Pajisja e përgjimit/ Pezullohet Çako, nën hetim ministri Tahiri. Prokuroria: Ja shkeljet

0

 

Në sitën e hetimeve janë edhe persona të tjerë. Priten arrestime të zyrtarëve të tjerë të lartë. Vendimi i pezullimit me vendim të Gjykatës së Tiranës. Në arrest shtëpie janë dy persona të tjerë. Arrestohet Drejtori i Forcave Operacionale.

 

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Haki Çako ishte i pranishëm në panairin e policisë, i cili organizohej në sheshin “Nënë Tereza”. Ai ndodhej aty së bashku me Ministrin Sajmir Tahiri dhe vartësit e tij. Para se të futej në panairin e pajisjeve të policisë, një kuti me një mbishkrim domethënës  ishte vendosur në mes të bulevardit. “ A ndodhet këtu pajisja e përgjimit”, shkruhej në një kuti të improvizuar. Por ata që e kishin vendosur këtë kuti, ndoshta nuk e dinin se Gjykata kishte marrë një vendim për Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, të cilin e cilësonte paraprakisht pëergjegjës për futjen e pajisjes së përgjimit në mënyrë të paligjshme, pa njoftuar Prokurorinë e Përgjshme, përdorimin e kësaj pajisje për përgjimin e numrave IMEI si dhe shpërfilljen dhe pengimin e oficerëve të policisë gjyqësore që shkuan për të sekuestruar atë në ambientet e Policisë së Shtetit.  Por teksa ende nuk kishte marrë fjalën përshëndetëse për të treguar arritjet , ai mëson një lajm të hidhur. I thuhet në telefon se Gjykata e kishte pezulluar nga detyra dhe për pasojë nuk mund të vazhdonte. Ai largohet me shpejtësi nga aktiviteti. Prokuroria e akuzon se ka shpërdoruar detyrën. Madje edhe më shumë. Sipas saj Haki Çako nuk ka treguar të vërtetën lidhur me pajisjen e përgjimit. Në njoftimin e saj zyrtar prokuroria thotë se Çako u pezullua nga detyra për shkak të çështjes “IMSI Catcher”.  Ndërkohë në “Arrest në shtëpi” u lanë  dy zyrtarë të tjerë.

 

Kërkesa e Prokurorisë së Tiranës

 

Me kërkesë të Prokurorisë së Tiranës, gjykata ka vendosur masën ndaluese “pezullim nga detyra” për Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, Haki Çako, për konsumimin e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës” në vijim të hetimit për dyshimet mbi ekzistencën e një pajisje përgjimi, e administruar në kundërshtim me ligjin nga ana e Policisë së Shtetit. Po me kërkesë të Prokurorisë së Tiranës, gjykata ka vendosur masën e sigurimit ‘Arrest në shtëpi” me mbikqyrje elektronike për shtetasit Artion Duka, me funksion Drejtor i Forcave Operacionale (F.O) dhe Entiol Xhelilaj, specialist pranë F.O, të dy të dyshuar për veprat penale të “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Veprimeve që pengojnë zbulimin e të vërtetës”. Prokuroria e Tiranës, në kuadër të veprimeve hetimore të deritanishme, dyshon se këta persona, me veprime ose mosveprime, kanë lejuar aktivitet të kundërligjshëm përgjimi.

 

15-09-30-04-24-00big_10

 

Nën hetim dhe zyrtarë të lartë shtetëror

 

Prokuroria e Tiranës po vijon hetimet për të provuar nëse, pas veprimeve të dyshuara si të kundërligjshme, ka edhe zyrtarë të tjerë të lartë shtetërorë. Burime të Prokurorisë bënë me dije se bëhet fjalë për përfshirjen në këtë skandal edhe të Ministrit të Brendshëm  Sajmir Tahiri. Prokuroria e Tiranës, Njësia Task-Force, ka nisur hetimin kryesisht, në bazë të një materiali procedurial, sipas të cilit, Policia e Shtetit ka në dispozicion një pajisje përgjimi, “IMSI Catcher”. Sipas informacionit, kjo pajisje ka hyrë në territorin e Republikës së Shqipërisë pa autorizimin përkatës dhe mund të realizojë interceptime telefonike. Prokuroria e Tiranës regjistroi procedimin penal, në kuadër të cilave ka kryer një sërë veprimesh hetimore. Deri në këtë fazë të hetimit, ka rezultuar, në mënyrë të përmbledhur, si vijon:

 

Çfarë shkeljesh kanë bërë secili nga personat me masë arresti

 

Shtetasi Haki Çako, në detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, nuk ka marrë masat që i takojnë me ligj për të siguruar hyrjen, administrimin dhe përdorimin e një pajisje specifike, “IMSI Catcher”, e cila është sjellë në Shqipëri nga autoritetet italiane, për qëllime trajnimi, siç deklarohet nga të dyshuarit. Kjo pajisje ka hyrë në territorin e vendit tonë pa iu nënshtruar regjimit doganor të përkohshëm dhe, për më tepër, pa marrë autorizimin përkatës nga Prokurori i Përgjithshëm, si autoriteti i vetëm që jep lejen për përdorimin e mjeteve të tilla. Nga të dhënat e deklaruara nga të dyshuarit, kjo pajisje ka aftësi, ndër të tjera, që të identifikojë numrat IMEI të telefonave, e cila është një procedurë që i nënshtrohet legjislacionit për interceptimin.  Nga hetimi ka rezultuar se gjatë seksioneve të praktikës është ndërhyrë disa herë në segmentin aparat fundor-antenë ligjore. Në hapësirën kohore të këtij veprimi, dyshohet se antena ligjore nuk regjistron aparatët fundore që tentojnë të lidhen me të. Pra, dyshohet se aparatë celularë të ndryshëm mund të kenë qenë nën administrimin e paligjshëm të pajisjes “IMSI Catcher”. I dyshuari Çako, ka mbajtur në vijimësi qëndrim mohues ndaj faktit që kjo pajisje mund të jetë përdorur për përgjime të paligjshme. Por disa të dhëna hetimore, kanë krijuar dyshimin te Prokuroria e Tiranës se ky shtetas ka konsumuar veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”. Në bazë të Marrëveshjes së vitit 2007 për mbështetjen teknike të Policisë Shqiptare nga ana e INTERFORZE-s italiane, u takon autoriteteve shqiptare që të ndërmarrin veprimet në përputhje me ligjin, siç janë hyrja e rregullt e pajisjeve të tilla në Republikën e Shqipërisë. Në cilësinë e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, shtetasi Çako rezulton që nuk ka marrë asnjë masë për të rregulluar hyrjen e pajisjes në territorin e Shqipërisë dhe, për më tepër, rezulton që ai nuk ka asnjë dijeni për regjimin doganor që aplikohet në këto raste.

 

 Administrimi i pajisjes

 

Po ashtu, shtetasi Çako ka deklaruar se pajisja “IMSI Catcher” është administruar gjatë të gjithë kohës nga ekspertët italianë. Ndërkohë, rezulton që në të paktën dy raste, mjeti ku gjendej pajisja, ka lëvizuar nga specialisti i F.O, Ention Xhelilaj. Gjithashtu, në dt. 13.05.2016, Prokuroria e Tiranës ka nxjerrë urdhër për sekuestrimin e pajisjes, e cila dyshohej se ishte në ambjentet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë. Oficerët e Policisë Gjyqësore të Prokurorisë së Tiranës kanë hyrë në ambjentet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit në datën 13.05.2016, midis orës 11.45 dhe 12.00. Në këto ambjente nuk gjendej shtetasi Haki Çako dhe oficerët kanë vijuar të prisnin ardhjen e tij. Në orën 12.10 nga kqyrja e librit të hyrje-daljeve në ambjentet e F.P.O. automjeti që mbarte paisjen ka dalë nga këto ambjente në drejtimin e shtetasit shqiptar Entiol Xhelilaj, pra rreth 10 minuta pasi O.P.Gj-të ishin paraqitur në D.P.Policisë me vendimin për sekuestrimin e  kësaj paisje. Nga krahasimi i periudhës para datës 12.05.2016 dhe pas kësaj date, Prokuroria dyshon se për anëtarët e Policisë së Shtetit dhe pjestarët e grupit trajnues ka ndodhur diçka thelbësore, pasi automjeti në periudhën para kësaj date rrinte shumicën dërrmuese të kohës brenda ambjenteve të F.P.O. dhe pas kësaj date ka dalë për të mos u kthyer më. Ka dyshime që hapsira kohore prej gjysëm ore ka shërbyer për të bërë të pamundur sekuestrimin e aparatit.

