Ngecja e drejtësisë/ Nuland vjen nga SHBA me propozim të ri. Tërheqje nga “vija e kuqe” e konsensusit?!

0

2000-1100x660

Loading...

“Propozimi i ri hibrid nga SHBA e BE, përfshin qeverinë, opozitën e Venecian. Koha për marrëveshje”

Zv/ndihmës sekretarja amerikane e shtetit: Çasti që të gjithë patriotët e Shqipërisë të mund të bashkojnë forcat dhe të japin atë që ky vend po pret Monitorim ndërkombëtar, duke ruajtur sovranitetin e Shqipërisë

 

Gëzim Saliu

 

 

Ndihmës Sekretarja e Shtetit, Viktoria Nuland zbuloi dje se në takimet e zhvilluara me kryeministrin Rama dhe kreun e opozitës Lulzim Basha i ka propozuar atyre një formulë të re lidhur me reformën në drejtësi. Megjithëse nuk zbuloi se çfarë përmban propozimi, duke theksuar se tashmë palët duhet të ulen për te gjetur zgjidhjen lidhur me të, Nuland e cilësoi formulën “hibride”. Sipas saj ky propozim përmban një kombinim të pretendimeve të PD dhe PS për reformën si edhe të rekomandimeve të Komisionit të Venecias. “Në 24 orët e fundit, ambasadori Lu dhe kolegia e tij e BE, kanë bërë një propozim të ri, që mund të ndihmojë palët. Ky është një propozim hibrid i cili ka marrë ide nga qeveria dhe opozita shqiptare dhe gjithashtu është në përputhje me propozimin e Komisionit të Venecias. Ky propozim ka mbështetjen time, ka mbështetjen e gjerë nga Uashingtoni dhe nga lidershipi aty. Kam pasur mundësi që ta shqyrtoj me hollësi në takimin tim me kreun e qeverisë dhe atë të opozitës. I kam nxitur që të dy ata, në emrin tim e të personave nga Uashingtoni që të mblidhen së bashku rreth asaj që është propozuar. Ka ardhur koha që të arrihet një marrëveshje. Populli shqiptar është duke pritur. Është çasti që të gjithë patriotët e Shqipërisë të mund të bashkojnë forcat dhe të japin atë që ky vend po pret. Me një reformë të fortë në drejtësi, Shqipëria mund të vazhdojë të ecë përpara edhe në çështje të tjera si ekonomia, krijimi i vendeve të punës”, u shpreh Nuland. Ndërkohë ndihmës Sekretarja e Shtetit zbuloi një detaj nga propozimi duke theksuar se ai,: “Synon të kombinojë një përpjekje të duhur të monitorimit ndërkombëtar duke ruajtur sovranitetin e Shqipërisë”.  Nuland u duk optimiste për këtë propozim të ri ku pohoi se,: “Në të dy takimet me kryeministrin dhe kryetarin e opozitës, të dy shprehën dëshirë për të arritur një marrëveshje për një reformë të qëndrueshme në drejtësi. Nuk është sekret për ju, që politika është e ashpër në këtë, por tek të dy pashë se e kishin të qartë, se  është koha për lidership”.

 

Reforma

 

Në nisje të konferencës për mediat, Ndihmës Sekretarja e Shtetit, Viktoria Nuland tha se SHBA-të janë shumë krenarë që janë aleatë dhe partnerë me Shqipërinë gjatë kësaj trajektore 20 e ca vjeçare në demokracinë shqiptare. “Shqipëria ka një vend të veçantë në zemrën time sepse unë kam shërbyer si Ambasadore e SHBA në NATO në kohën kur Shqipëria u anëtarësua si anëtare e NATO-s. Mendoj që është e drejtë të them që ky është një tjetër moment vendimtar këtë muaj në demokracinë shqiptare. Reforma në drejtësi për të cilën po punojnë si Qeveria dhe Opozita është tejet e rëndësishme për të ardhmen e demokracisë shqiptare”- tha ajo. Sipas Nuland është e rëndësishme që kjo reformë të përmbyllet me sukses, pasi theksoi ajo, populli shqiptar e dëshiron këtë hap. “Gjithashtu do të japin një kontribut të rëndësishëm për dhënien fund të kulturës së pandëshkueshmërisë dhe do të sigurojë që Shqipëria të ketë një sistem drejtësie i cili do të funksionojë. Dhe sikurse ju jeni në dijeni 91% e shqiptarëve janë duke kërkuar reformën në drejtësi tani. Gjithashtu është një hap tjetër thelbësor që Shqipëria duhet të marrë në hapin tjetër të ardhshëm drejt bisedimeve për tu anëtarësuar në BE”, u shpreh Ndihmës Sekretarja Amerikane e Shtetit, Viktoria Nuland.

