Rrëfim prekës nga Memushaj: Nga udhëtimi me gomone tek shkëlqimi në Euro 2016

0
124

Ledian Memushaj ishte pa diskutim “zbulimi” i Shqipërisë në Europian. Të gjithë e vlerësonin, por askush nuk e kishte pritur që do të merrte “spaletat” e liderit dhe do të bënte diferencën kundër Francës e Rumanisë. Vlonjati tregoi karakterin e “labit” kokëfortë, të padorëzuar dhe luftarak deri në sekondën e fundit, duke u përfshirë edhe në formacionin më të mirë të ndeshjeve të treta në kompeticionin kontinental.

Por 29-vjeçari i sapongjitur në Serinë A të Italisë, ku mban shiritin e kapitenit te Peskara, ka përshkuar një rrugë me shumë mundime. Mes trazirave në vitin 1997, ishte vetëm një fëmijë kur hipi në një gomone të nisur nga Vlora, për të emigruar në Itali. Atje ku e priste i ati, një punëtor krahu, që sakrifikonte për të ardhmen e dy djemve. Por besimi që pati se Lediani do të bëhej futbollist, u kurorëzua me germa të arta më 22 qershor, kur parakaloi si hero në rrugët e kryeqytetit të shqiptarëve, Tiranës. Në një rrëfim për “Panorama Sport”, Memushaj zbulon sakrificat dhe sukseset e karrierës…

E kishit imagjinuar se një ditë do të priteshit në mënyrë të tillë në Shqipëri?

Të them të drejtën, nuk e kisha imagjinuar. Ishte një pritje e mrekullueshme. Shumë emocionuese. Njerëzit që kishin dalë në rrugë për të na përshëndetur. Na priti kryeministri dhe politikanë të tjerë. E pabesueshme çdo gjë.

I njihnit të gjithë politikanët e tjerë që ju pritën?

(Qesh) Nuk i kisha takuar asnjëherë më parë, por si emra i njihja. Ndërsa kryeministrin e kisha takuar edhe disa herë të tjera.

Ju nuk jeni një personazh shumë “i eksploruar” nga media. Le të flasim pak për jetën tuaj. Ku keni lindur?

Në Vlorë dhe kam jetuar deri në moshë të vogël. Pastaj ika në Itali.

Kur ikët?

Jam nisur në vitin 1997. Për shkak të trazirave të asaj kohe.

Me çfarë ikët?

Kam ikur me gomone. Kam qenë i vogël, por ashtu ishte koha në atë periudhë. Babai im kishte ikur më parë në Itali dhe iu bashkuam atij.

Ku qëndruat në fillim?

Kemi jetuar në Kremona. Babi im punonte aty. Në ndërtim, si të gjithë shqiptarët.

Si nisi karriera juaj si futbollist?

Unë kisha luajtur futboll kur isha në Vlorë, por shumë pak. Ka qenë një periudhë e shkurtër dhe mësime të thjeshta. Pak kohë pasi erdha në Itali, u futa në një ekip futbolli. Aty e nisa, në Kremona. Vazhdova të luaj edhe në Specia, një qytet ku lëvizëm më vonë, për shkak të punës së babit.

Cili ka qenë pozicioni i parë në fushë?

Kam luajtur si sulmues. Ka zgjatur rreth 2 apo 3 vite. Më pas u aktivizova si mesfushor qendre dhe e vazhdoj deri sot.

Ka qenë e vështirë për ju që të përshtateshit në Itali?

Të them të drejtën, më kanë ndihmuar shumë trajnerët e futbollit që kam pasur kur isha i vogël. Më shikonin si emigrant, si të huaj dhe u vinte keq. Më mbanin afër dhe me të vërtetë që më kanë lehtësuar përshtatjen. Më kanë dashur, se edhe unë nuk kam qenë fëmijë problematik.

E mbani mend kontratën tuaj të parë si profesionist?

Kam luajtur me Sarzanezen, klubin ku kam qenë edhe me të rinjtë. Kam luajtur me ta në kategorinë e katërt.

Sa ka qenë shifra?

E vogël ka qenë. Mbaj mend që ishte 35 mijë euro në sezon.

Keni luajtur për 5 vite me Sarzanezen. Nuk keni pasur interesime nga klube të tjera, për të hedhur një hap më të rëndësishëm?

Kam vuajtur shumë në atë periudhë. Kam pasur probleme me dokumentet dhe nuk arrija dot që të transferohesha tek ekipet e tjera, pavarësisht se vinin dhe më kërkonin.

Çfarë problemesh?

