serioz dhe  sugjerohet krijim i një sistemi transparent zgjedhor

– Është vërejtur numër i lartë i biznesmeneve në parlamentin shqiptar. LSI do të përcaktojë kritere të qarta për kandidateët për deputetë apo të zgjedhurit vendore

 

-LSI ka vënë në plan të parë edhe mundësinë e aplikimit të listave të hapura si formë e drejtpërdrejtë e votimit dhe forcimit të parlamentarizmit

-Pjesë kryesore e kërkesave të LSI-së për reformën zgjedhore, ashtu si edhe me atë në drejtësi, është gjithëpërfshirja e aktorëve politikë dhe konsensusi.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here