Standard.al

Ngërçi i drejtësisë/ Ngutja e ambasadorëve, fleksibiliteti i munguar dhe tryeza e konsensusit të vërtetë

0

Ambasadori Lu pa orën e gjyqtarëve, por nuk e vuri re fjalimin e parapërgatitur të Ramës. Romana Vlahutin jo më si ambasadore e Bashimit Evropian, por si përfaqësuese e PS-së

 

Gëzim Saliu

 

 

Reforma në drejtësi pa më të voglin dyshim mund të cilësohet si ndër më të rëndësishmet që pritet të ndërmarrë klasa politike shqiptare gjatë këtyre 25 viteve të demokracisë në Shqipëri. Nevoja dhe domosdoshmëria që ka sistemi ynë i drejtësisë për tu futur në hullinë e standardeve evropiane është e dukshme jo vetëm për ndërkombëtarët, që e kërkojnë si një etapë thelbësore për ecurinë drejt BE-së ,por edhe për vetë aktorët politikë e shoqërorë në vend. Tentativat e para serioze për këtë reformë u ndërmorën që në kohën e qeverisë së kaluar, por antagonizmi i thellë që qëndronte mes mazhorancës dhe opozitës së viteve 2009-2013 bëri të pamundur bashkëpunimin. Aq i thellë ishte ky hendek sa për më shumë se gjysmë viti, opozita e drejtuar nga atë kohë nga kryeministri aktual Rama, nuk mori pjesë në punimet e Kuvendit me argumentin e famshëm të “hapjes së kutive”. Por përpos fakteve historike, ajo që mbetet nga kjo kohë është mungesa e theksuar e konsensualitetit mes palëve, ku edhe tri ligjet e kërkuara me insistim nga Brukseli u votuan jashtë çdo limit kohor nga Partia Socialiste.

Për të ardhur në kohët aktuale, reforma në drejtësi mori hov thuajse një vit e gjysmë më parë kur u nis diskutimi dhe marrja e mendimit nga ekspertët vendas e të huaj. Për shumë kohë, opozita nuk u bë pjesë e këtij diskutimi duke vënë në dukje kritikat e saj për tentativat e mazhorancës për kapjen e sistemit të drejtësisë.  Kjo tërheqje e opozitës për tu përfshirë në proces erdhi ndoshta edhe në saj të zhvillimeve të ndryshme në jetën politike, ku duket se demokratët në këto kohë kishin beteja të tjera parësore në qendër të aksionit të tyre politikë. Që këtu nisi edhe etiketimi i PD-së, jo vetëm brenda radhëve të mazhorancës, si një forcë politike që nuk e do reformën në drejtësi.  Por në këtë diskutim duhet nënvizuar një dallim që s ka qenë shpeshherë aq evident mes të majtëve sa ka nxitur edhe mediat për kronika e artikuj me baza diversioni. Ndërsa PS që nga nisja e diskutimit e deri aktualisht ka akuzuar demokratët si bllokues, duke i mbetur besnik draftit të parë të ekspertëve, i cili u rrëzua në një masë jo të vogël të tij nga Venecia, LSI ka ngulur këmbë për një produkt me konsensus gjithëpërfshirës dhe mbi bazën e rekomandimeve. Në këtë mes dallohen edhe qëndrimet e forta të ndërkombëtarëve të cilët përmes thirrjeve me tonë të fortë kërkonin arritjen e një konsensusi për reformën që e cilësonin si thelbësore për integrimin e vendit.

