Futboll në radio: Pse me bar qënka fusha e futbollit o!

0
181

Artan Fuga
———————————————————————————————————————–

Dikur, pas përfundimit të studimeve universitare, që të merrje diplomën, duhej të bëje edhe nja gjashtë muaj zborr. Një lloj shërbimi ushtarak me kohë të përshpejtuar.

Mua më qëlloi ta bëjë në repartin e mbrojtjes kundër-ajrore të Tiranës.

Nuk duheshin lënë avionët armiq të bombardonin ta zemë bashkinë e Tiranës, stolat e Parkut të liqenit, tregun e peshkut, sidomos Kullën e Sahatit si një nga mrekullitë e njerëzimit.

Në repart kishte edhe ushtarë të rregullt që na shihnin me miqësi dhe admirim sepse ne kishim sipas tyre arsimim të lartë. Ne i donim shumë se kishin një dlirësi shpirti që nuk e bën më nëna.

Midis ushtarëve ishte edhe Toma. Një djalosh, shpirt njeriu, i bardhë si bora, buçko, që ishte gati për çdo shërbim thjesht për të na hequr vështirësitë e zborrit.

Gjithë ditën pas stërvitjes mbi topa me tyta të gjata drejtuar nga qielli, flisnim për sport, luanin shah, ose me letra, lexonim.

Pasi linim topat, flisnim për topin.

Toma ishte i pasionuar pas futbollit. Dinte cdo gjë në hollësi dhe në detaje. Ne e ngacmonim për të gjetur ndonjë boshllik në dijet e tij për kampionatin shqiptar të futbollit, por ishte e pamundur.

O Tom! Po Lin Shllaku cfarë numri ka mbajt në fanellë? Numrin 6, he burrë – ja priste Toma.
O Tom, po Kalluci? Numrin 7 he burrë, e thjeshtë fare!
O Tom! Kush u dëmtua në ndeshjen me Gjermaninë? Teodor Vaso, që asht korçar, po lun me Partizanin – ja priste Toma.

O Tomë, o yll, ku i ke mësuar të gjitha këto?
Ndjek në fshat të gjitha transmetimet në radio, atje i mësoj, thoshte Toma kokëulur, dhe pastaj e du futbollin.

Toma ishte miku ynë më i mirë.

Të dielave kishim të drejtë të shkonim në shtëpi. Dhe shumë prej nesh përfitonin për të shkuar në stadium për të parë ndeshjet e futbollit.

Një ditë ftuam edhe Tomën të vinte me ne. Ai e kishte merituar, aq shumë e njihte futbollin.

Hymë në stadium nga porta e tribunave karshi. Fusha e blertë u shfaq përpara nesh.

Ndjemë një : Ahhhh! – të zgjatur.

Toma ishte mekur, zbehur, gati po rrëzohej, sytë e zinj i ishin hapur si dy topa të mëdhenj :

Pse me bar qenka fusha? – pyeti Toma i mirë.

Pse Tomë, si?

Kujtoja se kishte qenë me asfalt e burrë – tha Toma.

Si?

Nuk kam qenë kurrë në stadium. Asht hera e parë.

Gjithçka e kam mësuar për futbollin në radio, por ata spikerat kan harru me thanë se fusha asht me bar…

E përqafuam me dashuri, e kapëm për dore dhe u ulëm në shkallare duke ndjekur ndeshjen.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here