Dilema e pronave, qeveria zgjodhi rrugën e shkeljeve të të drejtave të njeriut

0
134

 

Ngushtohet mundësia e miratimit përfundimtar të ligjit të ri për pronat. Ekzekutivi Rama shkeli vetë “vijën e kuqe”, tani priten sanksionet evropiane

Ervin Kaduku

Si asnjë herë tjetër, Gjykatën e Strasburgut e kanë vizituar këto kohët e fundit grupe zyrtarësh nga Shqipëria. I fundit ishte delegacioni i përbërë nga ministri i Financave dhe ai i Drejtësisë, të cilët i referuan kryegjyqtarit Guido Raimondi vullnetin e Ekzekutivit shqiptar që të zgjidhet një herë e përgjithmonë çështja e pronave në Shqipëri. Çështje, që nuk ka gjetur ende dritën jeshile, edhe pse kanë kaluar 26 vjet që nga kalimi i shoqërisë në rrugën e demokracisë.

Mësohet se kryetari i Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut me bazë në Strasburg ka dhënë përgjigje lakonike, siç pritej nga ky institucion, duke u thënë vizitorëve shqiptarë se Gjykata është krijuar dhe funksionon vetëm për të shqyrtuar raste të shkeljeve të mundshme të të drejtave të njeriut në vendet anëtare dhe ajo nuk merret me arsyet pse një qeveri e caktuar ndërmerr një politikë që cenon këto të drejta. Kjo do të thotë se Strasburgu e dënon Shqipërinë, pavarësisht se qeveria deklaron që ka gjetur një rrugë më të efektshme dhe më të leverdisshme për të mbyllur procesin e kthimit dhe kompensimin e pronave, në rast se politika të tilla bien ndesh me Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Në fakt, ligji i ri ka kaluar çdo cak në këtë drejtim. Ai ka kaluar “vijën e kuqe”, shprehje kjo, që e kanë aq për zemër rilindasit, në shkeljen e të drejtave themelore, ku bën pjesë edhe ajo mbi pronësinë. Në këtë mes, vlen shumë pak retorika e ministrit Arben Ahmetaj, i cili, duke folur për risqet para ekonomisë shqiptare aktualisht, deklaroi dy ditë më parë se vendimet e Strasburgut rrezikojnë falimentin e financave publike shqiptare. Në përgjigje, Shoqata për Pronësi me Drejtësi deklaroi dje s enuk do të heqë dorë nga e drejta dhe kërkesa e tyre për kompensimin e pronave me vlerën e tregut, edhe pse fatura e lartë prej 1 miliardë eurosh, siç ka pretenduar ministri Ahmetaj cenon sigurinë fiskale të vendit. Myrshit Vorpsi nga Shoqata “Pronësi me Drejtësi” tha se situata në të cilën ndodhet çështja e pronësisë në vend dhe faturat e larta publike që rrjedhin prej saj nuk janë për faj të ish-pronarëve. Ai shtoi se që qysh nga viti 1991 politika i përdori pronat e ish-pronarëve për qëllime politike. I tillë qe ligji 7501, por edhe vendime të tjera me karakter korruptiv që politika mori më vonë në favor të saj.

“Prandaj, kur bie fjala për sigurinë fiskale dhe publike, gishti nuk duhet të drejtohet nga ish-pronarët. Nuk jemi ne ata që kemi faj. Armiq ishim në komunizëm. Armiq edhe tani?!” u shpreh Vorpsi. Ligji i ri për Trajtimin e Pronës, në themel të të cilit është vendimi i debatueshëm lidhur me atë, se kompensimi financiar vlerësohet me çmimin e kategorisë që toka kishte kur u shpronësua dhe jo me atë real aktual të tregut e ul nga 10 deri në 100 herë vlerën e kompensimit për ish-pronarët.

Vorpsi tha se sërish politika po bëhet politikë me çështjen e pronës, por ish-pronarët kanë vendosur të ndjekin të drejtat e tyre në rrugë ligjore. Ai shtoi se ligji është çuar për ankimim në Kushtetuese dhe, pavarësisht vendimit të saj, më tej çështja do të ndiqet në Strasburg.

Pasi të jetë dhënë vendimi nga Kushtetuesja, Gjykata e Strasburgut do të trajtojnë ankimin e ish-pronarëve shqiptare, duke shqyrtuar ligjin e ri të pronave për përputhshmërinë me konventat e të drejtave të njeriut. Çështjet e pazgjidhura të pronësisë e kanë mbajtur peng zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të vendit, pa përmendur konfliktet sociale që kanë krijuar të drejtat e cenuara të ish-pronarëve dhe miliona eurot që buxheti i varfër i Shqipërisë detyrohet për kompensimin e kësaj shtrese. Ndërkohë, faturat mbi 47 milionë euro, të paguara dhe në proces nga buxheti i shtetit dhe 1 miliard eurot që priten nga 106 vendimet që janë në proces në Gjykatën e Strasburgut, kanë vënë në dilemë aftësinë paguese nga fondet qeveritare.