Por pas shumë kohësh mes akuzave dhe dyshimeve, opozita u bë pjesë e procesit duke u përfshirë edhe në punimet e Komisionit të posaçëm parlamentar. Në 5 muajt e fundit, duke mos lënë mënjanë akuzat mes tyre, palët arritën me ndihmën e vyer të Komisionit të Venecias tek një produkt që kishte vetëm nevojë për “prekjet” e fundit për të marrë vulën në Parlament. Por pikërisht tek kjo pjesë fundore e procesit, drafti ngeci në një udhëkryq i cili nuk mori zgjidhje as nga takimi i parë në këto tre vite mes kryeministrit Rama dhe kreut demokrat Basha. Por ndërsa qëndrimet e palëve politike ashtu siç edhe priteshin ishin fajësuese për njëra tjetrën, ajo që la pa “gojë” shumë kënd për nga përmbajtja e deklaratës ishte reagimi i partnerëve të akredituar në vend.  Jo se ne në Shqipëri nuk jemi mësuar me “mësymjen” e “mësim dhënien” e ambasadorëve në çdo çështje ku ka ngërç mes palëve, kujtojmë këtu edhe rastin e paprecedentë të pjesëmarrjes së tyre në mbledhjen e grupeve parlamentare, por për faktin se përmbajtja e deklaratës shkonte më shumë se sa “vija e kuqe”.  Pse e themi këtë?

Së pari ambasada e SHBA-së në Tiranë tha se mbështeste qeverinë për ta çuar për miratim reformën në drejtësi, edhe pse nuk drafti nuk kishte votat e demokratëve, duke e cilësuar opozitën jo fleksibël. Në këtë kontekst, duhet të kujtojmë zhvillimet e tryezës Rama-Basha, ku vetë aktorët e saj deklaruan si pikë kryesore të mos arritjes së konsensusit propozimin e demokratëve për “vendet e rezervuara”. Duke lënë mënjanë argumentimin e PD-së sipas së cilës ky propozim ishte pjesë e alternativa që vetë OPDAT dhe Euralius i kishte ofruar si zgjidhje, ajo që mbetet është fakti se kjo tryezë mund të quhej një nisje e një dialogu intensiv mes palëve që ndoshta mund ti jepte zgjidhje brenda afateve kohore çështjes. Nga ekspertët ndërkombëtarë dhe ato të Venecias, opozitës dhe mazhorancës ju ofruan 5 propozime dhe nëse palët kanë zgjedhur dy mes tyre, ku PD kërkon vendet e rezervuara dhe PS 2/3-at, nuk do të thotë se tre të tjerat nuk mund të jenë një alternativë zgjidhjeje. Ose më së paku palët mund të shterojnë edhe një alternativë të 6-të zgjidhjeje, nëse ekziston një shans i tillë, për të mundësur votimin me konsensus të reformës. Në këtë formë, deklarata sipas së cilës u vu gishti mbi një palë dhe palës tjetër ju kërkua të vazhdojë projektin edhe pse nuk i ka votat për ta miratuar atë, më së paku mund të quhet e ngutur. Partnerët ndërkombëtarë, ndryshe nga klasa politike e jona e cila e humb shpesh durimin dhe kalon në akuza reciproke, janë dalluar gjithnjë për tonet bashkëpunuese dhe konsensuale. Thirrja fundore, siç ishte në rastin e ambasadës së SHBA-së dhe delegacionit të BE-së në vend, duke mbështetur qeverinë për ta çuar projektin për miratim në Parlament,pa shteruar të gjitha mundësitë e një konsensusi mes palëve, nuk i nderon partnerët tanë. Palët politike, pavarësisht përçarjeve të shumta mes tyre kanë treguar se mund të arrijnë konsensus për çështje të rëndësishme, madje mund të ndryshojnë edhe kushtetutën brenda një nate. Në këto kushte shterimi i dialogut dhe shanseve për konsensus kur u krye vetëm “akti i parë” me peshë i procesit, pra takimi Rama-Basha, nuk është një shenjë e mirë që na vjen nga ambasadorët. Nga kjo “mungesë fleksibiliteti” e ambasadorëve nuk duhet nënkuptuar mbështetja ndaj qëndrimeve të PD-së, pasi demokratët e Bashës kanë peshën e tyre të fajit në këtë proces. Ndoshta duhet të ishin përfshirë që në fillim në proces, ndoshta duhet të përballeshin me mazhorancën që në nisje me një draft të tyrin ose ndoshta edhe duhet të tregonin më shumë vullnet për zgjidhje konsensuale. Sigurisht që si PD ashtu edhe PS kanë peshë të fajit në ngadalësimin e procesit duke krijuar artifica ta panevojshme. Por ajo që nuk “ngjit” në gjithë këtë diskutim është padyshim deklarata e fundit e ambasadorëve. Ajo i dha fund çdo lloj shansi për konsensus mes palëve, kur ka ende kohë dhe mundësi që mes vetë propozimeve të hedhura në tavolinë apo gjetjeve të tjera të mundësohet miratimi i një reforme gjithëpërfshirëse. Duket se ky “nxitim” i ambasadorëve nuk ka marrë not kaluese nga Parlamenti Evropian. Burime të rezervuara pranë gazetës bën të ditur se disa europarlamentarë që kanë luajtur rol kryesor negociues mes palëve në çështje ngërçi, e kanë cilësuar si të ngutur deklaratën e ambasadorëve. Sipas tyre ajo shteron të gjitha shanset për konsensus dhe vendos gishtin tek “fajtori”, kur në realitet mundësitë ende nuk janë të “djegura”. Po ashtu edhe vizita e pritshme e eurokomisionerit Hahn, me shumë mundësi brenda këtij muaji, është një tjetër tregues se atje lart në Bruksel kërkohet ngulja këmbë deri në fund për arritjen e konsensusit për një reformë në drejtësi të gjithë pranuar.

