KLSH padit në prokurori 5 zyrtarë në Gjirokastër, shkaktuan 16 milionë lekë dëmnë buxhetin e shtetit

0

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka nisur një fushatë intensive ditët e fundit për abuzime në pushtetin vendor. Dje janë kallëzuar penalisht 5 zyrtarë e ish-zyrtarë të Zyrës Vendore të regjistrimit të Pasurisë në Gjirokastër. Më konkretisht janë dërguar për ndjekje penale kryeregjistruesi, një hartograf dhe 3 ish-specialistë të ZVRPP, pasi akuzohen se kanë kryer regjistrime të pasurive me sipërfaqe më tepër nga ajo e përcaktuar në ligj. Sipas KLSH, në 110 raste kanë lëshuar certifikata mbi këto pasuri dhe 103 raste kanë lejuar tjetërsimin e këtyre pasurive, duke i shkaktuar Buxhetit të Shtetit 16 milionë lekë dëm ekonomik. Një tjetër shkelje e tyre është se kanë refuzuar të bëjnë regjistrimin e pasurive të komuniteteve fetare. Sipas të dhënave të KLSH, në 6 raste janë regjistruar 1294 m2 sipërfaqe trualli më tepër nga ajo e përcaktuar sipas listës së trojeve dhe janë lëshuar certifikata pronësie mbi këto sipërfaqe. Në 4 raste, janë kryer veprime tjetërsimi nëpërmjet transaksioneve mbi këto pasuri, si shitje, pjesëtim pasurie dhe regjistrim dëshmi trashëgimie. “Është shkaktuar dëm ekonomik ndaj Bashkisë Gjirokastër dhe Buxhetit të Shtetit në vlerën 16,048,170 lekë, si qera e munguar nga përdorimi i jashtëligjshëm e pa titull pronësie të trojeve, nga të cilat 15,467,670 lekë për përdorimin e paligjshëm të 585.9 m2 truall në pronësi të Bashkisë Gjirokastër dhe 572,400 lekë për përdorimin e paligjshëm të 143.1 m2 truall në pronësi të shtetit”, shprehet KLSH. Sipas një njoftimi për media është bërë me dije se është refuzuar pa bazë ligjore regjistrimi i pasurive të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, në kundërshtim me Ligjin nr. 10058, datë 22.01.2009. Po ashtu në 109 raste nuk është veçuar dhe regjistruar “shtet” sipërfaqja prej 52.849 m2 dhe nuk janë kryer veprime në Kartelat e Pasurive të Paluajtshme, ndërsa në 110 raste me sipërfaqe totale 20.503 m2, janë kryer veprime me pasojë tjetërsime të sipërfaqeve. KLSH ka konstatuar se ka pasur një performancë të ulët për një periudhë 5 vjeçare, pasi edhe pse ka arkëtuar 9.9 milionë lekë qytetarët nuk kanë marrë shërbimin e merituar.

Loading...

 

Loading...

Lini nje pergjigje