Misteri/ Prapaskenat, ku është pajisja e përgjimit “IMSI Catcher”?

0
174

tahiri-dhe-rama

 

Kryeministri Edi Rama dhe Ministri i Brendshëm Sajmir Tahiri  kanë ndërmarrë gjatë ditës së djeshme një sulm tepër të ashpër ndaj gjyqtarit të Gjykatës së Tiranës Arjan Aliaj, i cili pezulloi nga detyra Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, Haki Çako

 

Pezullimi nga detyra i drejtorit të Përgjithshëm të Policisë Haki Çako nga gjyqtari I gjykatës së Tiranës Arjan Aliaj, ka bërë që ndaj tij të hidhen akuza të rënda. Madje kryeministri Edi Rama arriti deri aty sa ta quaj vrasës me pagesë  një gjyqtar demode. Tone të  kryeministrit dhe Ministrit të Brendshëm kanë qenë shumë të ashpra. Ata kanë akuzuar gjyqtarin Aliaj si njeri të korruptuar dhe që ka liruar nga burgu persona të dënuar.  “Dje publiku u bë me dije për një vendim gjykate për pezullimin nga detyra të drejtorit të policisë së shtetit. Por kush është gjyqtari që mori vendim për një njeri të ndershëm? Një gjyqtar i shkarkuar për korrupsion dhe mos përmbushje të detyrës. Liroi nga burgu të paktën 7 herë njerëz të akuzuar për vepra më të rënda penale, përdhunim, marrëdhënie seksuale me dhunë, vjedhje me armë. Ky gjyqtar u shkarkua. Papritmtas, disa vite më pas kthehet prapë në detyrë. Po si mund të kthehet në detyrë një gjyqtar që liron nga burgu një përdhunues, vrasës? Sot ky gjyqtar ka guximin moral për të mos thënë kurajon institucionale për të shkelur ligjin dhe dhënë një vendim politik. Ky gjyqtar është fytyra e vërtetë e nga ata që nuk duan reformën në drejtësi”- tha Tahiri. Sipas ministrit Tahiri,  Çako është një njeri i ndershëm i cili ka kryer detyrën e tij ndërkohë që gjyqtari ishte i shkarkuar për korrupsion dhe mospërmbushje të detyrës por është kthyer sërish në detyrë. “Ka liruar nga burgu njerëz që kanë kryer vepra të rënda penale. U shkarkua, por papritur kthehet prapë në detyrë. Si mund të kthehet në detyrë një gjyqtar që liron një vrasës nga burgu? Ky gjyqtar pati guximin moral për të shkelur ligjin e për të dhënë një vendim tërësisht politik. Ky gjyqtar është fytyra e vërtetë e atyre që mbrohen nga ata që nuk e duan reformën në drejtësi. Është përfaqësues i korporatës së të korruptuarve”, u shpreh Tahiri.

 

 

Reagimi i kryeministrit

 

Me një gjuhë tepër të ashpër ka reaguar ndaj vendimit të dhënë nga gjyqtari Aliaj edhe kryeministri I vendit. Në një postim në rrejtin social facebook, pak moment pas reagimit të Tahirit, kryeministri Rama përdor një gjuhë krejt të ashpër. Ai e cilëson gjyqtarin një demode, të korruptuar dhe pa din e pa iman. “Kush është gjykatësi që vendosi pezullimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë? Një personazh aq thellë i zhytur në kënetën e sistemit të drejtësisë sa vetë Këshili i Lartë i Kënetës e ka shkarkuar për korrupsion dhe mospërmbushje të detyrës! Ky killer me pagesë apo me flamur partie i drejtësisë Ka liruar nga burgu të paktën 7 herë njerëz të dënuar për vepra të rënda penale; vrasje, përdhunime, grabitje me armë… Po si mundi të kthehet në detyrë ky lloj personazhi që me vendmet e tij kriminale arriti të verë në pozitë të vështirë edhe vetë sistemin e korruptuar të drejtësisë?! Kujt i duhej rikthimi nga i ndëshkuar në gjykatës i këtij shkelësi profesionist të ligjit, që ka dhënë të paktën 7 prova se çekiçin e drejtësisë e përdor për t’i shtypur kokën drejtësisë? Thjeshtësisht e hidhur është përgjigja: Ky derdimen pa din e as iman, e rimori çekiçin nē dorë sepse u duhej atyre që sot nuk e duan Reformën në Drejtësi, për të shtypur drejtësinë për hesap të interesave të tyre! Drafti i Reformës në Drejtësi që kemi nisur drejt votimit e pastron përmes filtrit të parë këtë shtresë llumi”, u shpreh Rama.

