Bie entuziazmi për ligjin e dekriminalizimit, partitë tërhiqen nga verifikimi i politikanëve pranë KQZ e prokurorisë

0

Një pjesë e madhe e kryebashkiakëve, këshilltarëve bashkiakë, deputetëve, por dhe zyrtarëve të tjerë të nivelit të lartë do ia hedhin paq me ligjin  e dekriminalizimit, edhe nëse kanë kryer vepra penale. Deri më tani, vetëm dy individë janë vënë në lupën e prokurorisë, kryebashkiaku i Kavajës, Elvis Roshi dhe ai i Krujës, Artur Bushi. Për ta verifikimet nisën për shkak të akuzave që kanë qenë të vazhdueshme, ndërsa për personat e tjerë prokuroria dhe KQZ ia kanë lënë në dorë partive politike. Gazeta “Sot” ka kontaktuar me përfaqësues të KQZ, prokurorisë, të PS dhe PD, dhe interesant është fakti se i gjithë entuziazmi sa i takon ligjit të dekriminalizimit ka rënë. Sipas informacioneve nga KQZ, verifikimet janë duke vijuar për këshilltarët bashkiakë, ndërsa prokuroria nuk ka ndërmend të kërkojë informacion për zyrtarë të tjerë, pasi ligji e parashikon se një gjë e tillë ndodh kur ka dyshime të forta dhe fakte të njohura botërisht. Nga këto institucione është thënë se tani u është lënë në dorë partive politike që të kërkojnë verifikim për individë të caktuar ku ata dyshojnë se ka mashtruar me formularin e dekriminalizimit. Por sipas kontakteve nga PS dhe PD, asnjë prej palëve politike nuk ka ndërmend të bëjë kërkesë. Deputetë të PD kanë thënë se ata i kanë denoncuar publikisht emrat dhe nuk kanë pse të kërkojnë verifikim. Edhe nga PS janë shprehur se po merren institucionet përgjegjëse me këtë gjë. Me pak fjalë, ligji po shkon drejt dështimit dhe të gjithë ata perona që janë të inkriminuar duket se do i shpëtojnë verifikimit. PD e trumbetoi ligjin si një arritje të saj dhe tha se janë 19 deputetë nga radhët e PS, si dhe shumë kryebashkiakë. Por teksa pritej që kjo forcë politike të kishte një listë të saktë dhe të kërkonte verifikim, nuk do të ndodhë një gjë e tillë. Me nisjen e sesionit të ri parlamentar në shtator, duket se do të zbehen të gjitha efektet e ligjit.

Loading...

 

Parashikimet në ligj

 

Por çfarë i tremb forcat politike që të kërkojnë verifikim në prokurori apo në KQZ? Në nenin 7 duket se deputetët kanë bërë një përcaktim të qëllimshëm për të kufizuar verifikimin, pasi aty është përcaktuar së pari se çdo kërkesë për verifikim duhet të përmbajë të dhëna, fakte apo rrethana specifike. Sipas ligjit, kërkesën për verifikim mund ta bëjnë 1/10 e deputetëve, Kryetari i Kuvendit, Kryeministri, Prokurori i Përgjithshëm për një deputet të Kuvendit të Shqipërisë apo një anëtar i Këshillit të Ministrave, përfshirë Kryeministrin, për një të zgjedhur në organet e bashkisë apo të qarkut, etj. Por nëse njëri prej tyre nuk e shoqëron kërkesën me fakte, atëherë nuk nis verifikimi. Nga ana tjetër, ajo që i tremb më shumë partitë është gjoba. Ligji e ka të përcaktuar se çdo nismëtar i kërkesës gjobitet me 100.000 lekë kur pas kryerjes së verifikimit, kërkesa dukshëm është kryer me të dhëna të pavërteta. Në një farë mënyre, vetë deputetët e kanë blinduar procesin e verifikimit dhe tani i gjithë ligji po shkon drejt dështimit. Sipas kontakteve si nga PS dhe PD nuk kanë fakte konkrete për individë të caktuar dhe kjo i tremb që të kërkojnë verifikim brenda apo jashtë vendit. Ashtu si shumë ligje në vend, duket se dhe dekriminalizimi po shërben si flluskë sapuni.

Loading...

Lini nje pergjigje