AKP/ Formula e saktë për llogaritjen e mesatares, që maturantët të aplikojnë për 10-të preferenca

0
9498

Agjencia Kombëtare e Provimeve ka publikuar së fundi formulën e saktë për llogaritjen e saktë të mesatares për të gjithë maturantët e këtij viti që duhet të aplikojnë për shkollë të lartë

 

Sejrie Baleta

 

 

Çdo maturant që dëshiron të fitojë të drejtën e studimit në institucionet e arsimit të lartë publik e privat, duhet të plotësojë formularin e aplikimit duke nisur nga sot . Për të gjithë ata që ende kanë paqartësi, Agjencia Kombëtare e Provimeve ka publikuar udhëzuesin teknik që detajon hap pas hapi procesin e plotësimit. Më parë, ata duhet të kenë bërë pagesën e tarifës prej 2 mijë lekësh që dorëzohet në shkollë e siguron hedhjen e notës mesatare në sistem. Kjo i bën ata pjesë të garës në universitete.

 

Në faqen e AKP-së thuhet:

 

“Për të gjithë maturantët e këtij viti po ju publikojmë formulën për llogaritjen e mesatares e cila duhet të jetë mbi 6 që të mund të aplikoni për në shkollë të lartë:

M1= Mesatarja e shkollës së mesme (mesatarja e thjeshtë, pa u shumëzuar me kreditit ose me koeficientet, kurse notat merren me presje jo të plota)

M2= (D1+D2+D3+Z1+Z2)/5 ose
M2= (D1+D2+Z1+Z2)/4 (maturantët që nuk e kanë pasur me detyrim D3)

Mesatarja = (M1+M2)/2 (Mesatarja del e rrumbullakosur me 2 shifra mbas presjes)”

 

Vendimi

Zbardhet vendimi për mënyrën se si do të përllogaritet mesatarja për të gjithë maturantët, të cilët do aplikojnë në Universitet.  “Kanë të drejtën të aplikojnë për t’u pranuar në programet e studimeve të ciklit të parë dhe programet e integruara të studimeve të ciklit të dytë në institucionet e arsimit të lartë kandidatët që kanë përfunduar me sukses nivelin e arsimit të mesëm të lartë dhe që plotësojnë kriterin e notës mesatare të përcaktuar në këtë vendim. Për të gjithë kandidatët, të cilët kanë përfunduar nivelin e arsimit të mesëm të lartë, nota mesatare për pranim në programet e studimeve të ciklit të parë dhe programet e integruara të studimeve të ciklit të dytë, në institucionet e arsimit të lartë, për vitin akademik 2016-2017, të jetë 6”, – thuhet në vendimin e qeverisë.

Llogaritja
Nota mesatare për pranim në institucionet e arsimit të lartë, përllogaritet si mesatare aritmetike e thjeshtë e treguesve të mëposhtëm:
-Mesatarja aritmetike e thjeshtë e notave përfundimtare vjetore të lëndëve për të gjitha vitet e shkollimit në arsimin e mesëm të lartë.
-Mesatarja aritmetike e thjeshtë e notave të provimeve të Maturës Shtetërore.
Kandidatët që aplikojnë për t’u pranuar në programet e studimeve dy vjeçare me karakter profesional nuk kanë detyrimin të plotësojnë kriterin e notës mesatare të parashikuar në këtë vendim. Institucionet arsimore të arsimit të mesëm të lartë dhe njësitë arsimore vendore janë përgjegjëse për përllogaritjen e notës mesatare dhe përcjelljen e të dhënave pranë Agjencisë Kombëtare të Provimeve. “Procedurat për njëvlershmërinë e dokumenteve të paraqitura nga shtetasit shqiptarë dhe të huaj, të cilët kanë përfunduar nivelin e arsimit të mesëm të lartë jashtë vendit dhe përllogaritja e notës mesatare për këta kandidatë të kryhen nga Ministria e Arsimit. Në këto raste me vendim të komisionit përkatës përcaktohet mënyra e përllogaritjes së notës mesatare”, – theksohet në vendim.

