Alarmi, për 18 kompani të mëdha nis së shpejti procedura e falimentimit

0
139

 

–  Deri tani ishin 35 debitorët e mëdhenj, por me përfshirjen e Kurumit në “klubin e të këqinjve” shifra shkoi në 36. Bankat kanë gati planin për goditjen e aseteve të tyre. Ato zotërojnë 65% të portofolit të borxhit të keq…

Ervin Kaduku

Qeveria rreh gjoksin për fitore imagjinare, që ka arritur me pagesën e borxheve të prapambetura të shtetit ndaj ndërmarrjeve private. Por të dhëna të reja nga sektori privat sjellin lajme aspak pozitive. Ndërkohë që bizneset janë paguar, ekonomia është gati të marrë një goditje të rëndë nga procedurat e falimentit, që pritet të fillojnë ndaj 18 kompanive të mëdha që operojnë në ekonominë e vendit, të huaja dhe vendase. 65% e totalit të portofolit të kredive me probleme zotërohej deri tani nga 35 kompani të mëdha, por mësohet se tani numri i këtyre kreditorëve ka shkuar në 36. Burime nga Banka e Shqipërisë pohojnë se në këtë listë së fundi është shtuar edhe firma Kurum International, e cila para disa muajve regjistroi në Gjykatën e Tiranës kërkesën për të shpallur falimentimin. Vetëm në bankat shqiptare Kurum rezulton të ketë 35 milionë euro detyrime. Të njëjtat burime pohojnë se për 50% të kompanive pritet të fillojë procedura e falimentimit, ndërsa nga i gjithë ky numër, tetë ndërmarrje janë në proces ristrukturimi.

Edhe pse riorganizimi i kompanive ka më shumë se shtatë muaj që ka filluar, ato nuk kanë dalë ende nga lista e kreditorëve të këqij, për shkak se pagesat e kësteve në bankat e nivelit të dytë duhet të jenë të rregullta përgjatë 1 viti e gjysmë. Fondi Monetar Ndërkombëtar është shprehur optimist se kjo strategji do të zgjidhet edhe nga ndryshimet e paketave ligjore që janë depozituar në Kuvend. Në artikullin e katërt për rishikimin e marrëveshjes për vitin 2016, FMN shprehet: “Autoritetet janë duke zbatuar një strategji gjithëpërfshirëse për të reduktuar kreditë me probleme. Plani integron edhe reforma në fushën e mbikëqyrjes, zbatimin rregullator, ristrukturimin e borxhit dhe falimentimit të shoqërive. Autoritetet kanë paraqitur tashmë ndryshime ligjore në Parlament për të mbrojtur kolateralin financiar dhe për të forcuar të drejtat e pronësisë mbi pasuri të patundshme. Janë ndryshuar rregullore për të lehtësuar marrjen e kredive të humbura dhe përshpejtimin e ekzekutimit të kolateralit. Është formuluar një plan veprimi për trajtimin e 35 mbajtësve më të mëdhenj të kredive me probleme (të cilat përbëjnë rreth 50% të NPL-ve). Duke shkuar përpara, strategjia parashikon uljen e NPL-ve përmes qartësimit të ligjit të falimentimit, si dhe ndryshimin e disa pjesëve të tjera të legjislacionit, si Kodin e Procedurës Civile dhe ligjet e Përmbarimit me qëllim rritjen e efikasitetit të procesit të zgjidhjes së kredive me probleme”.

Huatë e këqia

Ndërkohë, duket e pamundur që ekonomia shqiptare të shpëtojë nga handikapi i kredive që nuk kthehen. Huatë me probleme kanë shënuar një tjetër rritje në muajin prill, duke u ngjitur sërish në nivelin e 20%, sipas statistikave të publikuara nga Shoqata e Bankave. Në mars, ky tregues ishte 19.3%, ndërsa në dhjetor 2015 kishte zbritur në 18.2%, si rrjedhojë e një procesi të fshirjes së huave nga bilancet e bankave që kishim më shumë se 3 vjet që nuk ktheheshin. Pavarësisht se sistemi bankar fshiu rreth 23 miliardë lekë hua të humbura në vitin 2015 (sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë), kredi të tjera kanë kaluar në këtë kategori (huatë klasifikohen në të humbura kur vonesa e pagesës së principalit ose e interesave i kalon 365 ditë). Në prill, kjo kategori është rritur me 2.7 miliarë lekë, apo rreth 3%, sipas statistikave të Shoqatës së Bankave, duke dhënë ndikimin kryesor në përkeqësimin e treguesit të kredive me problem. Një pjesë e huave të dyshimta (181 deri në 365 ditë vonesë) kanë kaluar në prill si hua të humbura.