 

Vlahutin-Lu (1)

 

Standarde jo të njëjta

 

Para pak kohësh bëri shumë bujë në media një deklaratë e fortë e ambasadorit amerikan Donald Lu i cili për të nxitur palët për domosdoshmërinë e reformës në drejtësi dha një shembull për gjyqtarët e korruptuar. “Nëse ulni kokën dhe shikoni se në kyçin e dorës mbani një orë që kushton më shumë se makina ime ka të ngjarë që të jeni gjyqtarë të korruptuar. Nëse ky është rasti ju nxis ta lini këtë profesion menjëherë, mund edhe të përfundoni në burg së shpejti”, deklaroi muaj më parë ambasadori i SHBA gjatë Konferencës Kombëtare Gjyqësore. Mprehtësia e kryediplomatit amerikan për të vënë në dukje “asetet” e fshehura të gjyqtarëve sigurisht që mund të cilësohet si një tjetër “armë” e elokuencës direkte aq të parapëlqyer të Lu-së. Por muaj më vonë, pikërisht pas takimit më të rëndësishëm politik në vend, ambasadori humbi mprehtësinë e tij dhe nuk vuri re fjalimin e parapërgatitur të kryeministrit në fund të takimit. Ndoshta ky ishte një detaj që nuk vlente për tu nënvizuar në deklaratën e partnerëve, por “dijenia” e kryeministrit për përfundimin e negociatave me Bashën para se ato të zhvilloheshin ishte aq “mbresëlënëse” sa nuk mund të mos vihej re apo theksohej.

Nga ana tjetër tek ambasadorja e Bashkimit Evropian Romana Vlahutin vihet re pa shumë vështirësi një anësi politike, ku rreth saj nuk kanë munguar as cungimet e tipit ironizues nëse është diplomate e BE-së apo përfaqësuese e PS-së. Të tjerë në media e kanë cilësuar Vlahutin si “dhuratën” e fundit që eurokomisioneri Fyle i bëri kryeministrit Rama para se të linte detyrën, duke përfshirë në këtë shkëmbim dhuratash edhe çështjen e CEZ.