 

 

download (4)

 

PD, Paloka: Qeveria presion të hapur Gjykatës së Apelit për lirimin e Çakos

 

Deklaratat e bëra nga kryeministri dhe Ministri I brendshëm Sajmir Tahiri sollën reagimin e opozitës.  Edi Paloka , kreu I grupit parlamentar të partisë Demokratike tha se  Saimir Tahiri i kapur nga paniku i arrestimit për shkak të krimit që ka kryer, përgjimi i paligjshëm, është hedhur në një sulm të paprecedent ndaj drejtësisë. Më tej Paloka shtoi se Tahiri sulmoi ashpër  gjykatësin që miratoi kërkesën e prokurorisë për pezullimin e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, sulmoi dhe organin e akuzës. “Vreri i Tahirit vjen pikërisht në kohën që prokuroria është duke kryer verifikimin e rolit të tij në krimin shtetëror të përgjimit të paligjshëm. Me këtë sulm vandal e mafioz ndaj drejtësisë, Tahiri kërkon të shantazhojë Gjykatën e Apelit, për të shpëtuar Çakon e tij. Nëse Çako nuk shpëton, Çako pastaj do flasë dhe do të marrë me vete edhe Tahirin. Ky presion kriminal ndaj Gjykatës së Apelit tregon edhe një herë përse ata nuk e duan drejtësinë sipas Venecias, por e duan të kapur. Rama dhe Tahiri kanë dalë zbuluar në sytë e gjithë qytetarëve dhe partnerëve ndërkombëtarë duke dëshmuar se cila është drejtësia, prokuroria dhe gjykata që ata duan. Ata nuk duan drejtësi sipas standardeve europiane, por duan prokurorë e gjyqtarë që urdhërohen prej tyre, duan prokurorë e gjyqtarë që të mos hetojnë krimet e tyre.

Partia Demokratike i dënon këto sulme të Edi Ramës e Tahirit të tij ndaj drejtësisë, dhe ne inkurajojmë prokurorinë e gjykatat të bëjnë punën e tyre të pandikuar nga presionet mafioze”, u shpreh Paloka.

 

 

Sulmi ndaj Aliajt, Unioni i Gjyqtarëve: I paprecedent, ndërkombëtarët të reagojnë

Pas sulmeve që Ministri i Brendshëm Sajmir Tahiri dhe Kryeministri Edi Rama bëri drejtëpërejtë ndaj gjyqtarit Arjan aliaj, ka ardhur dhe reagimi i Unionit të Gjyqtarëve. Në një reagim zyrtar Unioni e cilëson deklaratën e paprecedente  reagim aspak etik dhe insititucional . Unioni shprehet se mirëpret dhe inkurajon  çdo kritikë ndaj gjyqtarëve dhe  punës  së  tyre,  kur këto kritika janë  brenda kornizës kushtetuese dhe ligjore, të cilat kanë për qëllim t’i shërbejnë  rritjes  së  besimit të publikut tek gjykatat, forcimit  të  pavarësisë  së  gjykatave, forcimit  të  sundimit  të  ligjit  dhe  shtetit të së drejtës. Por, nga ana tjetër shpreh shqetesimin e tij të thellë kur sheh se i njëjti përfaqësues i politikës dhe ekzekutivit në mënyrë të përsëritur, bën deklarata dhe ndërmerr reagime, të cilat nuk kanë për qëllim forcimin e pavarësisë së vendimarrjes së gjykatave dhe forcimin e parimeve themelore të funksionimit të shtetit ligjor. “UGJSH vëren se përsëritja e sjelljeve të tilla ka intimiduar gjithë trupën gjyqësore dhe e ka vendosur nën një presion sistematik gjatë ushtrimit të detyrës konform Kushtetutës dhe ligjeve të vendit, në funksion të garantimit të të drejtave dhe lirive themelore të shtetasve”, thuhet ne deklaratë.