Në total, huatë e humbura, që nuk ka shumë shpresë të rikuperohen nga bankat ishin 60 miliardë lekë (430 milionë euro), apo 10.3% e totalit të stokut të kredisë të dhënë për bizneset e individët. Në dhjetor 2015, niveli i kredive të humbura ndaj totalit zbriti në 9.8%. Në një tjetër tregues se huaja me probleme mund të vazhdojë të rritet edhe më tej, huatë standard, ato të mirat fare, deri në 30 ditë vonesë, janë ulur ndjeshëm në prill, çka nëkupton që një pjesë e kredimarrësve kanë filluar të vonojnë këstet edhe më shumë se një muaj. Gjithsesi, nga 30 deri në 90 ditë, huatë kalojnë në ndjekje, por nuk kategorizohen ende si të këqija. Në fund të vitit të kaluar, ndonëse treguesi në total i kredisë me probleme po ulej, rritja e huave në ndjekje ishte sinjalizuesi i parë se ato të të përkeqësoheshin sërish.

====

Taksa mbi të ardhurat personale u merr shqiptarëve 15 milionë euro më shumë se vjet

 

Ndryshimi i mënyrës së taksimit të të ardhurave personale duket se ka rritur së tepërmi barrën e taksave. Të dhënat paraprake të treguesve fiskale të muajit maj tregojnë se të ardhurat nga kjo taksë janë realizuar në vlerën 2.1 miliardë lekëve më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë. Kjo është një shifër 15 milionë euro më e madhe se 12 muaj më parë. Kështu, nga 11.2 miliardë lekë që u mblodhën në mars 2015, në mars 2016 janë arkëtuar 13.3 miliardë lekë. Qeveria miratoi një politikë të re taksash sa u takon të ardhurave personale, kur hyri në fuqi taksimi progresiv. Sipas ligjit të ri të gjithë ata që kanë të ardhura nga paga deri në 90 mijë lekë në muaj paguajnë më pak taksa në shtet nga sa paguanin deri në 31 dhjetor të vitit 2013. Të ardhurat personale që tatohen mund të kategorizohen në nëngrupe: TAP mbi të ardhurat nga paga në sektor publik dhe sektor privat; TAP nga interesat bankare; TAP nga dividendët; TAP nga shitja e pasurive të paluajtshme dhe TAP për burime të tjera të ardhurash. Të ardhurat që vijnë nga tatimi mbi pagat zënë peshën kryesore, në rreth 60%, sa i takon strukturës së vlerave të tatimit të të ardhurave personale.

Aktualisht formula e tatimit progresiv mbi pagën konsiston tani në tri shkallë:

1­ Të ardhurat nga pagat nga 0 deri në 30 mijë lekë në muaj, tatohen me zero përqind, pra mbeten të përjashtuar nga tatimi mbi të ardhurat personale;

2­ Të ardhurat pagat nga 30 mijë lekë/muaji deri në 130 mijë lekë/muaji, tatohen me 13% të diferencës midis pagës me pragun 30 mijë lekë/muaji;

3­ Të ardhurat nga paga mbi 130 mijë lekë/muaji tatohen me 13,000 lekë plus 23% e diferencës së pagës me 130 mijë lekë.