 

Shtetasi Artion Duka, në cilësinë e Drejtorit të Forcave Operacionale, nuk ka marrë masa për administrimin e pajisjes, si edhe për të siguruar që ajo nuk do të përdorej për qëllime të tjera, përveçse trajnimit. Fakti që mjeti, së bashku me pajisjen “IMSI Catcher” ka lëvizur në të paktën dy herë nga një specialist shqiptar, është një prej arsyeve që e ngarkon me përgjegjësi titullarin e Forcës. Po ashtu, ky shtetas ka deklaruar se pajisja, në përfundim të çdo seance trajnimi, lëvizte së bashku me ekspertët italianë. Ky deklarim rezulton i rremë, pasi, siç shkruhet nga libri i hyrje-daljeve, mjeti me pajisjen ka qëndruar thuajse gjatë të gjithë kohës së trajnimit në ambjentet e Forcës Operacionale. Pika e fundit e shkeljeve të dyshuara se janë kryer nga shtetasi Artion Duka është edhe me e rëndësishmja. Ky shtetas merr përsipër me përgjegjësinë e tij, pa kryer asnjë hulumutim të natyrës penale apo administrative, se gjatë veprimtarisë së përdorimit të aparatit IMSI CATCHER nuk është kryer asnjë veprim i jashtëligjshëm. Ka dyshime të arsyeshme se kjo gjë nuk është e vërtetë. Kështu nga hetimi ka rezuluar se aparati konkret funksionon duke u klonuar si një antenë e rrjetit telefonik Mobile dhe duke marrë rolin e antenës ligjore. Antena e gënjeshtërt emeton një sinjal më të fortë se antena ligjore dhe kësisoj shkakton lidhjen e aparateve fundor nga antena ligjore te antena e gënjeshtërt. Kjo gjë bie ndesh me detyrimet e ligjit 9918 Neni 123/2.

 

Shtetasi Ention Xhelilaj, me funksion Specialist pranë Forcës Operacionale, ka kryer veprime të paautorizuara, siç është përdorimi i mjetit me pajisjen “IMSI Catcher” pa asnjë urdhër me shkrim. Veprimtaria e tij nuk është rregulluar ligjërisht nga eprorët e tij. Ai ka dijeni se në cilën pikë kufitare ka hyre automjeti, ku qëndronte ai gjatë kohës së trajnimit dhe jashtë kësaj kohe. Ai është në dijeni të parametrave teknike të automjetit dhe çfarë ushtrimesh janë kryer në bazë. Ky shtetas nuk ka asnjë tagër ligjor që të ishte kaq afër dhe kaq në dijeni të fakteve. Nga kqyrja e librit të hyrje-daljeve të mjeteve dhe personave në F.O, del qartë se ai ka hyrë e ka dalë me mjetin, të paktën dy herë, duke qenë në drejtim të tij. Ai ka hipur në automjet edhe ditën kur ka dalë vendimi i sekuestrimit për mjetin dhe pajisjen.