Më tej Unioni shprehet se këto deklarata dhe sjellje të papranueshme, të cilat nuk kanë aspak lidhje me shtetin e së drejtës dhe qeverisjen demokratike, vishen nënpetkun e një aspirate madhore që është “Reforma në drejtësi’, duke mos patur aspak lidhje me reformën e aspiruar prej Shqiptarëve dhe mbështetur fuqimisht prej Ambasadorëve, vecanërisht nga Z. Lu dhe Znj. Vlahutin. “Prandaj, gjejmë rastin të kërkojmë prej tyre që të tregohen të vëmëndshëm dhe të mbajnë qëndrimin e duhur ndaj deklaratave dhe sjelljeve të tilla, të cilat nuk kanë aspak lidhje me shtetin e së drejtës, parimet themelore të funksionimit të shtetit, apo reformën në drejtësi”, thuhet në deklaratë.

 

 

Gjykata e Tiranes_9_14

 

Gjykata e Tiranës: Deklaratat e Ministrit dhe kryeministrit fyese dhe denigruese

 

Reagon Gjykata e Tiranës pas deklartave të ministrit të Brendshëm Sajmir Tahiri dhe komentit të kryeministrit Edi Rama në rrjetin social Facebook.  Sipas gjykatës, deklaratat e ministrit të brendshëm është fyes dhe denigrues ndaj gjyqtarit Arjan Aliaj, i cili ushtron të drejtën ligjore dhe kushtetuese. Deklarata te tilla,- thonë gjyqtarët e Tiranës- përbëjne cënim të Pavarësisë dhe Integritetit të Gjykates dhe gjyqtarit. Sipas tyre, qasje te tilla denigruese dhe retorika negative ndaj gjyqtareve dhe gjyqësorit në përgjithësi dëmtojnë rëndë imazhin e gjyqësorit dhe nuk i shërbejnë rritjes së besimit të publikut tek gjykatat, forcimit të pavarësisë së gjykatave, forcimit të sundimit të ligjit dhe shtetit të së drejtës. Çdo sulm i kesaj natyre, thonë gjyqtarët e Tiranës, është tejet shqetësues, përbën intimidim të trupës gjyqësore, ndërhyrje në proçesin e rregullt ligjor si dhe shkelje te vetë detyrimeve ligjore e Kushtetuese të funksionarëve të larte shteterore.

Ata i kujtojnë ministrit se rikthimi I tij në detyrë është bërë me vendim të Gjykatës Kushtetuese në vitin 2003 dhe KLD-ja në vitin 2009 ka vendosur rikthimin e tij në detyrë.

 

 

Hetimi për përgjimet, Prokuroria: Çako pranoi se pajisja u përdorur edhe për zbulimin e numrave

 

Dalin detaje të reja lidhur me deklarimet që Drejtori tashmë I pezulluar nga detyra haki Çako ka bërë para prokurores së çështjes, Anisa Qelimi. Mësohet se Çako ka qenë kontradiktor gjatë dhënies së dëshmisë

 

Prokuroria e Tiranës ka në dorë një nga provat kryesore me anë të së cilës pretendon se Drejtori i Përgjithshëm i policisë Haki Çako ka shpërdoruar detyrën lidhur me pajisjen e përgjimit për të cilën është hapur  një hetim i gjerë. Mësohet se gjatë marrjes në pyetje në datë 17 maj, drejtori Çako ka folur gjerë e gjatë për pajisjen e përgjimit e cila sipas tij është future në aeroportin e Rinasit pa dokumente.  Gjithashtu është shprehur se kjo pajisje, ndonëse është përdorur për trajnimet e drejtorisë së forcave operacionale, ka shërbyer edhe për identifikimin e numrave telefonik të cilët mund të ishin në përdorim nga personat me precedent penal dhe ata të dyshuar për kryerjen e krimeve të rënda.  Në këto kushte Çako ka pranuar në mënyrë jo direkte se pajisja I ka shërbyer policisë për të zbuluar disa ngjarje të rënda. Një nga këto është edhe ajo e vendosjes së tritolit në farmacinë e babait të ministrit të Brendshëm Sajmir Tahiri, për të cilën u arrestua në tunelin e rrugës së Kombit Vladimir Gjuta.Për të kryer këtë veprim sipas burimeve të prokurorisë, policia ka vepruar pa marrë leje më parë në organin competent për këtë veprim. Çako ka thënë edhe faktin se me anë të kësaj pajisje janë arrestuar shumë persona, por ai nuk ka përmendur emra duke pretenduar se nuk i kujtohen.