 

Vijojnë gjobat

Ndërkohë, pavarësisht nga ankesat e bizneseve, tatimorët vijojnë praktikat e tyre kundër-rezultative për rritjen e të ardhurave në mënyrë abuzive. Bizneset e reja që janë regjistruar gjatë 2015-2016, po ankohen se janë gjobitur nga Drejtoritë rajonale të tatimeve me nga 10 mijë lekë gjobë për vonesa në deklaratën e regjistrimit të administratorit. Ligji për sigurimet shoqërore detyron bizneset e reja që të deklarojnë në tatime administratorin për efekt sigurimesh 48 orë nga marrja e NIPT-it. Ndërkohë bizneset ankohen se ky kufizim në kohë që është shndërruar në burim gjobash nuk është normal. Ata pohojnë se dy ditë ose më shumë kërkon regjistrimi në QKR dhe dy tre ditë në tatime aktivizimi online, kohë e cila ka kaluar afatet e regjistrimit te deklarimit për shtim punonjësish për herë të parë. Bizneset e reja të regjistruara në këtë periudhë ishin rreth 38 mijë.

Por, Drejtoria e Përgjithshme Tatimeve apelon që jo çdo penalistët që marrin bizneset është për faj të tatimeve. Erion Prifti, drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve ndaj Tatimpaguesit, pohoi se edhe në këtë rast si çdo herë tatimet kanë zbatuar ligjin i cili e ka shumë mirë të rregulluar regjistrimin e biznesit dhe deklarimin e administratorit, rishtaz. Prifti tha se teknikisht me marrjen e NIPT-it sistemi online i tatimeve e regjistron automatikisht pa pasur nevojë për dy apo tre ditë. Mirëpo bizneset që regjistrohen për herë të parë tha ai nuk i njohin ligjet dhe rregullat dhe për tepër regjistrimin online. Mirëpo tatimet edhe në këtë rast e kanë zgjidhur ngërçin tha Prifti. Në faqen zyrtare të tatimeve (ëëë.tatime.gov.al) janë mbi 20 numra kontakti, me të cilat bizneset e reja konsultohen se si të regjistrohen.

Prifti tha se në këtë rast tatimet janë vetëm agjenti i Sigurimeve shoqërore dhe zbaton ligjin përkatës, duke ju bërë thirrje bizneseve të lexojnë ligjet dhe të konsultohen me zyrën e tatimpaguesit para se të nisin një biznes me qëllim që të shmangin gabimet e për rrjedhojë edhe penalitet.

Ndërkohë një ekonomist që mban llogaritë e 15 bizneseve të vogla pa TVSH dhe që ka një eksperiencë të gjatë me tatimet dhe regjistrimin në QKR, pohon se njoftimet për marrjen e gjobës i kanë ardhur me 1 vit vonesë. Të gjitha bizneset që ia ka regjistruar janë gjobitur me 10.000 lekë të reja për vonesa ne deklarim te sigurimeve shoqërore në vitin 2015 në muaj të ndryshëm.

=

Investimet e huaja largohen, qeveria shtrëngon kriteret

 

Në vend që të lehtësojë politikat ndaj investitorëve të huaj që kuturisin të hedhin kapitalet e tyre në vendin tonë, në një kohë kur investimet e huaja direkte, sipas Bankës së Shqipërisë, kanë shënuar një rënie në masën 42 për qind krahasuar me një vit më parë, qeveria ka zgjedhur një rrugë të kundërt me ato, që ndjekin vendet e rajonit. Qeveria ka forcuar kriteret për pajisjen me leje të përhershme qëndrimi për biznesmenët e huaj që investojnë në Shqipëri. Në mbledhjen e fundit, Këshilli i Ministrave ka miratuar një projektligj, i cili ndryshon ligjin ekzistues për të huajt. Sipas draftit, një biznesmen i huaj mund ta përfitojë lejen e përhershme të qëndrimit në Shqipëri vetëm nëse ka investuar të paktën dy milionë euro dhe ka hapur minimalisht 100 vende të reja pune. Në ligjin ekzistues, shuma e kërkuar e investimit është një milion euro, ndërsa numri i vendeve të punës vetëm 10 vetë. Por, ndërsa shtrëngon kërkesat për lejen e përhershme të qëndrimit që u jepet biznesmenëve, drafti e bën më të lehtë për kompanitë e huaja që kanë kryer investime në Shqipëri të transferojnë staf nga jashtë, duke shkurtuar kohën dhe procedurat për marrjen e lejeve. Kjo lehtëson marrjen e të huajve në punë në Shqipëri, por nuk lehtëson punësimin e shqiptarëve, që qeveria duhet ta konsiderojë si detyrën e saj numër 1.

