Edukimi në “udhën e ujqërve”

0
183

Nga Dr. Albano Zhapaj

————————————————————————————————————————

Nuk është ndonjë gjetje e madhe, sot, të thuash se arsimi shqiptar, në këto tre vitet e fundit, e ka shkelur, kaluar dhe tejkaluar vizën e kuqe, dhe është kthyer në mall fitimprurës për klane të caktuara pushtetarësh dhe privatësh të lidhur me pushtetin.

Edukimi i grupmoshave parashkollore, ai i çerdheve dhe i kopshteve, ka qenë gjithmonë i konsideruar si i “shenjtë” si nga procesi, ashtu edhe nga përmbajtja, aq sa gjithë shoqëria ka mbetur e shokuar nga pamjet e dhunës së ushtruar mbi vogëlushin tre vjeçar, dhe gjithkush është revoltuar, duke sharë e mallkuar dhunuesen, në të gjitha format dhe mënyrat. Për të qenë korrekt dhunuesja nuk ishte një edukatore, por ato edukatore që ishin, zëre se nuk ishin.

Pëfundimisht mund të jemi të gjithë dakord, se vija e kuqe e edukimit të fëmijëve u shkel, dhe analiza që duhet të bëjmë, është se deri ku fenomeni është i shtrirë në sistem, pasi nga komentuesit e shumtë në rrjetet sociale, po dalin raste të tjerë nga prindër fëmijësh të dhunuar. Ky është tregues i qartë se në këtë vend, mbas shkatërrimit të arsimit të mesëm dhe atij të lartë, edhe edukimi parashkollor ka marrë “udhën e ujqërve”, siç e thotë populli në fjalën e urtë.

Ç`është edukimi?

Edukimi nuk është thjesht arsimim, pasi ai lidhet ngushtë me ato aktivitete, që në periudha të ndryshme historike të ndikuar nga kultura të ndryshme, kanë për qëllim rritjen, zhvillimin dhe transmetimin e njohurive dhe aftësive mendore, sociale dhe sjelljen e njeriut.

Fjala “Edukim” vjen nga folja latine “Educere”  që e shqipëruar do ishte “të nxjerrësh jashtë”, ose të “sjellësh në dritë” atë që është brenda një njeriu, pra aftësitë e tij, talentin, dhuntitë që mund të ketë, apo ato cilësi të tjera që përveç se sociale, mund të jenë edhe individuale.

Ndërkohë që edukatori është personi i formuar dhe përgjegjës, që shoqëron fëmijën në këtë proces, përgjatë gjithë fazës së nevojshme të përgjegjësisë së tij. Është thelbësore dhe duhet theksuar se edukatori përveç armatosjes me dije, duhet patjetër të jetë i armatosur me përgjegjshmëri, me  dashuri të vërtetë për profesionin dhe fëmijët, dhe me vëmendje personale për secilin prej fëmijëve, për të krijuar një ambient që favorizon rrijten e shëndetshme të fëmijëve, edukimin dhe socializmin e tyre mes njëri tjetrit, në pritje për të kaluar në fazat më të larta të edukimit dhe arsimimit, e më vonë për tu bërë pjesëtarë të denjë e të vlefshëm për shoqërinë.

Edukimi në këtë këndvështrim, me sa u pa në videon e emisionit “Stop”, ka dështuar, është kthyer në arsimim, biznes fitimprurës, duke u mbështetur vetëm në përmbylljen e detyrimeve institucionale përkundrejt fazave e proceseve moshore e ligjore të parashikuara nga ligji.

Kush mund të quhet edukator?

Misioni i edukatorit është sa i rëndësishëm aq edhe delikat. Janë edukatorët, ata të cilët hedhin bazat mbi formimin e fëmijës, njeriut, pjesëtarit të ardhshëm të shoqërisë sonë demokratike. Për këto arsye edukatorët, sot më shumë se kurrë, duhet të bëhen përgjegjës të procesit edukativ, pasi efektet e nesërme jo të kënaqshme, mund të rezultojnë rrjedhojë e një procesi edukativ jo efikas të sotëm.

Çdo fëmijë ka mënyrën dhe format e tij mendore, organizuese dhe konceptuese të të njohurit të realitetit. Për këtë arsye edukatori duhet të jetë një njeri i mirëshkolluar dhe të jetë në gjendje të njohë mirë fëmijët dhe psikologjinë e tyre moshore, me të përbashkëtat dhe të veçantat e tyre,  të jetë në gjendje organizojë dijen, procesin edukativ dhe komunikimin “edukator-fëmijë”.

Komunikimin me fëmijët, edukatori duhet ta kuptojë dhe zhvillojë, jo thjesht si transmetim të dijes nga vetë edukatori tek fëmija, por duhet ta zhvillojë e kuptojë si komunikim të dyanshëm me fëmijën, si bashkëbisedim, aktivizim dhe pjesëmarrje të fëmijës në procesin edukativ e parashkollor. Askush nuk mund të improvizohet edukator, në qoftë se nuk është i pajisur me dijet e nevojshme, të certifikuara, të shkencës së pedagogjisë, pasi pedagogjia është ajo që pregatit formimin e edukatorit, si person njerëzor në tërësi, por edhe në zemër, shpirt dhe vullnet, dhe jo vetëm intelekt. Pedagogjia është ajo që mëson se si edukatori të respektojë aftësinë e fëmijëve në nivele të ndryshme të zhvillimit të tyre, ku i tërë procesi zhvillohet në një ambient edukativ të një vëmendjeje, respekti dhe besimi të veçantë, në të cilin të gjithë mund të përballojë ndershmërisht angazhimin shpesh të lodhshëm, atë të të qenit njerëz për të tjerët.

