Si dhe kush do ta bëjë verifikimin e gjykatësve dhe prokurorëve?

0

Reforma në drejtësi parashikon një sërë masash për rivlerësimin dhe verifikimin e figurës të punonjësve të sistemit të drejtësisë. Ky proces është bërë i njohur si procesi i vetingut.

Pse do bëhet rivlerësimi?

Qëllimi i rivlerësimit është të garantojë që në sistemin e drejtësisë do të punojnë vetëm ata që janë të kualifikuar nga ana profesionale dhe integriteti për të garantuar drejtësi të pavarur, profesionale dhe të ndershme.

Procesi synon të largojë nga sistemi të gjithë ata të cilët janë të korruptuar, të lidhur me krimin dhe që janë të paaftë profesionalisht.

Kush do t’i nënshtrohet rivlerësimit?

Të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët e të gjitha niveleve; ndihmësit e tyre ligjorë; dhe inspektorët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë.

Kur do të bëhet rivlerësimi?

Rivlerësimi do të fillojë menjëherë pas hyrjes në fuqi të ndryshimeve kushtetuese dhe paketës ligjore në zbatim të tyre.

Rivlerësimi i të gjithë subjekteve duhet të kryehet brenda një periudhe pesë vjeçare. Fillimisht do të vlerësohen, me një procedurë të posacme, ata të cilët do të bëjnë vlerësimin e të tjerëve, pra anëtarët e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe të Kolegjit të Apelimit (shih më poshtë).

Kush do ta kryejë rivlerësimin?

Rivlerësimi do kryhet nga dy institucione të posaçme që do të krijohen për këtë qëllim: a) Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, i cili do të bëjë vlerësimin e individëve, dhe b) Kolegji i Apelimit pranë Gjykatës Kushtetuese i cili do të shqyrtojë ankesat ndaj vendimeve të Komisionit. Këto dy institucione janë shpjeguar në fund të këtij artikulli.

Çfarë përfshin rivlerësimi?

Rivlerësimi do të përfshijë tre drejtime: vlerësimin e pasurisë, vlerësimin e figurës dhe vlerësimin profesional.

Vlerësimi i pasurisë

Çdo subjekt do t’i nënshtrohet vetëdeklarimit dhe kontrollit të të gjitha pasurive të tyre dhe të personave të lidhur.

Subjekti duhet të justifikojë pasuritë mbi bazën e burimeve të ligjshme—burime të ligjshme konsiderohen vetëm të ardhurat e deklaruara për të cilat janë paguar taksat.

Nëse pasuria e deklaruar apo zbuluar është më e madhe se dyfishi i të ardhurave të ligjshme, personi konsiderohet fajtor dhe përjashtohet nga sistemi, nqs nuk verteton të kundërtën.

Kontrolli i figurës

Subjektet bëjnë vetëdeklarim për figurën e tyre dhe i nënshtrohen verifikimit të kontakteve të papërshtatshme me persona të përfshirë në krimin e organizuar. Nëse verefikohen kontakte të tilla, individi prezumohet fajtor dhe shkarkohet, nëse nuk provon të kundërtën.

Vlerësimi i Aftësive Profesionale

Vlerësimi përfshin vlerësimin e aftësive për të gjykuar apo hetuar e ngritur akuzë, aftësive organizative, etikës dhe cilësive personale bazuar në standarde të parashikuara në ligj.

Subjekti që vlerësohet se ka mangësi të mëdha, të cilat nuk mund të korrigjohen përmes edukimit, ai shkarkohet menjëherë.

Nëse vlerësohet se subjekti ka njohuri, aftësi, gjykim ose sjellje të cekëta por që mund të riparohen, ai pezullohet dhe i nënshtrohet një programi të detyruar një vjeçar edukimi.

Si do të bëhet rivlerësimi?

Hapi i parë i vlerësimit është vetëdeklarimi i subjektit, pastaj Komisioni i Pavarur i Kualifikimit verifikon vetëdeklarimet, si dhe kryen verifikime shtesë.

Komisioni do të ketë akses në të gjitha informacionet që kanë institucionet publike pa kufizim (përjashto, informacionet e klasifikuara sekret shtetëror)—përfshi të dhënat tatimore, të dhënat e pasurive të patundshme, të dhënat e bizneseve, hyrje-daljet nga vendi, etj—si dhe të dhëna të tjera si të dhëna bankare, të dhëna biznesi, etj.

Komisioni do të ketë të drejtë të intervistojë të gjithë personat që përfshihen në vetëdeklarimin e subjektit, si dhe persona të tjerë që sheh të arsyeshme. Komisioni ka të drejtë, gjithashtu, të urdhërojë individë dhe kompani t’i japin prova.

Në procesin e rivlerësimit barra e provës i kalon subjektit të rivlerësuar, që do të thotë se ai konsiderohet fajtor për çdo dyshim dhe duhet të provojë vetë të kundërtën.

Roli i të huajve në procesin e rivlerësimit

Procesi i rivlerësimit të punonjësve të sistemit të drejtësisë do të ndihmohet nga një mision i posaçëm ndërkombëtar, i quajtur Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit.