 

 

Zbulimi i numrave të të dënuarve

 

Një tjetër fakt për të cilin dyshohet se është përdorur pajisja e përgjimit është edhe ai për identifikimin e numrave të telefonit për një pjesë të mirë të të dënuarve. Për prokurorët, ky pohim i Drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit Haki Çako që tashmë është pezulluar me vendim gjykate, tregon edhe njëherë se pajisja është përdorur për gjurmime dhe identifikm të numrave të IMEI pa lejën e prokurorisë dhe në kundërshtim me ligjin. Gjithashtu, në dosjen e prokurorisë thuhet se Çako ka qenë kontradiktor në komunikimin me prokuroriët. Pasi më 9 maj me një shkresë të dërguar pranë prokurorisë, Haki Çako konfimron se ka hyrë në Shqipëri një aparatur e quajtur “IMSI Catcher”. Në këtë shkresë, në pikën dy ka thënë se kjo apaarturë është sjell nga specialistët e policisë italiane në kuadër të bashkëpunimit me policinë e shtetit për trajnime. Dhe në pikën tre, Çako thotë se kjo pajisje shërben për të identifikuar numrat IMEI dhe nuk shërben për përgjim. Tetë ditë më pas, thuhet në dosjen, gjatë marrjes në pyetje në prokurori Çako ka thënë se aparati IMSI Catcher është në gjendje të identifikoj numrat IMEI të çdo aparati telfonik dhe se nuk ka asnjë dijeni për regjistrimin doganor të hyrjes së kësaj pajisje. Edhe pse ligji e ngarkon atë për të marr masa për të siguruar hyrjen, administrimin dhe përdorimin e një pajisje specifike, “IMSI Catcher”. Kjo pajisje, thuhet në dosje, ka hyrë në territorin e vendit tonë pa iu nënshtruar regjimit doganor të përkohshëm në bazë të legjislacionit doganor dhe pa marrë autorizimin përkatës nga Prokurori i Përgjithshëm, si autoriteti i vetëm që jep lejen për përdorimin e mjeteve të tilla.

 

Pajisja e përgjimit, prokuroria letër porosi dhe kërkesë për informacion palës italiane

 

 

Në drejtim të palës Italiane e cila ka futur pajisjen e përgjimit “IMSI Catcher”në vendin tonë është nisur një letër-porosi që mban firmën e prokurores Anisa Qelimi. Mësohet se  prokurorja e çështjes i ka drejtuar një sërë pyetjesh autoriteve të drejtësisë italiane në lidhje me aparaturën e përgjimit. Letër-porosia është dorëzuar pranë Ministrisë së Drejtësisë, e cila do ta adresoj atë tek homologët Italian, duke i kërkuar kthimin sa më të shpejt të përgjigjeve. Të pyetur për këtë qëllim Ministria e Drejtësisë nga ana e saj u shpreh se nuk mund të jap asnjë koment, ndërsa shtoi se për këtë detaj institucioni I vetëm që duhet të pyettet është prokuroria. Ndërkohë bëhet e  ditur nga burime brenda prokurorisë se prokurorja Qilimi, ka kërkuar nga autoritet e drejtësisë italiane që të di se ku është aktualisht pajisja IMSI catcher dhe në pronësi të kujt është?! Mbi bazën e cilës marrveshje është sjell në Shqipëri për trajnime dhe çfarë rruge ka ndjekur?! Cilët janë programet e trajnimit dhe nga kush janë miratuar?! Gjatë trajnimit në Shqipëri çfarë programe janë përdorur dhe cilët numra janë identifikuar?! Kush janë personat që e kanë përdorur në Shqipëri dhe cilat janë personat e trajnuar? Gjatë tyrajnimit nga kush administrohej pajisja?? E disa pyetje të tjera që pritet që autoritet e drejtësisë italiane ti përgjigjen për të hedhur dritë mbi ligjshmërin e përdorimit të pajisjes së përgjimit në Shqipëri.

Nga ana tjetër, mësohet se kjo pajisje është përdorur në disa raste pas mesnate në disa burgje të vendit, për të identifikuar numrat që të dënuarit me rrëzikshmëri të lartë shoqërore kanë në përdorim. Nuk dihet se me miratimin e cilit zyrtarë shtetëror kjo makineri me pajisjen e përgjimit ka hyrë brenda institucioneve të vuajtjes së dënimit. Burimet thanë që në asnjë rast, operatorët e kësaj aparaturë nuk kanë dorëzuar ndonjë vendim prokurori apo gjykate për kryerjen e procedurës së identifikimit të numrave të telefonit që të burgosyurit kishin në përdorim.