Edukatori nuk mund të ndalet kurrsesi vetëm mbi fëmijën që ja dorëzojnë tek dera e kopshtit, por duhet të njohë edhe situatën familjare të fëmijëve që ai ka nën përgjegjësinë e tij, në mënyrë që të gjejë mënyra trajtimi pedagogjike të përshtatshme për fëmijën. Edukatori duhet të jetë një njeri i durueshëm dhe të dijë t`i kalojë disa  gabime të fëmijës, kur mendon se ekzistojnë këto gabime, dhe të shtyjë për më vonë një qortim të mundshëm, deri në momentin psikologjikisht më të përshtatshëm . Të jetë më i gatshëm në lëvdatat se sa në sharjet, dhe nëse duhet të qortojë ta bëjë pa ashpërsi. E gjitha kjo do të favorizohet nga një klimë miqësore e ushqyer nga këshilla modeste.

Kush e ka të drejtën të ketë një institucion edukativ?

Një godinë kopshti, jo gjithmonë mund të jetë një ambient edukativ, ashtu si një godinë shkollë apo universiteti nuk mund të jetë gjithmonë një ambient arsimor apo akademik.

Situata ekonomike e sociale që po kalon Shqipëria, këtu e 25 vjet, ka bërë që shumë familje, ta përqëndrojnë vëmendjen e tyre tek sigurimi i bazave të nevojshme ekonomike të familjes, dhe në shumë raste i`a besojnë fëmijët e tyre, institucioneve arsimore private, ndonjëherë më tepër për faktin se aty brenda i kanë më të sigurtë, se sa për faktin se janë apo nuk janë institucione cilësore nga ana edukative. Shumë institucione arsimore private në procesin e marketingut të tyre, faktin që kanë ambiente komode dhe rregulla të rrepta në mbikëqyrjen e fëmijëve, e reklamojnë si ambient edukativ, ndërkohë që edukimi dhe edukatorët, janë shumë larg këtij koncepti.

Institucionet arsimore private, e kanë kuptuar mirë këtë situatë të familjeve shqiptare, dhe si çels të tyre të komunikimit social, kanë sigurinë dhe komoditetin që ofrojnë. Askush dhe asnjëherë ska dëgjuar ndonjë reklamë të ndonjë kopshti apo institucioni arsimor privat, ku të prononcohet emri i ndonjë edukatoreje apo mësueseje më përvojë, me profesionalistet dhe integritet të njohur social. Marketingu përqëndrohet kryesisht tek ambientet e bukura dhe komode, pozicioni strategjik i institucionit, tranporti i garantuar për fëmijët, si dhe çmimet konkurruese në treg.

Ideali i një institucioni edukativ duhet të jetë një vend ku besohet në njerëzit, ku fëmija respektohet e për fëmijën përkujdesen; ku dhuntitë dhe aftësitë krijuese të fëmijës, pamvarëssht diversitetit të aftësive që mund të kenë, të jenë të njohura e të çmuara; ku secili fëmijë trajtohet me drejtësi dhe paanësi; ku ndihma dhe sakrificat e edukatorit në favor të fukarenjve, të braktisurve e të disfavorizuarve nga pikëpamja edukative janë gjë normale; ku secili nga fëmijët gjen ftesën, nxitjen dhe mbështetjen për të cilën ka nevojë për të arritur në një vetërealizim të të shkëlqyerit; ku fëmijët mësojnë e punojmë së bashku me entuziazëm. Ato institucione që nuk i përmbushin këto kritere, duhet të ndihmohen, orientohen, monitorohen, por edhe të mbyllen në rast se meritojnë të mbyllen. Dhënia e licencave të hapjes së kopshteve duhet të kalojë nëpërmjet një procesi të rreptë verifikimi procedurash, programesh dhe përmbajtjesh, dhe jo të mbetet vetëm në rang verifikimi strukturor e fizik të godinës.

Institucionet edukative sidomos ato private, të monitorohen rreptësisht për sa i përket personalit të kualifikuar nga ana pedagogjike dhe arsimore. Askush që nuk është i certifikuar pedagogjikisht nuk duhet të merret apo të ketë kontakt me fëmijët.

Edukimi ka marrë “udhën e ujërve” dhe familjet, komuniteti, media, apo dhe shoqëria civile, të marrin në dorë fatin e fëmijëve të tyre, dhe të jenë pjesë e monitorimit dhe e denoncimit të çdo rasti abuziv dhe jo edukativ, dhe jo tja lënë në dorë vetëm ekzekutivit të arsimit dhe strukturave të tij burokratike, të cilët për monitorim, shpesh herë, dërgojë njerëzit e gabuar, jo specialistë të fushës, por “specialistë” të rektuar ndërmjet militantëve që duartrokasin në oborret e selive të partive në pushtet, që monitorimin dhe inspektimin e institucioneve problematike e shikojnë si mundësinë e radhës për përfitim personal.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here