KGJK: Deklaratat e Ramës dhe Tahirit vënë në dyshim parimin e pavarësisë së gjyqësorit

0
115

Këshilli Ekzekutiv i Konferencës Gjyqësore Kombëtare ka reaguar pas deklaratave të kryeministrit Edi Rama dhe ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri duke u shprehur se këto deklarata vënë në dyshim parimin e pavarësisë së gjyqësorit nga politika.

KGJK del në mbështetje të gjykatësit Arjan Aliaj, i cili mori vendimin për pezullimin e Haki Çakos, Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit si dhe vendosi masën e arrestit shtëpiak për 2 oficerë të tjerë. “Duke marrë shkas nga deklaratat fyese dhe sulmet e drejtpërdrejta të disa përfaqësuesve të ekzekutivit, ndaj gjyqtarit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë Z.Arjan Aliaj, për shkak të vendimeve të marra prej tij, në përmbushje të detyrës kushtetuese, Këshilli Ekzekutiv i Konferencës Gjyqësore Kombëtare, shpreh edhe njëherë dhe ri-konfirmon qëndrimin e mbajtur edhe në raste të tjera analoge se, parimet kushtetuese të ndarjes dhe balancimit të pushteteve, shtetit të së drejtës dhe pavarësisë së pushtetit gjyqësor, duhet të jenë guri i themelit që udhëheq çdo organ gjatë ushtrimit të veprimtarisë së tij, në një shtet demokratik”, deklaron KGJK. Këshilli Ekzekutiv i Konferencës Gjyqësore Kombëtare vlerëson se, ‘deklarata të tilla, me një gjuhë të papranueshme dhe te përsëritur, të realizuara nga përfaqësues të ekzekutivit, vënë seriozisht në dyshim parimin e pavarësisë së pushtetit gjyqësor nga ndërhyrjet politike apo të çdo forme tjetër, të cilat pasjellin pasoja, jo vetëm në drejtim të ushtrimit të pavarur të veprimtarisë gjyqësore, cenimi i së cilës sjell përgjegjësi sipas ligjit, por edhe në drejtim të garantimit efektiv të lirive dhe të drejtave themelore të njeriut, si element esencial i shtetit të së drejtës dhe demokratik, proces i cili në mënyrë të pashmangshme kërkon si parakusht një gjyqësor të pavarur, të paanshëm dhe brenda standardeve të gjithëpranuara ndërkombëtare, në drejtim të etikës dhe profesionalizmit’. “Këto deklarata fyese dhe denigruese për gjithë trupën gjyqësore, në një moment kaq vendimtar për sistemin e drejtësisë, nuk kane aspak lidhje me aspiratën për një sistem drejtësie të pavarur, të paanshëm, me integritet moral dhe profesional, të aftë që të japë drejtësi dhe vendosë përballë ligjit këdo që e shkel atë”, thuhet në reagimin e KGJK. Këshilli Ekzekutiv i Konferencës Gjyqësore Kombëtare, inkurajon dhe mbështet çdo organ apo institucion, shtetëror apo privat, që në eventualitetin e konstatimit të mangësive apo problematikave gjatë ushtrimit të funksionit kushtetues të gjyqtarëve të të gjitha shkallëve, të cilat janë të papajtueshme më këtë funksion, t’i adresojë ato në rrugë institucionale, brenda kuadrit kushtetues dhe ligjor në fuqi, duke garantuar nga njëra anë, parimin e kontrollit dhe balancimit të pushtetit gjyqësor nga degët e tjera të qeverisjes dhe nga ana tjetër, duke shmangur çfarëdo tendence qoftë edhe potenciale, personalizimi apo intimidimi të gjyqtarëve të caktuar, gjatë dhe për shkak të ushtrimit të detyrës.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here