 

 

Kryeministri sulmon Prokurorin Adriatik Lalla: Pezullimi Çakos marrëzi

 

Kryeministri Edi Rama në daljen e tij të parë publike me një deklaratë lidhur me skandalin për pajisjen e  përgjimit ka sulmuar hapur kryeprokurorin Adriatik Llalla dhe vartësit e tij, duke i kujtuar reformën në drejtësi. Sipas numrit një të qeverisë, pezullimi i Drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit nuk mund të justifikohet. Madje ai ka shkuar më tej, kur është shprehur se  vazhdimi i hetimeve pas shpjegimeve që u dhanë nga ambasadori i Italisë, ishin të tepërta.  Kryeministri nuk e ka çmuar të arsyeshme hetimin për përgjimet, ndonëse më parë nuk kishte dhënë asnjë deklaratë për këtë fakt. Ai ka folur me tone të ashpra për institucionet e drejtësisë, ndërsa u ka kujtuar se nisja e këtyre hetimeve është një kambanë më shumë për të kryer reformën në drejtësi.  Në reagimin e kreut të qeverisë i kërkohet ndjesë publike qeverisë italiane. “Kjo që ndodhi e pajustifikueshme për Shqipërinë”, thuhet në deklaratën e kreut të qeverisë, ndërsa shton se vendimi i dhënë nga gjykata, dëshmon edhe njëherë tjetër domosdoshmërinë e reformës në sistemin e drejtësisë. Sipas kryeministrit, dëshmitë e dhëna nga ambasada italiane në Tiranë ishin të mjaftueshme, ndërsa rolin e Prokurorisë në ndjekjen e hetimeve e sheh si tendencioze dhe makinacion politik. “Çka ka ndodhur sot me pezullimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit dhe ndalimin e dy drejtuesve të saj, më imponon t’i kërkoj ndjesë publikisht qeverisë mike dhe partnere të Italisë. Kjo  që ndodhi është e pajustifikueshme dhe për Shqipërinë është një tjetër kambanë që bie për emergjencën kombëtare të Reformës në Drejtësi. Mbroj fort pikëpamjen se shpjegimet e dhëna nga Italia përmes ambasadorit italian, pa asnjë detyrim, por vetëm si shprehje e miqësisë së sinqertë dhe vullnetit më të mirë, për të vendosur nën dritën e fakteve legjendën politike të përgjimeve, duhet të kishin mjaftuar që institucioni shqiptar i akuzës të mos përfshihej në një makinacion kaq të rëndomtë politik. Por fatkeqësisht nuk ka ndodhur kështu dhe sot, miqtë e partnerët tanë të provuar në çdo ditë të vështirë të Shqipërisë së këtyre njëzetë e pesë vjetëve, kanë të drejtë të ndjehen të lënduar nga përfshirja e tyre indirekte në një hetim absurd si edhe, më zi akoma, nga veprimi ekstrem që ka ndërmarrë sot prokuroria.

 

Duke u kërkuar ndjesë për këtë “çudi” që e ka dëmtuar jo pak vazhdën e një bashkëpunimi të shkëlqyer, prej të cilit në gjithë këto vite, Shqipëria e shqiptarët kanë përfituar aq shumë, sa kurrë nuk do të mund të lahemi me fqinjët tanë të mirë, dua t’i siguroj miqtë e mëdhenj dhe partnerët e paçmueshëm italianë për mirënjohjen më të thellë e konsideratën më të lartë”,  thuhet në deklaratën e kryeministrit Rama.

 

 

PD: Kryeministri u vetdenoncua për përgjimet e paligjshme

 

