Sherr në PS në Tropojë, socialistët përplasen me Ilir Beqajn për kreun e ri

0
135

Plas në degën e Partisë Socialiste në Tropojë. Zgjedhjet për kreun e PS në Tropojë janë futur në një amulli të pakthyeshme, pas konfliktit dhe tensionit në katër degë të tjera. Marrëdhëniet e PS së madhe dhe bazës socialiste janë acaruar, pasi strukturat drejtuese në degët e PS në rrethe akuzojnë Kryesinë për ndërhyrje dhe katapultim të emrave për kryetarë në 61 bashkitë e vendit, si dhe e akuzojnë se nuk po lejon që të zhvillohet një garë reale dhe transparente. Sherre, debate, konflikte, tension madje edhe grushte kanë shoqëruar dje procesin zgjedhor për kreun e ri të PS në Tropojë, procesi i cili u detyra të shtyhet për shkak të agravimit të situatës. Delegatët janë përleshur me njëri-tjetrin për emrat e dy kandidatëve për kryetarë; pjesë e këtij sherri është bërë edhe koordinatori i PS për Veriun, Ilir Beqaj. Sipas burimeve, një pjesë e delegatëve, që janë pranë Ilir Beqajt, e kanë akuzuar këtë të fundit se po përpiqet të vendosë njeriun e tij në krye të PS së Tropojës, duke zhvilluar një garë të kamufluar, fiktive vetëm dhe vetëm që këtë post ta marrë personi i tij më besnik. Mësohet se Ilir Beqaj së bashku me delegatët e tij janë përfshirë në një debat tejet të ashpër me pjesën tjetër të delegatëve, të cilët, të acaruar dhe të nervozuar nga situata, i akuzuan se ata nuk kanë ardhur për të bërë zgjedhje të ndershme, por për të parë se si po vendoset në krye të PS së Tropojës njeriu i tyre besnik. Gjithashtu, sipas burimeve, delegatët kundër Beqajt, i kërkuan atij dhe Kryesisë së madhe në Tiranë, që të rishikojnë emrat dhe të sjellin emra të tjerë, me integritet, dhe gara të zhvillohet në bazë të meritokracisë. Në sallën e mbledhjeve ndodhen 66 delegatë, ndërsa 40 prej tyre braktisën mbledhjen në shenjë proteste. Ilir Beqaj është përpjekur që të hyjë sërish në debat me delegatët e acaruar, për t’i qetësuar, se përzgjedhja e kandidatëve është bërë nga Kryesia në bazë të meritës, por ishte e kotë. Kundërshtarët ishin të bindur se ky proces zgjedhor nuk mund të vijojë nëse në “garë” do të jenë po këta individë. Ata kanë kërcënuar se, nëse kjo çështje nuk merret seriozisht, ata nuk do të marrin pjesë në zgjedhje për të votuar, duke futur në amulli procesin.

 

Zgjedhjet në degë të tjera

Teksa disa javë më parë u mbajtën zgjedhjet në shumë degë të PS, në disa prej tyre dështuan, sepse kandidatët humbën. Kështu ka ndodhur në Përmet, Vaun e Dejës, Malësi të Madhe dhe Kukës. Në Përmet fillimisht në garë ka qenë vetëm Adelina Stefani, e cila humbi bindshëm aq sa mori më shumë vota kundër se sa pro. Ishte një nga njerëzit e besuar të Kokëdhimës, ashtu siç thuhet, dhe mori vetëm 19 vota pro dhe 23 kundër, duke treguar se është e papëlqyer nga anëtarët e asamblesë socialiste në Përmet. Por zgjedhjet u përsëritën dhe kandidate ishte sërish një grua, e cila fitoi postin si kryetare e PS së degës Përmet. Ajo është Adelina Janollari. Në PS e Kukësit, zgjedhjet u zhvilluan me shumë vonesë për shkak të konflikteve të brendshme, dhe vetëm para pak ditëve u zhvilluan dhe fitoi Erion Duraku. Në Vaun e Dejës, fillimisht ishte kandidati i vetëm Sokol Shkreli që garoi, por edhe garën me vetveten e humbi. Por zgjedhjet u zhvilluan sërish dhe fitoi Kristian Shkreli. Ndërsa në krye të PS në Malësi të Madhe është zgjedhur Lulëzim Zaraj. 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here