——–

FMN: Nuk ka panik nga dalja e Britanisë nga Bashkimi Evropian

 

Tregjet financiarë e kanë nënvlerësuar shumë rezultatin e referendumit në Britani për daljen nga Bashkimi Europian, thotë Kreu i Fondit Monetar Ndërkombëtar, Christine Lagarde. Ajo tha se bankierët qendrorë e kanë bërë “punën e tyre” duke ofruar likuiditetin e bollshëm dhe shtoi se politikëbërësit kanë risiguruar pjesëmarrësit e tregjeve se situata është nën kontroll. “Ndodhi një lëvizje e menjëhershme dhe e ashpër ndërkohë që paundi ra me 10%. Megjithatë nuk kishte panik dhe bankierët qendrorë, e kryen punën që ishin të përgatitur për ta bërë, duke vendosur likuiditet të tepërt në tregje”, tha kreu i Fondit Monetar Ndërkombëtar. Sipas saj, nuk kishte ndonjë problem me likuiditetin gjatë ditës së premte të ngjashëm me problemet e ndodhura në vitin 2008.

Megjithatë, Lagarde tha se mënyra se si tregjet do të vazhdojnë të reagojnë do të varet nga masat që Britania dhe politikëbërësit e Bashkimit Europian do të ndjekin për proçesin e daljes. “Tashmë, politikëbërësit, si në Britani edhe në Europë, po mbajnë në duart e tyre një nivel paqartësie. Mënyra se si do ta manaxhojnë situatën do të shërbejë si udhërrëfyes për drejtimin e investitorëve”, tha Lagarde. Ajo shtoi se politikëbërësit dhe institucionet shumëkombëshe duhet të bashkëpunojnë për t’i bërë ballë ndikimeve të Brexit dhe theksoi se vetëm Britania mund të ndërmarrë procedurat formale të “divorcit”. “Ne po inkurajojmë mbarëvajtjen e këtij tranzicioni në mënyrën më efiçente dhe të parashikueshme, në mënyrë që të reduktojnë nivelin e paqartësive që do të përcaktojë dhe nivelin e rreziqeve”, tha Christine Lagarde.

Rënie e ndjeshme e paundit

Ndërkohë, monedha britanike ka shënuar sërish një rënie të fortë gjatë ditës së djeshme në tregun vendas, pas zhvlerësimit më të madh ditor historik që pësoi të premten. Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, një paund u këmbye me 165.15 lekë, 6.78 lekë më pak se të premten. Kjo është tkurrja e dytë radhazi, pasi paundi në tregun vendas ra me 8.05 lekë të premten, kur rezultatet e referendumit treguan se 52% e britanikëve kishin votuar për të dalë nga BE, duke tronditur tregjet dhe duke bërë që paundi në bursa të arrinte nivelet më të ulëta në 30 vite ndaj dollarit. Pasiguria në tregje bëri që zhvlerësimi i paundit të vazhdonte edhe sot në bursa, ndonëse me ritme më të lehta. Ky është niveli më i ulët në tregun shqiptar që nga gushti 2013, kur një paund u këmbye me 164 lekë.

Ndryshe nga e premtja, kur euro rezistoi, gjatë ditës së djeshme në tregun e brendshëm është zhvlerësuar ndjeshëm edhe euro, që ka zbritur në 137.14 lekë, 0.69 lekë më pak se në fund të javës së kaluar. Ai që ka fituar nga gjithë kjo situatë është dollari, i cili është ngjitur në kuotën e 124 lekëvë, duke vijuar forcimin e nisur që të premten. Në bursat ndërkombëtare pasiguria vijon të mbetet e lartë dhe të paktën në afatin e shkurtër pritet që monedha britanike të qëndrojë e nënçmuar.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here