Menjëherë pas reagimit të kryeministrit Edi Rama dhe sulmit të hapur që i bëri organit të akuzës, Partia demokratike ka dalë me një deklaratë.Ajo e cilësonë deklaratën e ramës me një letër tipike nga ato që ai shkruan për Elvis Rroshin. Ndërsa shton sekëtë gjë Rama e bënë pikërisht pasi drejtësia kapi në shkelje të ligjit Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë dhe disa vartës të tij, për përgjimet e paligjshme. “Edi Rama duhej sot ti kërkonte ndjesë popullit të tij, qytetarëve, sepse u vërtetua që pajisja e përgjimit është futur në mënyrë të paligjshme dhe është përdorur në mënyrë të paligjshme. E në vend të kësaj, ai i kërkon një falje të pakërkuar, të panevojshme qeverisë italiane, duke e kërkuar me zor ta bëje edhe atë palë në këtë krim shtetëror. Ne e dimë mirë se drejtësia atje, opinioni publik, mediat, shoqëria civile do të reagonin me forcë nëse një pajisje e paligjshme do kishte hyrë në territorin e tyre, pa u deklaruar, dhe do të përdorej pa autorizimin e Prokurorit. Edi Rama duhej sot të dorëzonte Saimir Tahirin, e të hiqte kështu pengesën që ka drejtësia për të bërë hetim të plotë e të gjithanshëm për këtë skandal mbi skandalet. Por ai bën krejt të kundërtën. Sulmon institucionin e prokurorisë, sulmon drejtësinë, vetëm e vetëm për të mbrojtur paligjshmërinë dhe krimin shtetëror. Edi Rama u vetëdenoncua se është ai në krye të përgjimeve të paligjshme. Dhe prandaj kërkon ta mbrojë krimin deri në fund”, thuhet në reagimin e Partisë Demokratike.

 

 

download (4)

 

Pezullimi

Ministri Manjani: Është Çështje e ligjit, nuk mund ta komentojë

 

Mediat kanë qenë të interesuar të marrin një reagim edhe nga Ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani. I pyetur për këtë rast i cili është cilësuar skandal, ministri i Drejtësisë është shprehru i prerë. Ai ka thënë se pezullimi nga detyra e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Haki Çako është çështje ligji dhe në këtë kontekst nuk mund të komentohet prej tij. Reagimi i ministrit ishte tepër i shkurtër, ndonëse mediat kërkuan prej tij më shumë.

 

 

Tahiri: Çako dhe zyrtarët e tjerë të pafajshëm, prokuroria  i shërbeu opozitës

 

Nga panairi i policisë së shtetit, ministri i Brendshëm Sajmir Tahiri ka ofruar mbështetjen e tij ndaj drejtorit të Përgjithshëm Haki Çako menjëherë pas vendimit të Prokurorisë për shkak të pajisjes përgjuese. Ministri tha se është i sigurtë që as Çako as dy zyrtarët e tjetë të uniformave blu nuk kanë shkelur ligjin e as nuk kanë bërë asnjë përgjim. “Haki Çako dhe 2 punonjësit nuk kanë bërë asnjë përgjim. Jap mbështetjen time personale dhe të kryeministrit për drejtorin dhe dy punonjësit. Mbështetje për drejtorin dhe çdo punonjës policie në çdo cep që kryen detyrën me përkushtim ndershmëri duke besuar në misionin e policisë për ti shërbyer qytetarëve për të bërë çmos që shoqëria. Unë besoj që janë të shumtë ata që e dinë se rruga jonë për të reformues drejtësinë ka shumë larmi, janë të shumtë ata që nuk duan që drejtësia të funksionojë”-tha Tahiri. Tahiri tha se kjo është dëshmia e gjallë se PD-ja nuk e do reformën në Drejtësi dhe se po bën çmos për ta bllokuar. “ Nuk kam se si i shmangem një çështjeje që u bë e ditur para pak orësh, lidhur me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë dhe me dy punonjës të tjerë të Policisë së Shtetit. Unë jam shumë i vetëdijshëm që Drejtori i Policisë dhe dy punonjësit nuk kanë shkelur ligjin në asnjë sekondë të ushtrimit të punës së tyre. Nuk kanë bërë asnjë përgjim. E s’kanë bërë asgjë qoftë dhe largësisht e afër me përgjimin. Publikisht i jap mbështetjen time personale, institucionale, mbështetjen e Kryeministrit dhe të Qeverisë.  Për Drejtorin e Policisë dhe dy punonjësit e policisë e për çdo punonjës policie në çdo cep të Shqipërisë që kryen detyrën me përkushtim, me devotshmëri, me ndershmëri duke besuar shumë fort se Policia e Shtetit ka një mision të shenjtë: Për t’i shërbyer qytetarëve dhe për të bërë ç’është e mundur që shoqëria të ndjejë, të perceptojë dhe të ketë mundësi të jetojë duke u garantuar që institucioni të respektojë ligjin në mënyrë të njëjtë, pa të preferuar, pa të përkëdhelur, pa të paprekshëm. Unë besoj që janë të shumtë ata që e dinë se rruga jonë për të reformuar sistemin e drejtësisë ka shumë armiq. Janë të shumtë ata që nuk duan që drejtësia të funksionojë siç duhet në këtë vend”, u shpreh Ministri i Brendshëm Sajmir Tahiri. “Unë e kuptoj që opozita gjendet ngushtë, opozita bashkë me frontin e të keqes që sot nxori kokën dhe që nuk e do Reformën në Drejtësi. Ashtu si kuptoj shumë mirë sakrificën e madhe, të gjithë atyre që janë  të gatshëm të bëjnë gjithçka vetëm për të shpëtuar Saliun që të mos mbetet me gjithë gishtin në gojë. Ne jemi shumë të gatshëm dhe shumë të vetëdijshëm që kjo rrugë ka nevojë edhe për sakrifica. Kjo është një rrugë që ka pengesa por për t’i shërbyer qytetarëve, për të garantuar një Shqipëri më të drejtë, një shoqëri më të drejtë, për të garantuar që qytetarët të jenë nesër të barabartë përpara ligjit dhe për të garantuar që fëmijët tanë, fëmijët e çdo shqiptari të kenë mundësinë të ndërtojnë të ardhmen e tyre pa merakun se kush është i fortë, kush ka para, kush është i lidhur me pushtetin, kush është i lidhur me partitë, kush gjen një prokuror të korruptuar në fuqi, një gjyqtar të korruptuar për të garantuar Shqipërinë e drejtë e së ardhmes”, tha Tahiri.