 

Arbitri

Ndërkohë, ligji i pronave mbërrin në Komisionin e Venecias. Gjykata Kushtetuese pas më shumë se dy muajsh diskutime të brendshme ka vendosur t’i drejtohet Komisionit të Venecias për një opinion më të specializuar lidhur me ligjshmërinë e tij dhe përputhjen me standardet Këshillit të Europës. Një fakt të tillë e ka bërë të ditur Maksim Begeja, një nga përfaqësuesit e Partisë Republikane, ndërkohë që burime nga Gjykata Kushtetuese nuk e kanë mohuar, ndërsa kanë theksuar se si procedurë një gjë e tillë bëhet e mundur në bazë të një marrëveshjeje që kjo gjykatë ka me Këshillin e Europës. Dërgimi i ligjit të pronave në Venecia tregon se vetë Gjyqësori shqiptar, pavarësisht nga presionet politike që po i bëhen, është i ndërgjegjshëm se është shkelur Kushtetuta. Dhe nuk mund të ndodhë ndryshe. Ligji, në tërësinë e tij, cenon parimet bazë kushtetuese të sigurisë juridike, barazisë para ligjit, zhbën konceptin e ekonomisë së tregut si dhe bie ndesh me vendimet e tjera të Gjykatës Kushtetuese dhe Strasburgut.

 

Opozita

Ndërkohë, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha i ka dërguar një letër me 7 qershor Presidentit të Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut, Guido Raimondi, duke ngritur shqetësimin mbi deklaratat e bëra nga kryeministri Rama në Parlament, se sipas tij ai ka arritur një marrëveshje me Gjykatën e Strasburgut për të mos shqyrtuar më çështje të pronave të qytetarëve shqiptarë kundër qeverisë shqiptare. Basha i bëri të ditur Raimondit se këto qendrime të Ramës janë mbajtur në Parlament, pas takimit që kanë patur me të me 9 maj në Strasburg, dy prej ministrave të qeverise shqiptare. Kreu i opozitës shprehet se kjo deklaratë e kryeministrit përbën një ndërhyrje të hapur përpara vendimit të Gjykatës tonë Kushtetutese në lidhje me ligjin e ri të pronave.

Kryedemokrati Basha ngre shqetësimin se ky qëndrim i kreut të qeverisë bëhet për ti ushtruar presion Gjykatës Kushtetuese dhe njëkohësisht për të dëmtuar kredibilitetin e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut në opinionin publik shqiptar. Në letër Basha nënvizon se në Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut dhe rregullat e Gjykatës, nuk parashikohet asnjë rast që njëra prej palëve të arrijë marrëveshje të mundshme me Gjykatën në favor të saj, përpara shqyrtimit të çështjes.

 

Këshilli i Evropës

Më parë, edhe presidenti Nishani është angazhuar duke kërkuar sqarim nga organi epror i Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, që është Këshilli i Evropës. Në përgjigje, atij i ka ardhur një letër zyrtare nga Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Evropës, Thornbjørn Jagland, më 3 qershor, në të cilën shkruhet: “I dashur President,

Ju falënderoj për letrën Tuaj të datës 16 maj në vazhdën e takimit tonë të shkëlqyer të 26 marsit ku ripërtëritët përkushtimin tuaj ndaj Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut dhe zbatimin e saj në Shqipëri. Shqetësimet tuaja lidhur me Ligjin e ri “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave” që me sa di po shqyrtohet tani nga Gjykata Kushtetuese, i kam mbajtur parasysh me vëmendje. Sikurse e dini, Komiteti i Ministrave i Këshillit të Evropës po e mbikëqyr nga afër çështjen, në kuadër të zbatimit të vendimit pilot “Manushaqe Puto kundër Shqipërisë (nr. 604/07)” të dhënë nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut më 31 korrik 2012. Në bazë të kërkesës suaj, kam siguruar që letra juaj të sillet në vëmendjen e Komitetit para takimit të tij të ardhshëm që do të mbahet në qershor 2016. Në përfundim, dëshiroj të ripërsëris mbështetjen time për bashkëpunimin dhe ndihmesën e ofruar nga Këshilli i Evropës ndaj autoriteteve shqiptare në këtë proces të rëndësishëm”.

Duket se Evropa kushtin e parë në këtë proces ka gjithnjë respektimin pa kompromis të të drejtave të njeriut. Dhe, në këtë prizëm, duket gati e sigurtë që edhe Komisioni ligjor i Venecias do të japë verdiktin e tij duke penalizuar një ligj, që përpiqet të rregullojë paaftësinë administrative dhe korrupsionin qeveritar të Ekzekutivit Rama me shkeljen e të drejtave themelore të shqiptarëve.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here