Dokumentat dhe rregullat/ Provimet e shtetit për mësuesit nisin në korrik

0

Në 3 javët e para të muajit korrikut  kandidatët do t’i nënshtrohen provimit sipas rregullave të përcaktuara nga agjencia

 

Sejrie Baleta

 

 

Agjencia Kombëtare e Provimeve publikon datat e nisjes së provimeve për të gjithë kandidatët aplikantë për profesionin e mësuesit. Sipas AKP-së, provimet do të zhvillohen tri javët e para të muajit korrik, çka do të thotë se që në fillim të këtij muaji të gjithë mësuesit e rinj do t’i nënshtrohen provimit për të fituar të drejtën e ushtrimit të profesionit. Ata do të pajisen me licencën e ushtrimit të profesionit vetëm pasi të kenë marrë notë kaluese në provimin e shtetit. Provimet do të zgjasin 3 javë dhe kandidatët do t’i nënshtrohen provimit sipas rregullave të përcaktuara nga agjencia. “Provimi i shtetit për profesionin e rregulluar të mësuesit do të zhvillohet gjatë tri javëve të para të muajit korrik; Provimi i shtetit do të zhvillohet në godinën e Agjencisë Kombëtare të Provimeve”, thuhet në njoftimin e publikuar nga AKP-ja. Veç kësaj agjencia ka publikuar edhe dokumentet që kandidatët aplikantë duhet të kenë me vete ditën e provimit. Fillimisht të gjithë kandidatët duhet të paraqiten pranë zyrave të AKP-së ditën e provimit 30 minuta para nisjes së tij. Gjithashtu është e nevojshme që ata të marrin me vete një mjet identifikimi apo edhe faturën e pagesës së tarifës së provimit të shtetit. “Ditën e provimit kandidati duhet të jetë i pajisur me: letërnjoftim, kartë ID ose pasaportë për pjesëmarrje në provimin e shtetit (dokumenti origjinal); kopje të Kartë ID ose Pasaportë; faturën e pagesës së tarifës së provimit të shtetit për llogari të AKP në një bankë të nivelit të dytë apo postë, sipas faturës për arkëtim të publikuar në faqen zyrtare të AKP; në rast ndryshimi të mbiemrit, kandidati të paraqesë certifikatën përkatëse që vërteton këtë ndryshim”, sqarohet në njoftimin e Agjencisë së Provimeve. Mirëpo, ka edhe një sërë rregullash që duhen zbatuar nga kandidatët. Ndalohet mbajtja e celularëve, por edhe komunikimi me njëri-tjetrin, pasi kjo do t’i penalizonte menjëherë. “Për paraqitjen në qendrat e provimit kandidati duhet të ketë parasysh këto rregulla: ndalohet marrja me vete dhe përdorimi i celularëve dhe mjeteve të tjera të komunikimit gjatë zhvillimit të provimit, pasi kjo vlerësohet si kriter skualifikimi; ndalohet duhani dhe konsumimi i ushqimit në mjediset e provimit; ndalohet komunikimi gjatë zhvillimit të provimit”, theksohet në njoftim e Agjencisë Kombëtare të Provimeve. Të gjithë kandidatët duhet të verifikojnë paraprakisht të dhënat e tyre personale, pasi në rast gabimi ata nuk do të lejohen që të futen në provim. Në momentin që bëhet fjalë për gabime, duhet të njoftohet para se të nisë provimi. Për kandidatët, të cilët nuk do të arrijnë që të marrin provimin, do të kenë mundësi që ta japin edhe në muajt nëntor dhe dhjetor të këtij viti. Në javën e tretë të nëntorit deri në javën e parë të muajit dhjetor, AKP ka përcaktuar një tjetër sezon për këta kandidatë për të dhënë provimin e shtetit. Për të kaluar testin, një mësues duhet të marrë 50 pikë, nga 100 të mundshme. Në rast se nuk marrin provimin e shtetit, mësuesit nuk kanë të drejtë që të ushtrojnë profesionin e tyre.

Lini nje pergjigje