Por përtej këtij pikëvështrimi, ajo që ngacmon më shumë në këtë mes është qëndrimi i fundit i ambasadorëve,  mes reagimeve të forta e të prera nga njëra anë dhe heshtjes nga ana tjetër. Kështu nëse ambasadorët kanë folur e flasin pa filtra lidhur me reformën në drejtësi, shqetësues është mungesa e “zërit” kur vetë pushteti ngre akuza ndaj Prokurorisë dhe gjyqtarëve. Ndarja e institucioneve është një ndër pikat kyçe të shtetit demokratik dhe sulmet e një institucioni mbi një tjetër, edhe në qofshin të argumentuara, nuk mund të pranohen si normale nga partnerët. Nga vendet ku ambasadorët vijnë, ku sundon shteti i së drejtës, ekzekutivi nuk ka tagër mbi pushtetin e drejtësisë dhe akuzat, sulmet e presioni ndaj tyre cilësohet ilegalitet. Por vetëm pak ditë më parë, pasi Prokuroria dhe Gjykata në bazë të një hetimi vendosën pezullimin e drejtorit të Policisë Çako dhe vunë nën hetim ministrin e Brendshëm, të parët që sulmuan dhe presionuan institucionet përkatëse ishin pikërisht kryeministri Rama dhe vetë Tahiri. Në kohën kur ambasadorët bëjnë apel për domosdoshmërinë e reformës në drejtësi nuk duhet të lënë pas edhe detyrën e tyre parësore: ngritjen e zërit sa herë që shkelen parimet e shteti ligjor dhe demokratik.

 

kristaq-kume.tif-prer-c1200x600

 

Ish-kreu i KQZ

Kume: Si e shoh debatin mes 2/3 dhe vendeve të rezervuara

 

Intervistoi: Ambrozia Meta

 

 

Ish-kreu i KQZ Kristaq Kume komenton ngërçin në reformën në drejtësi dhe specifikisht dy propozimet që nuk po sjellin dakordësi mes palëve, si votimi me 2/3 dhe ai për “vendet e rezervuara”.

 

A e garanton votimi me 2/3 moskapjen politike?

Vendimet në kuvend mund të merren me konsensus dhe ky është rasti maksimal ekstrem, me 2/3 e cila cilësohet si shumicë kushtetuese dhe pastaj kalohet me 3/5 të pestat që  votohen kodet kurse ligjet me shumicën e thjeshtë .Të kërkosh që drejtues të trupës gjyqësore të zgjidhen me 2 /3 do të thotë ta çosh kërkesën në ekstreme.  Rrjedhur nga mosbesimi ekstrem mes palëve, një votim i tillë për mendimin tim e zeron kapjen politike të institucionit në atë kuptim që ky term përdoret sot, sepse në praktike mund të ndodhë që edhe ai që zgjidhet me konsesnsus të veprojë jo siç ja kërkon ligji po sipas preferencave. Të pranosh që zgjedhja të bëhet  me 2 /3 është një dakortësi maksimale mes palëve sepse edhe ai që e kryeson gjithë këtë pushtet, Presidenti i Republikës,  zgjidhet me shumë më pak vota se ata që presidenti  drejton. Në kushtet aktuale nëse do të ishin dakortësuar për  alternativën e 2/3 problemi do të ishte i mbyllur.

 

“Vendet e rezervuara”, a janë alternativa më e mirë për të garantuar pavarësinë e sistemit dhe mos kapjen politike?

Ka një ndryshim të madh mes zgjedhjes me 2/3 dhe vendeve të rezervuara sepse në themel të vendeve të rezervuara qëndron zbatimi i parimit të zgjedhjes dhe balancës politike. Pratikat e deri sotme kanë treguar se zgjidhje të tilla nuk kanë qenë efektive. Rasti i administratës zgjedhore që krijohet sipas këtij parimi, është shembull. Se çfarë ka prodhur kjo administratë mjafton që tu referohemi rekomandimit të vëzhguesve ndërkombëtarë të OSBE/ODHIR. Ne si shoqëri e kemi provuar se çfarë sjell përfaqësimi politik ndaj mendoj se shancet për të zbatuar ky parim dhe  shanset për të patur produkte, në realizimin e objektivave që synon refoma janë të pakta. Nëse i krahësojmë dy opsionet,  alternativa e “vendeve të rezeruara”  nuk ka shance që të prodhojë  ato rezultata që kërkon  reforma në drejtësi. Nëse biem dakort me dy të tretat , i japim një zgjidhje të madhe këtij institucioni, por nëse ndërtohet me vendet e rezervuara ,një institucion të tillë ne e kemi provuar që sot, dhe e kam fjalën për administratën zgjedhore, një sistem  që prej kohësh po kërkohet të ndryshojë.

