Ankohen prokurorët: Policia shkencore zvarrit dosjet hetimore

0
139

Plot 22 prokurori rrethesh, bashkë me Krimet e Rënda ngrenë shqetësimin se po vonohen në shqyrtimin e dosjeve hetimore për shkak të Policisë Shkencore dhe Institutit të Mjekësisë Ligjore, të cilat gjatë ekspertimeve shkaktojnë zvarritje të hetimeve, e për pasojë, edhe mbajtje në paraburgim të të dyshuarve për një kohë të gjatë.

Kjo situatë është bërë shkak që disa herë, Prokurori i Përgjithshëm dhe kryeprokurorët e rretheve të kërkojnë zhbllokim e saj, e cila shikohet e rënduar që prej vitit 2014. Një burim i tha Top Channel se, paraqiten problematike ekspertimet kimike të lëndëve narkotike, që vonohen përtej afatit deri në 9 muaj.

Prokuroria e Beratit dhe ajo e Pogradecit, përveç këtij shqetësimi, vijojnë të mos kenë ekspertë topografikë dhe autoteknikë.

Ndërkohë në Prokurorinë më të madhe, në Tiranë, prokurorët po hasin në vështirësi për ekspertimet kompjuterike për vepra të tilla si “mashtrimi kompjuterik”, “ndërhyrja në të dhënat kompjuterike”, “hyrja e paautorizuar kompjuterike” dhe “pornografia”, pasi për pjesën më të madhe të këtyre çështjeve, marrja e këtyre provave është përcaktuese për të arritur në konkluzione hetimore.

Aktualisht një ndër çështjet “pikante” është zbulimi i një aparature në paradhomën e ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, e cila është përcjellë për ekspertizë pranë Policisë Shkencore, por ende nuk ka një përgjigje, apo ekspertiza ndaj kompjuterave të bllokuar për pajisjen “IMSI Catcher” apo edhe këqyrja e kamerave të sigurisë në rrugët e kryeqytetit për dosjen “Shullazi”. /TCH/

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here