 

nuland lu

Bashkëbisedimi i Nuland me gazetarët

 

Në rast se ky kompromis u shumëpritur në arrihet, cili do të jetë hapi i rradhës?

Keni të drejtë, koha është e shkurtër dhe për këtë arsye i kemi nxitur të gjitha palët që të punojnë fort dhe të bëjnë më të mirën e tyre, më të mirën në interes të vendit. Unë jam amerikane dhe si e tillë jam optimiste nga natyra. Dhe sikurse jeni në dijeni unë punoj për Presidentin që thotë: Po, ne mundemi. Sërish u them politikanëve shqiptarë dhe të gjithë patriotëve shqiptarë, le të arrijmë në pikën që të themi: Po, ne mundemi.

A e morët përgjigjen nga Lulzim Basha dhe Edi Rama?

Mund tu them që në takimin që kam zhvilluar me Kryeministrin dhe kryetarin e opozitës kam parë një dëshirë për të arritur në një marrëveshje, një dëshirë për të arritur në një pikë të tillë.Por nuk është sekret që politika është e fortë dhe e ashpër në këtë vend.Por gjithashtu kam ndjerë që dy e dinë që është koha për të bërë lidership.

Mund të na jepni detaje lidhur me operacionin ndërkombëtar të monitorimit në këtë proçes?

Nuland: Mendoj që është e rëndësishme tu japim negociatorëve hapësirë që të mund ta shqyrtojnë. Është propozim hibrid me ide nga Qeveria dhe opozita dhe bazohet në të dëgjuarit shumë të mirë, aktiv që Ambasadori Lu dhe kolegia e tij e BE kanë bërë. Gjithashtu përpiqet të kombinojë një përpjekje të duhur të monitorimit ndërkombëtar duke ruajtur dhe sovranitetin e Shqipërisë. Jemi shumë shpresëplotë që shqiptarët do të mund të dinë sëbashku për ta realizuar.

 

 

 

Takimi me Nuland

Rama as “po” e as “jo” propozimit: Duam kompromis që nuk cenon thelbin e reformës

 

Kryeministri Edi Rama priti dje Ndihmës Sekretaren e Shtetit Victoria Nuland duke e falënderuar atë për vizitën në këtë moment kyç për të ardhmen e Shqipërisë.  Diskutimi mes Kryeministrit dhe Nuland u përqendrua tek Reforma në Drejtësi. Sipas njoftimit të zyrës së shtypit në Kryeministri, kreu i qeverisë Rama rinënvizoi qëndrimin e tij se,: “shumica qeverisëse do të mbetet deri ditën e fundit e hapur për çdo kompromis që nuk cenon thelbin e reformës dhe njëkohësisht, vlerësohet nga partnerët tanë strategjike, si në përputhje të plotë me objektivin e përbashkët për një drejtësi të denjë për një vend anëtar të Bashkimit Europian”. Nga ana e saj Victoria Nuland nënvizoi se Shtetet e Bashkuara presin që të gjitha palët ta mbyllin këtë proces me suksesin e merituar për Shqipërinë e për popullin shqiptar.