 

Udhëzimi

 

“Nëse të dhënat tuaja nuk janë të sakta, do të shfaqet mesazhi ‘Maturanti nuk përkon me kartën e identitetit’. Nëse ju shfaqet përsëri i njëjti mesazh, kjo do të thotë se për të bërë aplikimin online, duhet të paraqiteni detyrimisht pranë Drejtorisë/Zyrës arsimore të rrethit tuaj me dokumentin tuaj personal të identifikimit për të kryer aplikimin nën kujdesin e përfaqësuesit të drejtorisë”, përcaktohet në udhëzimin teknik. Nëse procesi shkon siç duhet, në dritaren e kompjuterit shfaqet formulari i aplikimit. Nëse maturanti nuk ka kryer pagesën e formularit, tabela në ekran do të tregojë: “Ju nuk keni notë mesatare”. Në këto kushte, për të vijuar garën, kandidati duhet të dorëzojë brenda afateve të aplikimit mandat-pagesën në shkollë. Nëse një gjë e tillë është bërë më herët, maturanti vijon procesin e plotësimit të formularit. Një tabelë e madhe me kredencialet, si dhe rezultatet e maturantit në fillim të saj ndiqet nga 442 programet e studimit që ai mund të zgjedhë, në rast se mesatarja e tij është mbi notën 6. Në të kundërt, tabela e mëposhtme do të ketë vetëm ato pak programe të karakterit profesional 2-vjeçar: Menaxhim veterinar në Universitetin Bujqësor, Teknik laboratori në universitetin e Elbasanit “Aleksandër Xhuvani” dhe dhjetë degë në universitetin e Durrësit “Aleksandër Moisiu”. Për të bërë zgjedhjet e tij, aplikanti duhet të klikojë mbi butonin “përzgjidh programin” që shfaqet përkrah degës që dëshiron. Preferencat, AKP: Mund të rirenditen Çfarë ndodh nëse kandidati ka përzgjedhur të dhjeta degët në universitetet publike e private dhe ndërron mendje në momentin e fundit?! “Sistemi informativ nuk të lejon që të përzgjidhen më shumë se 10 preferenca, por lejon që të fshihet ndonjëra prej tyre, si dhe të rirenditen ato. Nëse duhet të heqim një program studimi, mjafton të klikojmë te butoni “hiqe”, ndërsa për t’i rirenditur në kutizat anësore, duhet të shtypim renditjen e re të propozuar dhe më pas klikojmë mbi butonin poshtë “ruaj renditjen”, sqaron udhëzimi. Edhe në këtë pikë duhet pasur kujdes, pasi gjatë vendosjes së renditjes së re nuk duhet të kemi përsëritje numrash. Vetëm pasi kandidati të ketë bërë përzgjedhjen e duhur, të rimenduar, pasi është vendimtare për të, në fund të faqes ka një buton “dërgo formularin”. Kjo e bën atë automatikisht garues për në shkollë të lartë. Një dritare tjetër dialoguese i jep mundësinë maturantit të bëjë konvertimin e formularit në formatin PDF dhe printimin e tij, në rast se e dëshiron. Ajo çka mbetet të bëjë tashmë kandidati është vetëm largimi nga portali i maturës shtetërore.

 

MSA-ja
Nga ana tjetër Ministria e Arsimit sqaron maturantët në lidhje me mënyrën si do shpallen fituesit. Këtë vit kandidatët fitues nuk do shpallen në bazë të renditjes së degëve. Fituesit do shpallen në disa degë dhe mund të regjistrohen në degën që dëshirojnë. “Kandidati që është shpallur fitues në më shume se një program studimi, lejohet të regjistrohet vetëm në njërin nga programet e studimit ku është fitues. Sekretaritë mësimore të IAL-ve do të pranojnë dokumentacionin për të gjithë kandidatët fitues. Kandidatët dorëzojnë personalisht, ose nëpërmjet përfaqësuesit të autorizuar nga ana e tyre, dokumentacionin e mëposhtëm: Dokumentin e identifikimit.  Fotokopjen e noterizuar të diplomës së Maturës Shtetërore bashkë me certifikatën e notave. Dy fotografi personale”, theksohet në udhëzimin e ri të MAS.
 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here