 

 

Pajisja e përgjimit, Italia tërheq shefin e misionit të Interforcës

 

Italia ka vendosur që të tërheqë nga Shqipëria shefin e misionit të Interforcës. Burime të Shqiptarja.com bëjnë të ditur se Michele Grillo tashmë do të zëvendësohet nga një tjetër emër, por që deri tani ende nuk është bërë i ditur. Grillo kishte aparatin e përgjimit i cili shërbente për trajnimin e palës shqiptare. Opozita shqiptare akuzoi qeverinë dhe Misionin e Interforcës për përdorimin e pajisjes së trajnimit të ekspertëve të policisë shqiptare për përgjime të paligjshme. Pala shqiptare e italiane e kanë refuzuar këtë akuzë duke thënë se pajisja ka shërbyer vetëm për trajnimin e oficerëve të përgjimit të trafikantëve. Grillo ka ardhur në krye të misionit të Interforcës në Shqipëri në qershor të vitit të shkuar.

 

 

Rebani Jaupi pritet të zëvendësoj Haki Çakon pas pezullimit

Pas pezullimit nga detyra te Haki Çakos, pritet qe Rebani Jaupaj të komandohet Rebani Jaupaj. Zevendesimi behet sipas ligjit të policisë, ku në vend të drejtorit komandohet zëvendësdrejtori. Haki Çako ka të drejtë të apelojë vendimin, ndërsa do jetë Gjykata e Apelit ajo që do vendosë pezullimin përfundimtar të tij. Kujtojmë se Haki Çako ka qenë zëvendës i Artan Didit, që u largua pas skandalit me ekstradimin e Mark Frrokut.

 

 

download (5)

 

Kreu i PD: Largimi i Tahirit i hap rrugë  hetimit të plotë të skandalit të përgjimit

 

Basha: I kërkoj Prokurorit të Përgjithshëm dhe prokurorëve të çështjes të bëjnë gjithçka sipas ligjit dhe brenda ligjit dhe të mos ndalen me koka turku

 

Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha reagoi dje përmes një konference të posaçme lidhur me skandalin e përgjimeve dhe vendimin për pezullimin e drejtorit të përgjithshëm të policisë Haki Çako. Por sipas kryedemokratit për të patur një hetim të drejtë dhe të plotë të ccështjes do të duhet që të largohet nga detyra ministri i Brendshëm Saimir Tahiri. Ndaj inkurajojmë me forcë hetimin e shtrirë dhe të plotë të të gjithë personave përgjegjës që kulmojnë në zinxhirin urdhërdhënës me Saimir Tahirin. Në çdo vend me standardin minimal demokratik një Ministër i Brendshëm që kapet duke futur në mënyrë të paligjshme një pajisje të paligjshme përgjimi do të kishte ikur, do të ishte larguar, do të ishte në dispozicion të drejtësisë. Në shtetin e Edi Ramës që betohet dhe përbetohet për një drejtësi të reformuar, Ministri i tij i Brendshëm i kapur në flagrancë, i kapur nga skandali në skandale, jo vetëm nuk ikën por i bën presion Prokurorisë, saboton hetimin. Sot kërkojmë me forcë largimin e menjëhershëm të Saimir Tahirit nga detyra, si parakusht për largimin e çdo pengese që i është vënë përpara prokurorisë në hetimin dhe  zbardhjen e plotë të këtij krimi. Dhe kjo nuk është një kërkesë për një kundërshtar politik të kapur në krim por një kërkesë e ligjshme për të siguruar kushtet për drejtësi të besueshme dhe objektive, të pa influencuar dhe të aftë për të zbardhur këtë skandal të paprecedentë”, deklaroi Basha. Më tej kreu i opozitës i kërkoi Prokurorisë  që të hetojë në mënyrë të plotë përgjegjësinë e ministrit të Brendshëm në çështje. “I kërkoj Prokurorit të Përgjithshëm dhe prokurorëve të çështjes të bëjnë gjithçka sipas ligjit dhe brenda ligjit dhe të mos ndalen me koka turku. Hetimi i plotë i Saimir Tahirit, hetimi i plotë i përgjegjësive të tij për këtë skandal, është ajo çfarë presin shqiptarët, është ajo çfarë pret opozita, institucionet e pakapura të shtetit dhe faktori ndërkombëtar. I bëj thirrje Edi Ramës të largojë Saimir Tahirin nga detyra një orë e më parë.”

 

Qëndrimi

 

Në nisje të fjalimit të tij, lideri i PD-së tha se në atë që e cilësoi si “qeverisjen e njëmijë e një skandaleve” ka një skandal që del mbi gjithë të tjerët dhe ky është skandali i përgjimeve, i cili sipas Bashws përveç të qenit një krim i madh dhe monstruoz është edhe një cenim i qartë dhe shkelje flagrante e sigurisë kombëtare të Republikës së Shqipërisë.  “Gjykata ka dhënë masë sigurie për ish-drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Haki Çako përmes pezullimit dhe ka urdhëruar arrestimin e drejtorit të Operacionales dhe Përgjimeve. Hapa padyshim që unë i inkurajoj, që tregojnë integritet nga ana e Prokurorisë, por që nuk janë të mjaftueshëm. Kryeprokurori i vendit, prokurorët e çështjes, duhet ta dinë qartë qëndrimin tonë. Ne nuk pranojmë dhe nuk do të pranojmë koka turku në këtë proces kaq të rëndësishëm për interesin esencial të vendit, sigurinë kombëtare. Ne nuk do të pranojmë që njeriu në krye të këtij operacioni të pistë të vazhdojë të mbetet në detyrë”, deklaroi ai. Sipas Bashws hapi i parë është dhe duhet të jetë firmosja nga kryeministri i pezullimit të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, largimi i tij nga detyra. “Hapi i dytë, largimi i Ministrit të Brendshëm dhe hapi i tretë, deklarimi para shqiptarëve, se nuk ka asgjë për të fshehur dhe se është gati që këtë çështje t’ia nënshtrojë plotësisht drejtësisë dhe prokurorisë pa pengesa politike, pa presion ndaj hetimit. Por Edi Rama i trembet një hetimi të pavarur dhe përgjegjësive politike që do të nxjerrë në raport me skandalin e përgjimit”. Në këtë kontekst duke e lidhur këtë ccështje edhe me reformën në drejtësi, kryedemokrati tha se kreu i qeverisë,: “ngurron të japë konsensusin e tij për një projekt drejtësie të pavarur dhe të pakapur politikisht. Ndaj pengon çdo reformë që do të mundësonte që në skandale të tilla drejtësia të vepronte paanësisht dhe pa pengesë.  Një hetim që nis dhe nuk pengohet nga kryeministri, një krim shtetëror që ndodh dhe dorëzimi i autorit nuk pengohet nga kryeministri, është pa dyshim një realitet me të cilin Edi Rama nuk mund të përballet”

