Operacioni “Ça Bon 2”/ Shkatërrohen 2 banda droge në Itali, 58 shqiptarë në pranga

0
137

Dy banda shqiptare janë shkatërruar ditën e djeshme nga policia italiane e cila ka vënë në pranga plot 58 shqiptarë ndërsa ka sekuestruar në total rreth 530 kg lëndë narkotike të llojeve të ndryshme, disa automjete armë dhe një sasi prej 170 mijë euro. Sipas mediave vendase bëhet me dije se në sajë të hetimeve dy vjeçare të Guardia di Finanza gjatë operacionit të koduar “Daku” janë arrestuar 36 persona duke sekuestruar 58 kg kokainë, 48 kg heroinë, 31 kg hashash, 34 kg kanabis sativa shumën prej 170 mijë euro, 1 pistoletë dhe 13 automjete të markave të ndryshme. Ndërsa operacioni tjetër i koduar “Ça Bon 2” është organizuar nga policia e Romës ku kanë marrë pjesë rreth 100 karabinierë. Gjatë këtij operacioni janë sekuestruar 350 kg kanabis sativa, 500 gramë kokainë, si dhe katër armë zjarri tip pistoletë.

Ndërkohë sipas hetimeve të policisë italiane anëtarët e këtyre bandave transportonin kokainë, heroinë dhe marjuanë nga Holanda për në Itali duke e fshehur drogën në automjete të ndryshme. Aktiviteti kriminal është zbuluar falë parave që fitonin nga shitja e drogës, të cilat arrinin deri në 8 milionë euro dhe investoheshin në aktivitete imobiliare në Itali, duke rritur në këtë mënyrë dyshimet për personat që ushtronin këto aktivitete dhe më pas kanë nisur hetimet ndaj tyre. Droga vinte nga Amerika e jugut dhe zbarkonte në portet holandeze, dhe më pas transportohej e fshehur në makina nga shqiptarët. Janë mediat italiane që bëjnë me dije se rrjeti shtrihet dhe më gjerë në Shqipëri. Të gjithë të arrestuarit janë shqiptarë, përveç një çifti kosovarësh që do transportonin drogën për në Suedi. Ka qenë Prokuroria e Milanos ajo që ka mbyllur hetimet për operacionin e koduar “Daku” duke arrestuar 36 persona.

 

Operacioni “Ça Bon 2” prangos 22 persona 

 

Policia italiane e qytetit të Romës në bashkëpunim me policinë e qyteteve të Ankona, Kuneo, Padova, Prato e Viterbo kanë arrestuar në orët e para të mëngjesit të djeshëm 22 persona, shtetas shqiptarë e italianë me akuzën e grabitjes me armë e trafik të lëndëve narkotike. Gjatë këtij operacioni janë sekuestruar 350 kg kanabis sativa, 500 gramë kokainë, 2 pistoleta me numër serie të fshirë si dhe 2 pistoleta të tjera të importuara në mënyrë klandestine në territorin italian. Bëhet me dije se operacioni i koduar “Ça bon 2” është faza e dytë e operacionit “Ca bon” i cili ka nisur më vitin 2014 , duke arrestuar në atë periudhë 5 shtetas shqiptarë si dhe sekuestrimin e 800 kg kanabis i cili vinte nga Shqipëria i fshehur në brendësi të një blloku çimentoje të transportuar më traget drejt Italisë.

Personat e arrestuar ditën e djeshme, janë shtetas shqiptarë e italianë të njohur nga forcat italiane të rendit, e anëtarë të dy grupeve kriminale. Grupi i parë përbëhej kryesisht nga shqiptarë rezidentë prej vitesh në Itali, e që merrej kryesisht me importimin e lëndës narkotike nga Shqipëria drejt Italisë. Sipas përgjimeve telefonike, trafikantët përdornin fjalë të koduara gjatë komunizmit me njëri-tjetrin. Droga e quanin me emrat, “kuti boje”, “vajza”, “makina”, ndërsa parat për blerjen e drogës i quanin me emrat, “dokumente” ndërsa momentin ku do të kryerin shkëmbimin e drogës e quanin “takim për një kafe”. Grupi i dytë kriminal përbëhej nga shtetas italianë, rumunë, rus e shqiptarë e aktivitetit i tyre kishte të bënte me grabitjen e lëndës narkotike nga grupet rivale.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here