Edi Rama flak në ferra 1.6 milionë dollarë nga taksat e shqiptarëve!

1
129

–  Gëzimi i kryeministrit konvertohet me vrap në fillim në shpërdorim fondesh. Sa humbasim nga një ditë pune “qyl” e administratës?

 

 Ervin Kaduku

 

 

Me një shpërthim tashmë të zakonshëm për kryeministrin shqiptar në Facebook, Edi Rama u dha leje një ditë pune të gjithë punonjësve të administratës publike. Kështu, të hënën asnjë zyrë e shtetit shqiptar nuk do të jetë e hapur për hallexhinjtë: as nga qeveria, as nga gjykatat, etj. Arsya është euforia që kreu i Ekzekutivit mendon të përçojë tek punonjësit e shtetit për miratimin e reformës në drejtësi nga Kuvendi i Shqipërisë, duke e paraqitur gjithnjë veten si ai që e ka në dorë t’i bëjë shqiptarët të gëzuar.

Por, me një masë të tillë, nuk ka pse të gëzohet kush, me përjashtim të administratës së hutuar, që vështirë se e kupton arsyen e vërtetë të një pushimi të detyruar, megjithatë, i leverdis të mos shkojë në punë. Kështu, ata që do të kenë probleme për të zgjidhur pranë kësaj administrate do të hasen me një mungesë tejet të gjatë të saj në vendet e punës, që filloi ditën e premte dhe do të zgjatë deri të martën në mëngjes.

Përveç problematikës që përcjell një vendim i tillë totalisht jashtë çdo arsyetimi ligjor të mundshëm, kryeministri Edi Rama ka bërë, me këtë rast, edhe një shpërdorim skandaloz të burimeve financiare të shtetit shqiptar, që sigurohen duke u thithur deri në palcë qytetarëve dhe bizneseve paratë që fitojnë me djersën e ballit. Le të bëjmë disa llogari të thjeshta.

Sipas ligjit të Kuvendit për Buxhetin e Shtetit të vitit financiar 2016, shuma e përgjithshme që caktohet për efekt të pagave të buxhetorëve, është afro 61 miliardë lekë të reja. Po kështu, shteti u paguan punonjësve të tij edhe afro 10 miliardë lekë të tjera për efekt të kontributeve të sigurimeve shoqërore. Kjo do të thotë që, në një vit, administrate publike shqiptare ka marrë dhe do të marrë gjithsej një fond prej 70 miliard e 886 milionë lekësh të reja. E konvertuar në valutë të huaj, kjo përkthehet në një shumë gjigande prej më shumë se gjysmë miliardi euro: saktësisht 521.2 milionë eurosh. Pagat e punonjësve të administratës publike janë e vetmja gjë që nuk preket në asnjë nga rrudhjet që po bën këto tre vitet e fundit qeveria Rama, ndërkohë që sëpata e saj ka rënë rëndë mbi investimet jetike në infrastrukturë, duke bërë që Shqipëria të bllokojë të gjitha projektet e saj madhore, të nisura nga qeveritë e mëparshme dhe që mjaftojnë pak fonde për t’i çuar në fund. Madje, po të shohësh pagesat që kryhen në Thesarin e Shtetit, që pasqyrohen në buletinet e përditshme të ministrisë së Financave, del se punonjësit e Kryeministrisë, ndrushe nga të gjithë kategoritë e punonjësve të administratës shtetërore në Republikën e Shqipërisë – ndryshe nga ata të Presidencës, ushtarakët, mësuesit, policët – paguhen para se të mbyllet muaji, duke bërë kështu një shkelje skandaloze të ligjeve në fuqi, ndonëse deri tani askush – qoftë edhe nga opozita politike – nuk ka marrë mundimin ta çojë një çështje të tillë në Prokurori si shpërdorim flagrant detyre.

Por ky kryeministër, që nxiton t’u japë punonjësve të tij pagën para se të mbyllen ditët e punës, merr guximin të sfidojë sërish ligjet e shtetit, duke falur një ditë pune “për qejf të vet”. Ja deklarata e tij në FB: “Se bashku kemi arritur te paarritshmen ne 25 vjet. Prandaj te hënën administrata pushim dhe le te jete një fundjave e gëzuar për te gjithë”! A e ka bërë ndonjëherë hesapin Edi Rama se sa u kushton një ditë punë e dhjetëra mijëra punonjësve publikë xhepave të taksapaguesve shqiptarë? Sigurisht që jo, nisur nga njohuritë prej nxënësi filloreje që ka treguar kryeministri në fushën e financave publike. Atëherë, po e bëjmë ne hesapin për të. Një ditë pune, zoti kryeministër, kushton 194.2 milionë lekë të reja. Ose 1 milion e 428 mijë euro! Ose 1 milion e 575 mijë e 725 euro!

Gëzimi për reformën në drejtësi duhet të jetë i madh, megjithëse duhet parë realisht se si do të aplikohet në praktikë kjo reformë. Por askush nuk mund të japë të drejtën që me një “ferman” prej sulltani, kryeministri i një vendi që sundohet nga ligjet të hedhë në koshin e plehrave një shifër të tillë. Paratë, me të cilat paguhet administrata, shërbejnë për një qëllim të caktuar. Për më tepër, ato nuk janë të qeverisë dhe aq më pak të një kryeministri. Duke u dhënë pushim zyrtarëve Edi Rama nuk bën gjë tjetër veç shpreh qendrimin e tij personal ndaj punës në shtet, të cilin shqiptarët e shohin vazhdimisht. Ky kryeministër përton të shkojë edhe në mbledhjet e qeverisë! Mjafton t’u hedhësh një sy akteve shumë të rëndësishme, nga të cilat varet jeta e shqiptarëve dhe e shtetit të tyre, për të parë se në shumicë kohët e fundit ato mbajnë në fund një shënim skandaloz, sa edhe qesharak, që lidhet me atë, se kush i ka firmosur: “NË MUNGESË DHE ME POROSI, NIKO PELESHI”.

Vendime të tilla vijnë në një kohë kur Kontrolli i Lartë i Shtetit sapo ka publikuar raportin e tij më të fundit, ku rezulton se janë jo pak, por 280 milionë euro shpërdorimet dhe vjedhjet që janë konstatuar gjatë periudhës së auditimit nga janari deri në fund të qershorit 2016. Dhe që i përkasin periudhës së punës së kësaj administrate nga viti 2013 e këtej, prë për të cilën përgjegjësi ka vetë kryeministri dhe Ekzekutivi i tij. Mos do të përçojë një tjetër ide Edi Rama nëpërmjet këtij urdhri të fundit? Atë që tanimë shqiptarët mund të ikin fare nga zyrat, pasi do të jenë të huajt që do të merren edhe me punët tona të përditshme? Më mirë të bëjë kujdes, pasi mund te jetë ai që, me metoda të tilla skandaloze të administrimit të parasë publike, të jetë duke i shpejtuar mbylljen e derës në shtet vetes së tij dhe shpurës së tij…!

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

1 COMMENT

  1. Nje zuzar i papergjegjshem! Nje armik i shtetit! Nje anti shqiptar! Nje hajdut me vule! Nje rrenacak i pacipe! Nje skizofren qe vuan nga komplekset, e udhehiqet nga instiktet! Nje kafshe!

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here