Ndërkohë burimet pranë prokurorisë  thanë se makina me pajisjen IMSI Catcher i instaluar brenda tij, ka qëndruar gjithë kohës në repartin e foprcave të posaçme operacionale të policisë së shtetit që ndodhet në afërsi të zonës së njohur si “21 dhjetori”.

 

Haki-Cako-1200x630

Pezullohet nga detyra, Haki Çako apelon vendimin

 

Drejtori i Policisë së Shtetit Haki Cako apelon në gjykatë pezullimin e tij nga detyra, masë të cilën një ditë më parë ja komunikoi prokuroria e Tiranës pasi e akuzon Çakon për shpërdorim detyre në lidhje me dyshimet se pajisja “Imsi Catcher” është përodrur për përgjime të jashtëligjshme. Apelimin e pezullimit Cako e ka depozituar këtë të mërkurë në gjykatën e Tiranës, ku në 6 faqe të argumentuara kërkohet prishja e vendimit të marrë nga gjyqtari Arjan Aliaj. Burime nga gjykata e Tiranës thanë  se kërkesa e apelit është regjistruar dhe në hrakun kohor të 10 ditëve do të vendos gjykata e apelit me anë të shortit trupën gjykuese dhe datën e zhvillimit të procesit. Një ditë më parë prokuroria e Tiranës i komunikoi Çakos masën e pezullimit nga detyra dhe dy vartësve të tij Artion Dukës dhe Entiol Xhelilajt masën e sigurisë arrest në shtëpi.

 

Deklaratat e Ramës e Tahirit, KLD: Politika larg gjyqësorit, stop presionit

 

KLD ka reaguar ndaj deklaratave të kryeministrit Edi Rama dhe Ministrit të Brendshëm Sajmir Tahiri kundër gjyqtarit Arjan Aliaj, ic ili pezulloi drejtorin e policisë Haki Çako.  “Kryeministri Edi Rama, ashtu si dhe ministri i Punëve të Brendshme Saimir Tahiri përdorën një arsenal të padenjë fjalësh ndaj një gjyqtari, për “gabimin” e tij të vetëm se gjatë ushtrimit të detyrës së tij, kishte miratuar kërkesën e prokurorit, për dhënien e masës së pezullimit nga detyra të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Për Këshillin e Lartë të Drejtësisë, ky reagim, pasuar nga një fjalor i papërshtatshëm, kur artikulohet nga një Kryeministër dhe një ministër i Punëve të Brendshme, është një kërcënim i hapur ndaj, jo vetëm këtij gjyqtari që dje dha një vendim, por një kërcënim ndaj të gjithë trupës gjyqësore. Deklarimet të tilla, të përcjella me një intensitet të tillë, në një moment të papërshtatshëm, për stadin në të cilën është procesi i miratimit të Reformës në Sistemin e Drejtësisë, jep mesazhin, përkundër pritshmërive, që kjo reformë mund të jetë vetëm një fasadë e dalë boje. Sjellja e sotme tregon qartë, se në të parin moment, që përfaqësues apo eksponentë të qeverisë u “atakuan” nga një vendim gjykate, i cili për më tepër është i ankimueshëm, u kalua në një turravrap përdhosjesh, poshtërimesh dhe kërcënimesh, ç’ka të ul pritshmërinë se Reforma në Drejtësi po kërkohet me aq ngulm, jo për nevojën që ka sistemi i drejtësisë me brishtësinë e tij për konsolidim, por për të kontrolluar politikisht këtë system”, thuhet në deklaratën e KLD-së

 

Gjyqtari Arjan Aliaj liroi në 2013 babanë e ministrit të Brendshëm Sajmir Tahiri

 

Në 28 mars 2013 gjyqtari Arjan Aliaj ka bërë një tjetër “shkelje të madhe” . Ai ka liruar një person shumë të diskutuar në atë kohë për contraband të mallrave për të cilat paguhet akciz. Bëhet fjalë për babain e ministrit të Brendshëm Sajmir Tahiri, i cili me të drejtë dje lëshoi një lum akuzash kundër këtij gjyqtari. Sipas Tahirit dhe kryministrit, ky gjyqtarë kishte liruar nga burgu disa criminal, kishte bërë korrupsion dhe shumë shkelje të tjera. Në këtë rast duhet të pyesim ministrin. Po në rastin e lirimit të babait tuaj, i cili u arrestua për kondranad të mallrave për të cilat paguhet akciz, çfarë ka bërë ky gjyqtarë? A e ka shkelur ligjin?

