Standard.al

Parlamentarët francezë, një tjetër vizitë në Krime

0

Delegacioni i përbërë nga 11 parlamentarë francezë me në krye anëtarin e Komitetit për Politikën e Jashtme, Thierry Mariani, ka shkuar këtë të shtunë në Krime për një vizitë treditore, për herë të dytë që nga korriku i vitit të kaluar, njofton agjencia e lajmeve “Sputnik”. Vizita e parë në Krime e një grupi prej 10 ligjvënësish francezë u realizua në korrik 2015, pavarësisht kritikave të forta si në Francë, ashtu edhe në Evropë. Deputetët pohuan atëherë që ajo që kishin parë në gadishull s’kishte të bënte fare me çka po shkruhej zakonisht në median perëndimore, njofton më tej “Sputnik”. Sipas deputetit Jacques Myard, vizita e dytë e delegacionit parlamentar në Krime synon tërheqjen e vëmendjes së Evropës tek domosdoshmëria e heqjes së sanksioneve antiruse. “Besoj se është e nevojshme të theksojmë e të nënvizojmë rëndësinë e heqjes së sanksioneve. Ato nuk janë produktive dhe bien ndesh me interesat tona, me interesat e Rusisë, interesat e Francës dhe interesat e Evropës. Prandaj jemi sërish këtu, i pëlqen kjo dikujt apo jo”, është shprehur Myard. Për situatën e tanishme me komunitetin tartar në Krime, Thierry Mariani në fjalën e tij gjatë konferencës për shtyp ka vënë në dukje që “të drejtat e tartarëve në Krime po respektohen më mirë sesa të drejtat e minoritetit rus në vendet Baltike”. Deputeti ka theksuar gjithashtu që Republika e Krimesë ka tri gjuhë zyrtare, përfshirë këtu edhe atë tartare. Projekte të lançuara më parë për të zgjidhur problemet e popullsisë tartare janë në fazën e zbatimit. Mariani e ka quajtur një surprizë të këndshme që një nga zëvendësit e Kryetarit të Këshillit Shtetëror të Republikës së Krimesë përfaqëson pikërisht këtë pjesë të popullsisë.

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.