 

vasili_1464818179-930088

Letra

Vasili, Xhafës: Na informo me variantet që po negociohen

 

Kreu i grupit parlamentar të LSI-së Petrit Vasili kërkoi dje nga kryetari socialist i komisionit të posaçëm për reformën në drejtësi Ftamir Xhafaj që të informohet lidhur me variantet që po negociohen mes dy forcave kryesore. “Gjatë punës në komision si edhe në takime me përfaqësues ndërkombëtarë të përfshirë në çështjen e reformës në sistemin e drejtësisë është folur për negocime të disa varianteve konkrete për gjetjen e mirëkuptimit mes maxhorancës dhe opozitës lidhur me çështje të mbetura pezull e sidomos çështjes së procesit të rivlerësimit (vetingut). Si anëtar i komisionit të posaçëm të reformës në sistemin e drejtësisë kërkoj nga ju të informohem konkretisht lidhur me këto variante zgjidhjeje, të cilat po negociohen, pasi kjo është një domosdoshmëri politike dhe parlamentare si dhe detyrim i imi edhe në cilësinë e kryetarit të grupit parlamentar të LSI për të informuar grupin parlamentar si dhe për formësuar një qëndrim politik e profesional të argumentuar lidhur me to”. Më tej numri 1 i grupit kuvendor të LSI-së theksoi se kërkonte të merrte përgjigje për letrën  e tij, edhe nëse do ishte e pamundur që ai të informohej lidhur me negociatat.  Në këtë kontekst Vasili thekson se komunikimi institucional dhe transparenca janë pika kyçe në çuarjen përpara të zgjidhjes së ngërçit. “Ne se ky negocim është tërësisht konfidencial dhe është ë pamundur për të më informuar konkretisht për të dhe variantet konkrete që diskutohen, ju lutem më informoni edhe për këtë. Duke vlerësuar mirëkuptimin reciprok edhe personal me ju, mendoj se komunikimi institucional është një domosdoshmëri për të ecur në dimensionin e transparencës, që i hap rrugën zgjidhjeve të problemit si dhe ndihmon në çuarjen përpara të procesit të reformës në sistemin e drejtësisë, si dhe të ndërgjegjësimit të përgjegjshëm për hapat dhe zgjidhjet e ndërmarra”- deklaroi Vasili.

 

 

13613374_1183922428325603_1438485651200497701_o

Takimi me Nuland

Basha: Reforma në drejtësi do miratohet vetëm më konsensus politik

 

Kryeopozitari Lulzim Basha përsëriti qëndrimin e demokratëve për zbatimin e plotë të nenin 88 të Venecias teksa ftoi mazhorancën të reflektojë për propozimin e fundit të PD –së

Lideri i opozitës, Lulzim Basha takoi ditën e djeshme ndihmës sekrtaren amerikane të shtetit në kuadër të vizitës së saj zyrtare në Shqipëri. Për rreth 45 minuta, kryedemokrati dhe zyrtarja amerikane biseduan për refomën në drejtësi, një çështje që ndiqet me interest të madh nga Shtet e Bashkuara të Amerikës. Basha u shoqerua në takim nga deputetët Oerd Bylykbashi dhe Aldo Bumçi ndërsa në tryezë ishte i pranishëm edhe ambasadori amerikan Donald Lu i cili për gati dy vite ka qenë njëri nga negociatorët e kësaj reforme.  Në përfundim të takim me Nuland, në fjalën e tij para gazetarëve, kreu I të djathtëve, Lulzim Basha bëri me dije se partia Demokratike i qëndron zbatimit të plotë të rekomnadimit 88 të Komisionit të Vencias. “PD ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm substanciv, thelbësor për reformën në drejtësi. Për 1 vit e gjysëm ekspertët tanë kanë bërë të mundur përmirësimin thelbësor të një drafti që nisi si përpjekje për të kapur drejtësisë dhe për t’ia  nënshtruar atë interesave politike të mazhorancës aktuale. Sot ka mbetur vetëm një çështje që ndan palët, PD e ka bërë të qartë zbatimin në mënyrë të plotë dhe terësor të rekomandimit 88 të Venecias. Ka bërë tre propozime, i pari që ka qenë propozim i SHBA dhe BE, ai i vendeve të rezervuara, që është hedhur poshtë.I dyti, propozimi i listave alternative të formalizuar përmes draftit të miratuar nga grupi parlamentar i PD dhe së fundi propozimin tonë të tretë i bërë publik të premten nga zoti Bylykbashi,” – tha ai.