 

 

cuko-655x356

 

Ku është pajisja e përgjimit “IMSI Catcher”?!

 

Reforma në drejtësi dhe një veprim me dy standarde nga ambasada italiane

 

Gëzim Saliu

 

 

Rreth një muaj më parë ish-kryeministri Sali Berisha do të fliste për një skandal përgjimi nga ana e policisë shqiptare, ku në listën e të përgjuarve ishin përfshirë 375 personalitete, nga fusha e politikës, diplomacisë, biznesit, mediat dhe botës artistike. Në atë kohë Berisha publikoi edhe emrat e atyre që ishin përgjuar në mënyrë të paligjshme, ku vihej re emri Presidentit të Republikës, kreut të Kuvendit, kryetarit të PD-së, Prokurorit të Përgjithshëm, kreut të Gjykatës Kushtetuese e asaj të Lartë, ministrit të Drejtësisë, kreut të SHISH etj. Që prej asaj kohe e për thuajse dy javë më pas palët u përplasën politikisht mes tyre për çështjen, ku nga njëra anë kryeministri dhe ministri i Brendshëm mohuan ekzistencën e pajisjes e ndërsa opozita akuzonte për përgjime të paligjshme. Nisja e hetimeve nga Prokuroria nuk i ndali akuzat mes palëve politike, ndërsa kulmi i çështjes u arrit kur përpara Komisionit të Sigurisë raportuan kreu i SHISH, Kryeprokurori Llalla, ministri i brendshëm Tahiri si edhe ish-drejtori i policisë Haki Çako, tashmë i pezulluar. Por kur Visho Ajazi vërtetoi hyrjen e një pajisje të tillë pa doganë në vend, pala e qeverisë u mbrojt duke e akuzuar atë se pse nuk kishte lajmëruar kryeministrin për një çështje të tillë. E ndërsa dita ditës akuzat intensifikoheshin për çështjen, dy ditë më parë skandali i përgjimeve mori një tjetër kthesë. Prokuroria e Tiranës kishte avancuar në hetim dhe përmes gjykatës arriti të sigurojë pezullimin e drejtorit të Policisë Haki Çako dhe specialistët arrest shtëpia nën mbikëqyrjen me çip elektronik. Sipas organit të akuzës Çako nuk ka treguar të vërtetën lidhur me pajisjen e përgjimit, duke konsumuar veprën e “shpërdorimit të detyrës”. Ndërkohë nën hetim nga Prokuroria është vendosur edhe ministri i Brendshëm, kur ky i fundit dhe kryeministri kanë nisur prej ditës së djeshme një valë sulmesh mbi organet e drejtësisë dhe atë të akuzës. Ndërsa do të duhet ende kohë për të arritur në përfundime lidhur me çështjen, gjithmonë nëse do lejohen të arrihen të tilla, ajo që mbetet ende mister në të gjithë skandalin është vetë pajisja e përgjimit. Ku është “IMSI Catcher”?! Ku po mbahet dhe kush po e mban të  fshehur pajisjen e përgjimit? Pse organi i akuzës ende nuk e ka atë në dispozicion  për të vazhduar hetimet në mënyrë normale?

 

Misteri i pajisjes

 

Në kushtet kur ministri Tahiri si edhe eksponentë të policisë, kanë deklaruar se ata nuk e kanë përdorur asnjëherë pajisjen, prokuroria ka zbuluar se ajo është përdorur nga policia dhe madje ditën kur oficerët e policisë gjyqësore shkuan për ta sekuestruar, pajisja doli nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë. Sipas prokurorisë, pajisja ka qëndruar pikërisht në këtë ambient dhe është përdorur pa praninë e italianëve, teksa dy herë ajo ka lëvizur me makinë. Hetimet theksojnë se makina me pajisjen IMSI Catcher e instaluar brenda tij, ka qëndruar në repartin e forcave të posaçme operacionale të policisë së shtetit. Mesditën e datës 13 maj u kërkua sekuestrimi i këtij mjeti bashkë me pajisjen brenda. Por 10 minuta pasi oficerët kanë mbërritur në ambientet e këtij reparti për ta sekuestruar, mjeti është larguar nga inxhinieri i IT-së Entiol Xhelilaj për të mos e dorëzuar pranë oficerëve të prokurorisë. Duke u bazuar në këto të dhëna të Prokurorisë rezulton se pajisja nuk ka qenë vetëm në zotërim të interforcës italiane, por se ajo është përdorur edhe nga policia shqiptare. Dhe sërish pyetja që vazhdon të mbetet kryesore në çështje është: Ku ndodhet pajisja e përgjimit?

