Zbulohen komunikimet me Lu e Vlahutin, Basha: Më kërkuan një variant dhe ata do t’ia imponojnë Ramës

0
184
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka zbuluar komunikimet që ai ka patur muajt e fundit me ambasadorët Donald Lu e Romana Vlahutin për Reformën në Drejtësi. Duke u shpjeguar deputetëve arsyet e dështimit të takimit më kryeministrin Rama, Basha tha se ambasadori Lu e kishte paraqitur vetë si një ndër pesë variantet e mundshme formulën e vendeve të rezervuara. Sipas Bashës, ai dhe ambasasdorja Vlahutin i kishin thënë që t’u jepte një variant dhe ata do t’ia impononin atë Ramës. Basha u shpreh se në komunikimet elektronike me e –mail që ka patur me ambasadorin faktohet që opozita ka kërkuar formulën e vendeve të rezervuara, që Rama, edhe pse ka rënë dakord fillimisht, është tërhequr më pas.
Më poshtë komunikimi i plotë i Bashës para grupit të PD
Kërkova këtë mbledhje jashtë radhe për të informuar Grupin Parlamentar në lidhje me takimin që zhvillova një ditë më parë me Kryeministrin e vendit. Siç edhe e kemi shprehur publikisht, shkuam në takim për të gjetur zgjidhje vetëm për një çështje që ka ngelur pika e vetme që na ndan me maxhorancën për të kaluar Reformën në Drejtësi. Por përballë u gjendem me një kompleksim të panatyrshëm nga përfaqësuesit e maxhorancës. Dhe ishte e qartë se ky kompleksim vinte për shkak se Fatmir Xhafaj e kishte parapërgatitur takimin që ai të ishte i dështuar dhe më pas shefi i tij të ligjëronte ato që kishte në letrën që mbante në xhep. Po çfarë kërkoi opozita në atë takim? Asgjë, e theksoj asgjë më shumë se ato që kemi dakordësuar dhe kemi rakorduar me faktorin ndërkombëtar. Ai që prisnim ne të ishte element zhbllokues në procesin e emërimit të anëtarëve në sistemin e drejtësisë, po krijon bllokimin. Duhet të jemi të qartë se përmes votimit me 2/3 nuk shprehet vullneti i opozitës. Përmes kësaj formule, nëse ruhet arkitektura aktuale, Këshilli i Emërimeve, i cili do të jetë nën ndikimin e Kryeministrit, do të sjellë në Parlament në shumë raste vetëm kandidatura me vokacion të majtë. Ndërkohë që me modelin e “vendeve të rezervuara” ne kemi mundësinë të sjellim dy kandidatura, maxhoranca ka të drejtë të sjellë tre. Kjo nuk është një formulë të cilën e kemi kërkuar ne, përkundrazi është ofruar nga faktori ndërkombëtar. Madje dua t’ju njoftoj se ka pasur edhe një parabisedim për këtë çështje, siç më kanë njoftuar ambasadorët, në të cilin Rama ka rënë dakord. Pas rekomandimeve të dhëna nga Komisioni i Venecias, konsensusi politik në kushtet e një opozite që nuk ka 3/5, mund të realizohet me disa forma. Një nga këto forma është ajo e “vendeve të rezervuara”. PD-ja, sipas konsensusit, duhet të zgjidhte një nga këto. Pra është rekomanduar nga ambasadorët Donald Lu dhe Romana Vlahutin, na thoni ju një nga variantet dhe ne ia imponojmë Ramës. Opozita ka thënë se ne jemi për vende të rezervuara. Është e gjitha e dokumentuar edhe në komunikimin elektronik që kemi pasur. Në datën 3 shkurt të këtij viti, ambasadori i SHBA-ve, Donald Lu, na ka dërguar me e-mail me 5 opsione ku një nga modelet ishte edhe ai i vendeve të rezervuara. Sërish përmes rrugës elektronike, 11 ditë më pas, ne kemi kthyer përgjigje duke theksuar se zgjedhja jonë janë vendet e rezervuara. Tri ditë pas vendimmarrjes sonë, pra në datë 17 shkurt, ambasadorët ia kanë përcjellë këtë qëndrim edhe PS-së. Përgjatë bisedave është theksuar se Kryeministri Rama ka rënë dakord me këtë fakt, duke pranuar se nëse opozita kërkon vendet e rezervuara, ai do t’i japë vendet e rezervuara. Ndërkohë, dua të theksoj se deklaratat publike të Mogherini-t i kam parë tërësisht jokorrekte. Nuk mundet shefja e politikës së Jashtme të BE-së t’i imponojë opozitës vendimmarrjen e zgjedhjes së anëtarëve në sistemin e drejtësisë. S’mund të quhet konsensus politik një vendim i imponuar. Kemi ambasadoren e BE-së në Tiranë, Romana Vlahutin, e cila në gjykimin tim nuk është korrekte për mënyrën se si i parashtron qëndrimet e opozitës. Për më tepër edhe për mënyrën se si kërkon të imponohet në emër të “ndërkombëtarizmit” me dokumente të shkruara në zyrat e Ramës.
Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here