Për futbollistët italianë, kur federoheshe me një klub në kategorinë e katërt, rregullorja parashikon që deri në moshën 25-vjeçare, nëse një klub tjetër të kërkon, duhet të paguajë për kartonin tënd. Sa herë që një ekip më kontaktonte, nga Kategoria e tretë, klubi më cilësonte si italian dhe kërkonte para. Por nëse dikush ishte i gatshëm t’i paguante, atëherë më klasifikonin si shqiptar dhe më cilësonin si ekstrakomunitar. Ka qenë një periudhë shumë e vështirë. U kam kërkuar disa herë që të qartësonin pozicionin për mua. Isha edhe italian, edhe shqiptar sipas tyre, sipas interesit që kishin. Për këtë arsye, jam detyruar të luaj deri në moshën 22-vjeçare me këtë ekip. Më pas, kalova në një klub tjetër, në të njëjtën kategori, Vale D’Aosta.

Kur ishte momenti që hodhët një hap të rëndësishëm në karrierë?

Në vitin 2009, më mori klubi i Paganenses, që luante në Kategorinë e tretë. Ishim dakord që të luaja për ta, por kur morën vesh që kisha ato problemet me dokumentacionet dhe isha ekstra-komunitar, më thanë që të largohesha. Nuk donin të më mbanin. Të them të drejtën, u demoralizova shumë. Më dukej sikur çdo mundësi që më krijohej, nuk do të realizohej kurrë. U mërzita jashtë mase. Por ato javë që po bëhesha gati të largohesha nga Paganense, më njoftuan se do të merrja pasaportën italiane. Ishte një kthesë e madhe. U federova menjëherë me Paganensen dhe u bëra titullar që në fillim.

Vetëm pas një viti, u bletë nga Kievo…

Akoma nuk i kisha mbushur 24 vjeç në atë kohë dhe mendoj se isha shumë i ri për të kuptuar se si funksionin gjërat. Më kërkuan disa klube të Serisë B, por nuk u mendova dy herë kur më thanë për Kievon që luante në Serinë A. Disa orë pasi firmosa zyrtarisht, më njoftuan se do të huazohesha. U mërzita dhe i pyeta, pse më blen kur kishin menduar të më çonin në një ekip tjetër?! Por e vërteta është se drejtori sportiv i Kievos në atë kohë, e kishte praktikë punë, që afronte futbollistë të rinj dhe i huazonte menjëherë. Klubi i kishte idetë e qarta se te cilët lojtarë do të investonte që t’u jepte besim në fushë dhe nuk bënte pothuajse asnjë përjashtim.

Nuk ju dha asnjë mundësi te Kievo?

Ua kërkova drejtuesve. Doja që thjesht të më provonin se sa vleja. Unë e pashë ekipin dhe isha i bindur që mund të jepja më tepër, sesa disa që ishin titullarë. Më aktivizuan disa ndeshje në Kupën e Italisë dhe sinqerisht që kam luajtur shumë mirë. Nuk dua të gjej justifikime, pasi gjithmonë kam fajësuar veten nëse dikush nuk më ka vlerësuar, por te Kievo besoj se ishin të gjitha gjërat të paracaktuara. Klubi nuk më kishte në plane. Ishin të vendosur ata që do të luanin…

Si vazhdoi më pas karriera juaj?

U huazova te Portoguraro për pjesën e dytë të sezonit dhe verën e një viti më vonë firmosa me Karpin. Pastaj me Leçen dhe më vonë te Peskara, ku edhe jam aktualisht. Gjithmonë kam luajtur titullar. Pas asaj që përjetova te Kievo, kam bërë zgjedhje të ekipeve që e dija se më vlerësonin vërtet.

Te Peskara ju kanë dhënë shiritin e kapitenit dhe vitin tjetër do të jeni në Serinë A. Por pas paraqitjes së shkëlqyer në Europian, emri juaj është përfolur si dëshirë e ekipeve të rëndësishme në Itali. Mund të largoheni?

Të them të drejtën, nuk dua të largohem. Klubi dhe tifozët më duan shumë te Peskara. Më dhanë edhe shiritin e kapitenit. Sapo u ngjitëm në Serinë A dhe dua ta përjetoj me ta këtë eksperiencë.

Shoku juaj i ekipit, Lapadula, sapo ka firmosur me Milanin. Mendoni se do të shkëlqejë me gjigantët e Italisë?