Qëllimi i ONM-së është mbikqyrja e procesit të rivlerësimit, por edhe ndihma konkrete e Komisionit dhe Kolegjit me të dhëna dhe informacione dhe këshillim i tyre në procesin e vlerësimit.

ONM-ja do të përbëhet nga vëzhgues nga vendet partnere të Shqipërisë në kaudrin e procesve euro-atlantike, pra anëtare të NATO-s ose BE-së, dhe do të drejtohet nga Komisioni Europian.

Vëzhguesit duhet të kenë përvojë të paktën 15 vjeçare si gjykatës ose prokurorë në vendet e tyre.

Vëzhguesit e ONM-së do të monitorojnë gjithë procesin e rivlerësimit dhe do të kenë në dispozicion gjithë informacionin dhe dokumentet që do të kenë edhe Komisioni i Kualifikimit dhe Kolegji i Apelimit. Në mënyrë të veçantë, dy detyrat kryesore të ONM-së do të jenë:

1.        fillimisht, të ndihmojë në procesin e përzgjedhjes së atyre që do të bëjnë rivlerësimin e gjithë gjyqtarëve, prokurorëve dhe subjekteve të tjera që do të rivlerësohen—duke i ofruar Avokatit të Popullit rekomandime për kandidatët për anëtarë të Komisionit të Kualifikimit, për gjyqtarë të Kolegjit të Apelimit dhe për Komisionerë Publikë;

2.        pastaj, t’i ofrojë Komisionit të Kulaifikimit të dhëna, gjetje, prova, fakte dhe mendime në procesin e verefikimit të lidhjeve apo kontakteve të subjekteve me njerëz të përfshirë ne krimin e orgamizuar—pra, praktikisht do të gjurmojnë lidhjet e subjekteve me krimin jashtë vendit dhe të dhëna të tjera që lidhen me jashtë.

Institucionet që do të bëjnë vlerësimin

Procesi i rivlerësimit do të realizohet nga tre institucione të posaçme: Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, Komisionerë Publikë, dhe Kolegji i Apelimit. Ata do të ndihmohen nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit i shpjeguar më sipër.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit do të funksionojë si organ gjykues dhe do jetë i përbërë nga katër trupa të përhershme gjykuese me tre anëtarë secili.

Komisionerë Publikë

Pranë Komisionit do të veprojnë edhe dy Komisionerë Publikë të cilët do të përfaqësojnë interesin publik në procesin e verfikimit dhe do të kenë të drejtën të ankimojnë vendimet e Komisionit. Pra, në rast se komisioni vlerëson pozitivisht një gjyqtar a prokuror dhe Komisioneri Publik mendon se vendimi është i gabuar, ai ka të drejtë ta ankimojë vendimin në Kolegjin e Apelimit pranë Gjykatës Kushtetuese.

Anëtarët e Komisionit gëzojnë statusin e anëtarit të Gjykatës së Lartë.

Kolegji i Apelimit

Kolegji i Apelimit do të përbëhet nga shtatë gjyqtarë dhe do të jetë organi i vetëm gjyqësor që do të shqyrtojë ankimet kundër vendimeve të Komisionit. Kolegji do të vendosë në trupa gjykuese me pesë anëtarë.

Anëtarët e Kolegjit gëzojnë statusin e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese.

Si do të zgjidhen anëtarët e Komisionit dhe Kolegjit?

Procesi i përzgjedhjes së kandidaturave për anëtarë të Komisionit, gjyqtarë në Kolegjin e Apelimit, si dhe të Komisionerit Publik do të organizohet nga Avokati i Popullit.

Procesi i grumbullimit do të jetë transparent, publik dhe i hapur për çdo kënd që dëshiron të aplikojë. Mbi bazën e aplikimeve Avokati i Popullit harton një listë emërore të kandidatëve që plotësojnë kriteret përzgjedhëse formale dhe ia dërgon atë Kuvendit, së bashku me rekomandimet e bëra nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit.

Kuvendi duhet t’i zgjedhë anëtarët me tre të pestat e votave të anëtarëve të tij. Nëse Kuvendi nuk arrin t’i zgjedhë anëtarët brenda 30 ditësh, në ditën e 30-të, Presidenti, përzgjedh me short publik anëtarët, gjyqtarët dhe komisionerët publikë nga lista e kandidatëve të rekomanduar nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit.

Si do të bëhet kontrolli i kontrollorëve?

Anëtarët e Komisionit, gjyqtarët e Kolegjit të Apelimit, Komisionerët Publikë, si dhe punonjësit e tjerë të këtyre institucione do të jenë vetë subjekt i kontrollit të vazhdueshëm. Kusht që ata të përzgjidhen është autorizimi me shkrim nga ana e tyre i kontrollit vjetor të pasurisë, kontrollit të vazhdueshëmtë llogarive të tyre bankare si dhe monitorimin e komunikimeve të tyre, përfshi telefonatat, emailet, mesazhet etj.

 

Lini nje pergjigje