Ditën e djeshme Prokuroria e Tiranë kërkoi që t’i vihen në dispozicion përmes Ministrisë italiane të Drejtësisë të dhëna konkrete mbi programin trajnues dhe qëllimin e tij, shkresë e cila mban brenda saj edhe pyetjen thelbësore të çështjes lidhur me vendndodhjen e pajisjes. “A posedohet aktualisht pajisja “IMSI Catcher” nga pala italiane?”- pyet në letrën e saj prokuroria. Dhe sërish pyetja që vazhdon e vazhdon të mbetet mister është: Ku po fshihet pajisja e përgjimit?

Ndërkaq në një shkrim të djeshëm , gazeta “Il Secolo XIX”, raportonte se pajisja në fjalë e kaloi kufirin në mënyrë të fshehtë. Sipas saj, pajisja e përgjimit hyri në Shqipëri në mënyrë të fshehtë përmes kanaleve diplomatike italiane. Saktësisht, sipas kësaj medie italiane thuhet se pajisja ka mbërritur më 11 mars në Shqipëri, e fshehur në një makinë me targa diplomatike italiane. Ajo nuk është deklaruar në doganë, duke hyrë në vendin tonë në mënyrë të paligjshme. Më parë ish-kryeministri Berisha, nga i cili u publikua kjo çështje, ka bërë të ditur se pajisja e përgjimit ka hyrë në vend në mënyrë private. Por nëse paligjshmëria e hyrjes së kësaj pajisje në vend si edhe përdorimi i saj në kundërshtim me arsyen e mbërritjes sipas fakteve të përcjella deri më tani po shkon drejt vërtetimit, ajo që mbetet pa zgjidhur është vendndodhja e pajisjes. Misioni “Interforce”, i pyetur përmes Ambasadës, nuk ka kthyer ende përgjigje se ku ndodhet kjo pajisje.  Dhe pyetja që vazhdon  e vazhdon të bëhet, mbetet po ajo: Ku është futur IMSI Catcher?

Pak ditë më parë u bë i ditur një tjetër fakt që i shton edhe më shumë misterin çështjes. Italia vendosi që të tërheqë nga Shqipëria shefin e misionit të Interforcës Michele Grillo, i cili tashmë do të zëvendësohet nga një tjetër emër. Grillo, i cili kishte ardhur në krye të misionit të Interforcës në Shqipëri në qershor të vitit të shkuar, kishte në zotërim aparatin e përgjimit i cili shërbente për trajnimin e palës shqiptare. Dhe ndërkohë që çështja ka marrë përmasa të mëdha, është aparati i përgjimit ai që do i jepte zgjidhje përplasjes mes palëve si edhe interesit të gjerë,  duke vërtetuar nëse janë bërë apo jo përgjime të paligjshme përmes tij. Por është pikërisht pajisja ajo që mungon në të gjithë këtë çështje që nga shumë kush po cilësohet si skandal i përgjimeve. Dhe pyetja që vazhdon e vazhdon të bëhet, mbetet po ajo: Ku po fshihet IMSI Catcher?

 

Si mundet që një pajisje e futur në Shqipëri, edhe ndoshta vetëm për trajnime, duke i mbetur besnik kështu variantit të përfaqësuesve të qeverisë, nuk gjendet se ku ndodhet. Pse ajo nuk po dorëzohet në duart e organit të akuzës, formë e cila do ti shërbente pikë së pari zbardhjes së të vërtetës dhe rrjedhimisht do të pohonte nëse janë të vërteta apo të sajuara akuzat e opozitës për përgjime të paligjshme të thuajse 375 personaliteteve të vendit. Misteri vazhdon….