 

 

vasili_1464818179-930088

 

Qëndrimi i LSI -së

Vasili: Sesioni parlamentar të mbyllet me miratimin e reformës në drejtësi

 

Kreu i Grupit Parlamentar, Petrit Vasili, në një deklaratë për media deklaroi qartazi se ky sesion parlamentar duhet të mbyllet me miratimin e reformës në drejtësi. Ndërkohë që kanë ngelur edhe  gati 3 javë nga përfundimet e punimeve të Kuvendit, Vasili u shpreh se çdo reflektim i opozitës është i mirëpritur. “E rëndësishme është që ky sesion të mbyllet me miratimin e reformës në drejtësi.Vazhdojmë t’i qëndrojmë qëndrimit politik që për nevojën madhore që ka, reforma duhet të ishte miratuar dje. Pra çdo minutë e humbur është një minutë e çmuar dhe ky proces sikurse Kryeministri ka bërë të ditur edhe pas takimit të bërë me liderin e opozitës z. Basha, është një proces i cili do të vazhdojë me miratimin dhe ku çdo reflektim i opozitës, ai ka qenë shumë i qartë për këtë qëndrim të tij, është i mirëpritur dhe ekziston durimi për ta mirëpritur dhe për ta rimarrë në çdo moment që do të kishte një reflektim të tillë,”– tha ai. Vasili shpjegoi se përfshirja  e reformës në kalendarin e punimeve ishte një lapsus i administratës së Kuvendit, që duhet sqaruar. “Nuk ka shumë të vërteta në këtë çështje, ka vetëm një të vetme. Kuvendi do të sqarojë çdo keqkuptim në planin dokumentar. Kuvendi do ta bëjë këtë dhe ju do ta keni, i cili sqaron gjithçka dhe s’ka të bëjë me futjen e reformës. Ka pasur një lapsus në karikimin e dokumenteve e jo me votimin e çështjes në sallë. Sigurisht që jemi të përqendruar ta votojmë reformën në drejtësi. Keqkuptimet procedurale nuk janë të rëndësishme. Jam i bindur që shërbimet e Kuvendit do ta sqarojnë këtë keqkuptim – tha kreu i grupit parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Petrit Vasili, I cili ishte një prej negociatorëve në tryezën e pak ditëve më parë mes kryeministrit Rama dhe Liderit të Opozitës Basha, nuk pranoi të jepte detaje për bisedën me dyer të mbylluara në Pallatin e Kongreseve. “Nuk kam bërë pjesë dhe nuk bëj pjesë në ata politikanë të cilët nuk respektojnë diskrecionalitetin e një takimi të mbyllur publik. Po ju them që kemi pasur një debat për një çështje e cila u bë publike dhe nga kryeministri Rama dhe nga Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha lidhur me variantin e ecjes përpara me një shumicë të cilësuar për zgjedhjen e anëtarëve të disa institucioneve të sistemit gjyqësor me 2/3 apo për variantin e paraqitur nga opozita për vendet e rezervuara. Ky ka qenë një pikë debati. Kjo ka qenë një pikë keqkuptimi, një pikë ndarje,” – tha zëvendës/kryetari i LSI –së. Ndërkaq, i pyetur nga media nëse mazhoranca mund të sigurojë 94 votat që nevojiten, pa konsensusin e opozitës, Vasili tha se tashmë nuk ka më kthim mbrapa dhe miratimi i reformës ka ndikim të madh edhe në integrimin e vendit. “Ne kemi një detyrim madhor të cilin duhet ta shpiem përpara sepse shqiptarët e kërkojnë me insistim këtë gjë. Dhe së dyti procesi i integrimit të cilët partnerët e kanë mbështetur fuqimisht dhe në vijë të parë si asnjëherë tjetër, na imponon. Ndaj do të ecim përpara në këtë proces, pasi kthimi prapa do të ishte një dëm i madh për Shqipërinë,” – përfundoi ai.

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.