Prokuroria zbardh dosjen për Arben Prendit, ja e vërteta e 150 mijë eurove si rryshfet

0

Prokuroria e Përgjithshme ka publikuar dosjen e prokurorisë për Arben Prendin, për të cilin u pretendua se grupi i trafikut të drogës ku ai bënte pjesë kishte paguar 150 mijë euro për të lëvizur prokurorin e çështjes, Anton Martinin.

Loading...

Prokuroria sqaroi më parë se Martini ishte transferuar në Shkodër me kërkesë të tij dhe i hodhi poshtë pretendimet në lajmin e publikuar në Shqiptarja.com. Sipas kësaj gazete, në përgjimet telefonike rezultonte se Jurgen Molla i kishte thënë nënës së Prendës se e kishte kryer punën, pasi kishte paguar 150 mijë euro për tranferimin e prokurorit. Për të përgënjeshtruar pretendimet e gazetës, prokuroria ka shpërndarë si provë konkluzionet përfundimtare të hetimit për shtetasin Arben Prendi dhe kërkesën për dënimin e tij me 15 vjet burg nga prokurori Eugen Beçi. Në bazë të kësaj kërkesë, Prendi është dënuar nga Gjykata e Krimeve të Rënda me 14 vjet burg, javën e kaluar.

Prokuroria shpjegon se Arben Prendi, i biri i Ndue dhe Tringë, i datëlindjes 11.01.1972, lindur në Fusharrëz të rrethit Pukë dhe banues në Lezhë, Lagje “Varosh”, i arrestuar më 29.06.2015 me 15 kilogram heroinë, ka pretenduar se valixhen ku gjendej droga ia kishte dhënë një shtetas tjetër, që ai nuk e njihte dhe nuk kishte dijeni se çfarë kishte brenda saj.

“Nga shpjegimet e të pandehurit si gjatë hetimeve por edhe gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor në seancën e dt. 13.11.2015 rezulton se gjatë qëndrimit në Kosovë, një shtetas tjetër i panjohur tërësisht nga ana e tij, i ka kërkuar që të kryente transportimin e çantës ku është gjetur lënda narkotike  nga Kosova në Shqipëri kundrejt vlerës prej 3000 Eurosh. Këtë person i pandehuri ka pretenduar se e ka njohur rastësisht në postobllokun e Kukësit në doganë rreth 10 apo 12 ditë para se të arrestohej. Sipas të pandehurit ky quhej Ergys e ishte nga Fieri e kishin biseduar së bashku për të blerë një zetor në Kosovë të cilin do ta transportonte Arbeni nga Kosova për në Shqipëri. Ai shpjegon se nuk ka patur dijeni se në çantë ndodhej lëndë narkotike, por referuar rrethanat të kryerjes së veprës penale, shumës që ai pretendon se i është ofruar nga ana e shtetasit të panjohur, ky pretendim mbetet i pabazuar dhe si rrjedhojë jo i vërtetë”, thuhet në konkluzionet e prokurorisë.

Por  këto pretendime të Prendit nuk janë provuar, siç argumenton prokuroria: “Gjatë seancave gjyqësore në këtë shqyrtim gjyqësor rezultoi se alibia e të pandehurit jo vetëm nuk u provua por u përforcuan dhe u bazuan në indicie e prova faktet e përshkruara nga Prokuroria se ky i pandehur veprën penale e ka kryer në bashkëpunim dhe jo vetëm. Dhe nga ky hetim që shpeguam më lart ka të dhëna dhe prova që shtetasi të cilin pretendon i pandehuri Arben që e ka takuar rastësisht quhet Orgest dhe jo Ergys dhe është një ndër bashkëpunëtorët në kryerjen e kësaj veprimtarie kriminale.”

Në mbyllje të hetimeve prokurori Beçi ka kërkuar dënimin e Arben Ndue Prendit me 15 vjet burg dhe vuajtjen e dënimit në një burg të sigurisë së zakonshme.

Kjo dosje, sipas prokurorisë, provon se pretendimet për pagesën prej 150 mijë eurosh për të larguar prokurorin e çështjes, nuk qëndrojnë.

Loading...

Lini nje pergjigje