 

Qëndrimi i ambasadës italiane

 

Një hije dyshimi, e cila ndoshta mund të cilësohet edhe e tepruar nga ndokush, ka lindur këtë diskutim edhe lidhur me veprimtarinë e ambasadës italiane. Së pari, dyshimet kryesore lidhen pikërisht me thelbin e gjithë çështjes, pra me vendndodhjen e pajisjes së përgjimit. Nëse një pajisjes e tillë ka ardhur nga interforca italiane edhe është përdorur prej saj vetëm për arsye trajnimi , siç pretendon kryeministri dhe ministri i Brendshëm, atëherë do të ishte shumë e lehtë që “IMSI Catcher” tashmë të ishte e lokalizuar. Por “humbja” pa “nam e pa nishan”, do e thonim më shqip ne nga anët tona, e pajisjes IMSI Cathcher jep jo pak shenja dyshuese edhe për veprimtarinë e palës italiane. Imagjinoni pak rastin kontrovers të çështjes për të kuptuar rëndësinë e diskutimit. Nëse një çështje e tillë që mban në thelb akuzat për përgjime të paligjshme të personaliteteve të vendit, do të kishte plasur në shtetin fqinj dhe në rast se pajisja do të ishte futur atje nga pala shqiptare, reagimi i autoriteteve italiane nuk do shumë logjikë për tu marrë me mend se cili do ishte. Pak kohë më parë, ambasadori Italian në Tiranë, Alberto Cutillo nëpërmjet një interviste televizive kërkoi nga Prokuroria zbardhjen sa më shpejt të çështjes së pajisjes së përgjimit, ndërsa theksoi se selia diplomatike po bashkëpunon ngushtësisht me autoritetet shqiptare.  “Kemi dhënë informacione për të gjitha aspektet e përfshirjes italiane në këtë çështje. Kështu që unë kam besim se brenda një kohe shumë të shkurtër, prokuroria do të mbyllë hetimet, të paktën për sa i përket palës italiane”- tha ai. Por duket se ky nivel bashkëpunoni çalon pikërisht tek pjesa më e rëndësishme e diskutimit: vendndodhja e pajisjes së përgjimit. Nëse ambasada ka pyetur misionin “Interforce” për vendndodhjen e “ IMSI Catcher” dhe ky i fundit ende nuk ka kthyer përgjigje , çështja nuk mund të lihet në tejzgjatje të vazhdueshme të pafundme. Dhe këtu me vlerë do ishte sërish shembulli kontrovers. Po nëse ambasada shqiptare në Itali do kishte pyetur misionin e saj që kishte vepruar në shtetin fqinj dhe ky i fundit nuk do kishte dhënë asnjë përgjigje, cili do ishte reagimi i autoriteteve italiane?

 

Kohët e fundit partnerët janë angazhuar fuqishëm në mbështetje të reformës në drejtësi dhe kanë kërkuar nga klasa politike gjetjen sa më parë të konsensusit për këtë çështje. Sipas tyre drejtësia është thelbësore për integrimin evropian. Të njëjtën thirrje ka bërë edhe ambasadori italian i cili ka pohuar se,: “shtyrja më tej e reformës do t’i humbiste Shqipërisë jo vetëm shansin e hapjes së negociatave të anëtarësimit në BE këtë vit, por shumë më tepër se kaq.”. Por duket se nga deklarata e deri tek veprimet qëndron një hendek që me rastin e çështjes së përgjimeve del edhe më shumë në pah. Nëse nga njëra anë kërkohet sa më shumë angazhim për drejtësinë, duke e cilësuar parësore për ecurinë përpara të vendit, nga ana tjetër nuk mund të neglizhohet dhe të trajtohet si gjithë të tjerat, një çështje që ka në thelb akuzat për përgjimin e personaliteteve më të larta të vendit nga një pajisje që ka hyrë në vend përmes interforcës italiane.

Kështu pavarësisht se autoritetet shqiptare dhe ato italiane janë shprehur se pajisja është përdorur vetëm për qëllime trajnimi, prokuroria ka zbuluar se në pajisje është ndërhyrë. Sipas organit të akuzës nga hetimi ka rezultuar se gjatë seksioneve të praktikës është ndërhyrë disa herë në segmentin aparat fundor-antenë ligjore. “Në hapësirën kohore të këtij veprimi, dyshohet se antena ligjore nuk regjistron aparate fundore që tentojnë të lidhen me të”, thekson prokuroria. Pra, dyshohet se aparate celularë të ndryshëm mund të kenë qenë nën administrimin e paligjshëm të pajisjes “IMSI Catcher”. Dhe ky konkluzion dyshues i organit të akuzës jep edhe më shumë argumenta në favor të  domosdoshmërisë së vendndodhjes së pajisjes “IMSI Catcher”.. Deri në fund pyetja mbetet e njëjtë: Ku po fshihet pajisja e përgjimit?

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here