Reforma, PD prezanton “formulën e kompromisit”

0
128

Partia Demokratike ka prezantuar këtë të premte propozimin për formulën e kompromisit për reformën në drejtësi, që në gjykimin e saj zgjidh plotësisht përzgjedhjen e 12 anëtarëve të komisionerëve të vetingut.

“Kjo është një formulë e dakordësuar dhe e aplikueshme edhe për institucionet e tjera, që garanton përmbylljen me sukses të procesit të përzgjedhjes së komisionerëve, në përputhje me paragrafin 88 të opinionit të Komisionit të Venecias”, ka deklaruar deputeti Oerd Bylykbashi, i cili ka publikuar hapat e kësaj formule.

Hapi 1 – Shpallen vakancat mbi bazën e kritereve kushtetuese e ligjore. Organi i parë që e shpall vakancën dhe mbledh kandidaturat është Presidenti i Republikës, por mund të jetë dhe Avokati i Popullit.

“Ky institucion do të shpallë 12 vakancat dhe do të presë aplikimet për mbushjen e tyre. Kriteret për aplikim parashikohen në Kushtetutë dhe ligj dhe janë të publikuara. Në përfundim të afatit, presidenti i përcjell dosjet e aplikimeve në Gjykatën Kushtetuese”, ka deklaruar Bylykbashi.

Sipas tij, Gjykata Kushtetuese ka të gjithë integritetin dhe kapacitetet për t’u bërë pjesë e këtij procesi.

Hapi 2 – Kreu i Gjykatës Kushtetuese do të përzgjedhë me short një panel prej 3 gjyqtarësh që do të bëjnë vlerësimin e kandidatëve. Shqyrtimi bëhet mbi prova dhe fakte dhe kandidatit i jepet mundësia të faktojë përmbushjen e kushteve dhe kritereve. Nëse një kandidat nuk plotëson kushtet, rrëzohet.

“Këtij paneli do t’i bashkangjiten përfaqësuesit e misionit ndërkombëtar të monitorimit, siç e parashikon Komisioni i Venecias. Ata do të kenë akses në të gjithë dokumentacionin dhe procesin”, ka saktësuar Bylykbashi.

Hapi 3 – Kur dikush është i pakënaqur me panelin prej 3 gjyqtarësh është e mundur të bëhet një ankim në Gjykatën Kushtetuese, në trupën prej 9 gjyqtarësh, që do të vendosë për pranimin e kësaj kërkese për rivlerësim të këtij vendimi të panelit.

“Numrat janë të tillë, janë 6 anëtarë të papërfshirë dhe është mundësia që vendimi i panelit të rrëzohet”, ka thënë Bylykbashi.

Ai ka shtuar se, në përfundim të procesit të shqyrtimit të kandidaturave, kryetari i Kushtetueses dërgon në Kuvend kandidatët e verifikuar dhe që plotësojnë të gjitha kriteret.

Hapi 4 – Përzgjedhja e kandidatëve nga Kuvendi. “Në propozimin tonë, kjo duhet të bëhet nga një komision parlamentar ad hoc, me 12 anëtarë, 6 anëtarë nga mazhoranca dhe 6 nga opozita. Ky komision do të zgjedhë pa debat 12 kandidaturat që do t’i paraqiten Kuvendit për miratim, me çdo anëtar që do të ketë vetëm një votë dhe votimi është i fshehtë dhe elektronik”, ka sqaruar Bylykbashi.

Sipas tij, votimi elektronik do të bëhet me qëllim për të garantuar që në fund të dalin 12 kandidatë. “Anëtarët e komisionit do të votojnë në të njëjtën kohë. Në fund të votimit, sistemi shfaq listën e kandidatëve të përzgjedhur”, nënvizon Bylykbashi.

Hapi 5 – Lista zyrtarizohet, nuk ka votim tjetër dhe për rrjedhojë bëhet gati për t’iu paraqitur Kuvendit për votim në seancë plenare. “Kuvendi bën votimin miratues ose refuzues për të gjithë listën. Pra, votimi i saj bëhet në bllok. Lista ose miratohet e tëra, ose rrëzohet e tëra”, sqaron deputeti demokrat.

Sipas propozimit, çdo deputet ka vetëm një votë dhe votimi bëhet me shumicë të cilësuar për t’i dhënë legjitimitet më të madh listës. “Kjo 12-she i ka të gjitha mundësitë që të votohet e miratohet nga Kuvendi”, vijon Bylykbashi.

Hapi 6 – Përsëritja e votimit. Nëse lista rrëzohet në votim, atëherë rifillon faza e përzgjedhjes nga komisioni (hapi 4) me të njëjtën listë kandidatësh, sipas hapit 3. Komisioni ad hoc përsërit procedurën e përzgjedhjes. Votimi i dytë apo i tretë kryhet me një mazhorancë më të ulët. Kjo garanton që procesi nuk bllokohet dhe nuk ka nevojë për mekanizëm të jashtëm zhbllokimi.

“Besojmë se kjo është një formulë që do të garantonte kompromis dhe më tepër se kaq një funksionim të shpejtë e të thjeshtë. Ka më shumë se dy javë që kjo formulë është paraqitur në kanalet e negocimit tek pala tjetër. deri më sot nuk ka patur asnjë argument thelbësor për ta kundërshtuar. Mazhoranca e kundërshton pa argumente. Në mungesë të vullnetit për të arritur një kompromis mund të gjenden batuta interesante për ta rrëzuar këtë propozim. Por duhet të shkojmë me shpejtësi drejt përfundimit të këtij procesi, ndryshe reforma nuk bëhet nga mazhoranca”, ka shtuar Bylykbashi.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here