 

Qëndrimi

 

Pas takimit me ndihmës sekretaren amerikane,  Lideri i selisë blu shprehu bindjen se reforma në drejtësi do të kalojë vetëm me konsensus politik. Edhe njëherë, Basha ftoi për reflektim mazhorancën mbi propozimin e ri të demokratëve. “Riktheva në vëmendje të zonjës Nuland dhe bashkëbiseduesve të tjerë edhe detajet e propozimnit tonë të tretë. Ne jemi tëbindur se kjo reformë mund dhe do të miratohet vetëm me konsensus politik. Nuk ka dhe nuk mund të ketë asnjë themel tjetër të shëndoshë për reformën në drejtësi përveç konsensusit politik mes palëve. PD ka kontribuar me këtë propozim, duke lëvizur nga pozitat e mëparshme por duke mbetur besnike 100% e rekomandimit 88 të Venecias. Presim, kërkojmë dhe ftojmë palën tjetër që përmes një reflektimi pozitiv të diskutojë mbi meritat e këtij propozimi,” – deklaroi  kryetari i PD – së.Më herët, para takimit të 6 qershorit me kryemisnitrit Rama, Lulzim Basha zhvilloi një bisedë telefonike me Nuland, të cilën  e njohu me qëndrimin dhe propozimin e partisë Demokratike.

 

Nuland takon Bushatin

Kryediplomati: Nuk ka kthim prapa dhe as hollim të reformës

 

Ndihmës/sekretarja amerikane Viktoria Nuland, ndalesën e parë në Tiranë e bëri në Ministrinë e Jashtme. Nuland u takua me kryediplomatin Ditmir Bushati ndërkohë që në fokus të bisedës mes tyre ishte  bashkëpunimi në kuadër të partneritetit strategjik me SHBA- në,rëndësia e miratimit të reformës në drejtësi dhe bashkëveprimi për sfidat e sigurisë globale. Në përfundim të takimit ministri Bushati dha një mesazh të qartë duke thënë se tashmë nuk ka më kthim prapa për reformën në drejtësi.  “Këshillat e SHBA-së kanë qenë të çmuara dhe bashkëpunimi i ngushtë i tyre me BE-në, si dhe mbështetja e pakursyer për reformën tregon rëndësinë dhe koherencën e aksionit tonë të përbashkët. Për ne nuk ka as kthim prapa, as hollim të reformës. Ajo duhet të jetë rrënjësore sepse kështu e kërkon mbi 90% e shoqërisë sonë, e kërkon nevoja jonë për zhvillim,” – deklaroi kryediplomati. Bushati shprehu vendosmërinë e qeverisë për të miratimine reformës në drejtësi, të cilën e cilësoi si parësore në forcimin e shtetit ligjor, luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar, në përforcimin e sundimit të ligjit në ekonomi dhe me impakt të drejtpërdrejtë në avancimin e Shqipërisë në procesin e integrimit evropian. Ministri Bushati falenderoi ndihmës sekretaren për ndihmën që Amerika ka dhënë në proceset demokratizuese, ndërkohë që theksoi se Shqipëria është një partner i vendosur i SHBA – së për ruajtjen e stabilitetit  e paqes në rajon. Ndërkohë zyrtarja amerikane shprehu mbështetjn e Amerikës në në proceset demokratizuese, integrimin e mëtejshëm euroatlantik si dhe në prosperitetin e Shqipërisë dhe shqiptarëve në rajon.Në takimin me Minsitrin e Jashtëm, Nuland deklaroi se  reforma në drejtësi mbetet një prioritet i lartë në marrëdhëniet me  SHBA-në dhe ndikon drejtpërdrejt në rrugën e Shqipërisë në BE. Ndihmës/sekretarja vlerësoi rritjen e kontributeve të Shqipërisë në kuadër të misioneve të aleancës dhe luftës kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm.

 

 

 

 

 

 

 

Loading...

Lini nje pergjigje