Mënyra se si flet lidhet me të ardhmen tuaj

0

Pikërisht tek e folura qëndron gati gjysma e suksesit tonë. Nëse dimë ta përdorim atë ashtu siç duhet. Por që, sipas specialistëve, në shoqërinë shqiptare shfaqet me defekte të rënda arkaike.

Loading...

Nëse di të flasësh, ia ke dalë të lësh përshtypjet e mira që do. Në të kundërt, nëse nuk e zotëron këtë, jo vetëm dukja mund të zbresë shkallë, por përposhtë bëjnë edhe vetitë e tua profesionale. Për fat të keq apo padrejtësisht edhe ato ‘janë futur në ujë’. E ke ngado të humbur davanë! ‘Pasi e folura efektive plotëson imazhin e jashtëm të njeriut, e bashkë me të edhe atë profesional. Në botë qarkullon termi që ‘njeriu prezentabël, ai është më i preferueshmi për të bërë karrierë’. Domethënë, hapin më të shpejtë e hedhin ata që janë të tillë’, shpjegojnw specialistwt. Dhe, sipas literaturës botërore, i foluri i duhur ndikon në 40% të suksesit profesional dhe jo vetëm profesional të një individi dhe është në po këtë masë në disavantazh të tij, nëse ai keqpërdoret. Veç arsimimit dhe kulturës nevojitet edhe vitrina, ajo që pasqyron gjithë këto veti apo bagazhin tërësor profesional që ata kanë.

Kontakti i parë që ne kemi me njerëzit është prezantimi vizual dhe fizik, biseda paraprake që bëjmë, që nënkupton të bashkëngjitur dhe të folurin. Por përse pikërisht mënyra e të folurit, pavarësisht fjalëve që transmeton ajo, është kaq e rëndësishme për të pasur sukses?

Rëndësia e të folurit

Ne, shpesh, kënaqemi dhe mjaftohemi vetëm me arsimimin e dikujt. Nëse dikush ka mbaruar tre universitete bëhet pastaj i paarritshëm. Por ky universitet, master apo dhe doktoraturë është arsimim profesional dhe jo kulturor. Ndërkohë, që ne kemi mangësi të mëdha në edukimin kulturor. Nëse dikush nuk e prezanton kulturën që ka me të folurin, për shembull, vështirë të ndjehet më pas kultura e tij. Nuk ekzistojnë vetëm kontakte shifrash, projektesh. Ka dhe kontakte të tjera që e plotësojnë këtë marrëdhënie. Dhe një e folur efektive është si ai ambalazhi që mund ta tregtojë fare mirë mallin. Në këtë rast, qëllimin që do të realizojë gjithkush. Dhe sipas literaturës, që të arrish suksesin në një periudhë të caktuar kohore, e folura efektive e bën të sigurt dhe e përshpejton në dhjetë herë më shpejt. ‘Ka njerëz që vetëm nga i foluri janë magjepsës dhe falë kësaj arrijnë pika kulmore në sukses dhe karrierë, deri presidentë shtetesh’, shtojnë specialistët.

Më i rëndësishëm për të krijuar efekt me anën vizuale është përdorimi i muskujve të gojës. Nëse muskujt nuk përdoren në formën dhe masën që duhet, atëherë bie potenciali i të folurit dhe ky njeri jep imazhin e një njeriu që nuk ka besim te vetja, është pasiv, nuk është dominant, është gjysmë i fjetur ose deri aty sa ‘ai nuk është modeli për t’u ndjekur’. Për të pasur një të folur efektive, nuk mjafton gjithashtu vetëm i foluri. Nevojitet edhe koordinimi i të folurit me të parin. Pra, këtu futet edhe mimika e fytyrës, se sa e mbështet syri, gjuha e gjithë fytyrës këtë të folur. ‘Kush flet bukur me gojë, kjo është bukur, por nëse sytë e atij nuk e mbështesin atë që thuhet me gojë, sigurisht që nuk do të jetë aq bukur, aq e plotë’, sqarojnë specialistët. Dhe nevojiten disa orë praktike që të mësohet edhe ky element, sa i vogël, aq dhe i rëndësishëm njëkohësisht.

Tjetër gjë: Përpara se të japim mendimin tonë duhet të dimë dhe mendimin e tjetrit, të dimë të dëgjojmë. Për këtë qëllim i foluri duhet përpunuar, filtruar dhe mirë do të ishte që në vogëli.

Loading...

Lini nje pergjigje