Kur e pashë për herë të parë në stërvitje, thashë me vete “ky nuk është i aftë as për Serinë B”. Por ai është një njeri me një ego të jashtëzakonshme. Ka “uri” për t’u përmirësuar gjatë gjithë kohës. Stërvitet në mënyrë të jashtëzakonshme. Ka shumë ambicie dhe me kalimin e kohës e rriti shumë nivelin e tij. Duke e ditur ambicien që ka, mendoj se do të shkëlqejë edhe te Milani.

Të flasim pak për Kombëtaren. Kush ju kontaktoi për herë të parë?

Për herë të parë kam ardhur në kohën e Kuzhesë, në një ndeshje me Maqedoninë.

Po besimin e De Biazit si e fituat?

Mendoj se merita më e madhe i takon Paolo Tramexanit. Ai vinte shpeshherë dhe ndiqte ndeshjet e mia. Më kontaktoi dhe bëri të mundur që të isha në planet e trajnerit De Biazi. Ndihem me fat që arrita të jem pjesë e formacionit në Europian, pasi e dija shumë mirë që rivaliteti ishte i lartë.

Ju ishit pikë referimi në dy ndeshjet kundër Francës dhe Rumanisë, në lojën e Shqipërisë. Cilat kanë qenë këshillat e De Biazit?

Kur e kam pyetur ndonjëherë, se çfarë duhet të bëj, ai më ka thënë: “Ti e di vetë shumë mirë se çfarë duhet të bësh”. Në fakt, unë kam luajtur në të njëjtin pozicion si te Peskara dhe nuk kam pasur ndonjë gjë specifike.

Pra, nuk keni pasur detyra ekstra në Europian?

Po, po. Më ka thënë që të mbaja topin në zotërim, të vrapoja i vetëm drejt zonës kundërshtare, të jepja topa “të infiltruar” për Sadikun. Sigurisht që ka pasur edhe këshilla. Por të them të drejtën, në Europian motivimi nuk është në dorën e trajnerit.

Pse?

Të gjithë lojtarët, por sidomos unë, e kam parë si një mundësi të shkëlqyer për të treguar vlerat e vërteta. Kam luajtur disa herë të tjera me Shqipërinë, por për shkak të rezultatit të ndeshjes, apo kundërshtarit që kemi pasur përballë, nuk është se kam tërhequr vëmendjen. Kurse në Europian, u mundova të jap maksimumin tim.

Dhe ia dolët të binit në sy…

Më vjen vërtet mirë që kam marrë përgëzime. Por dua të theksoj se unë kam luajtur gjithmonë kështu. Thjesht kampionati europian bën që të të shikojnë më shumë njerëz.

Jeni i zhgënjyer nga eliminimi?

Shumë. Vërtet nuk e kam kaluar akoma mërzitjen. Nuk patëm fat që të vazhdonim. Shikoj këto ndeshjet që po luhen tani, për raundin tjetër, dhe e vuaj. Duhej të ishim në vendin e tyre. E merituam kualifikimin.

Çfarë mund të ishte bërë mirë?

Shiko, unë e kam parim, që nuk duhet të ankohemi për të tjerët, por të shikojmë veten tonë. Nëse do të kishim qenë më të saktë para portës me Zvicrën, ose të kishim ruajtur barazimin me Francën në minutat e fundit, do të kishim pasur më tepër mundësi për t’u kualifikuar. Pra, edhe ne mund të kishim bërë më mirë. Por nuk duhet harruar se në ato ndeshje, edhe kundërshtarët tanë kanë humbur raste për shënim.

Kush është miku juaj më i mirë në Kombëtare?

Gjatë kohës së fundit, ku kemi qëndruar më shumë me njëri-tjetrin, kam qenë i afërt me Roshin, Sadikun, Lilën. Edhe me Migjen Bashën. Gjithsesi, ne kemi një grup shumë të mirë, me djem vërtet të shkëlqyer.

Eliminatoret e Kupës së Botës 2018 nuk janë shumë larg. A mund t’ia dalë ky grup kundër rivalëve si Spanja apo Italia?

Nuk ka asgjë të pamundur në futboll. Ne jemi një ekip shumë i fortë. E besoj vërtet këtë. Por në eliminatore apo në ndeshje të tilla ndikon edhe fati. Nëse do të ndihmohemi prej fatit, gjithçka mund të ndodhë. Mbase, paraqitja në Europian do t’i ndihmojë lojtarët tanë që të transferohen në klube akoma të prestigjioze dhe do të jenë akoma më në formë të mirë fizike.

Për ta mbyllur, me aq sa keni parë ju, cila e fiton Europianin?

Gjermania…/ panorama

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here