 

 

Ristani: Ironik e cinike ti kërkosh falje për përgjime të paligjshme e mos u kërkosh falje “viktimave”

 

Sekretari i përgjithshëm i PD-së Arben Ristani reagoi mbi deklaratat e kryeministrit Rama i cili i kërkoi falje ambasadës italiane lidhur  me çështjen e përgjimit.  “Ironike dhe cinike, ti kërkosh te falur italianeve për përgjime te paligjshme qe ke kryer ne vendin tënd dhe te mos ju kërkosh te falur atyre qe kane qene viktima te përgjimit. Dhe viktima te një përgjimi te paligjshëm, janë qytetaret shqiptare, politikane ose jo, gazetare apo diplomate. Te gjithë te mbrojtur njësoj nga kushtetuta, te gjithë qenie qe mbrohen njësoj nga legjislacioni për te drejtat e njeriut. Tregues i qarte ky fakt për te pare se sa lidhje ka ky kryeministër me ligjin dhe reformën ne drejtësi. Për me tepër tregues i qarte i ethshmërisë së tij për ta patur drejtësinë nen thundrën e tij”, tha ai.

 

Komisioni Hetimor për privatizimin e KESH

Ruli: Doni të justifikoni faljen 600 mln euro të Ramës. Balla: CEZ u favorizua nga ish-qeveria

 

Komisioni Hetimor që synon të zbardhë procedurat e momentit të privatizimit të OSSH-së ka thirrur për raportim zyrtarë të lartë të cilët kanë qenë pjesë e procesit të privatizimit, midis tyre ish-Ministrin e Energjetikës Genc Ruli, këshilltaren për ekonominë të Kryeministrit Suzana Guxholli, ndërsa kërkoi si dëshmitar edhe ish-kryeministrin Sali Berisha. Por ndërsa ish-kreu i qeverisë nuk ishte i pranishëm,  Genc Ruli deklaroi para Komisionit se i gjithë procesi është realizuar në transparencë të plotë. Sipas Rulit privatizimi është realizuar me vlerën më të mirë të asaj kohe. “Ky Komision është ngritur vetëm që të vërtetojë që privatizimi i KESH është bërë në mënyrë të paligjshme dhe keq në mënyrë që të justifikojë pse Qeveria Rama ja fali KESH-in dhe fali 600 mln euro. Privatizimi ka qenë i suksesshëm, ai që dështoi është CEZ”, tha ai. Por sipas kreut të Komisionit Hetimor, Taulant Balla, CEZ është favorizuar dhe kjo i ka shkaktuar dëm buxhetit të shtetit. “Një objekt që në 2007 kushtonte ose një mall që në 2007 kushtonte 80 mln dollar, në 2008 kushtonte 130 mln dollar pse duhej ta privatizoje ti me çmimin që kushtonte në 2007 dhe mos ta privatizoje me çmimin që kushtonte në 2008, se është 50 mln dollarë diferencë?”, pohoi Balla. Ndërkohë Këshilltarja për Ekonominë, Suzana Guxholli, deklaroi se privatizimi i OSSH u mbikëqyr nga institucionet më të rëndësishme financiare.

 

Rama humb dhe një tjetër deputet, Ndocaj largohet nga PS: Hap parti të re

 

Eduart Ndocaj do të largohet nga grupi parlamentar socialist dhe Partia Demokristiane. Lajmin e ka bërë me dije vetë Ndocaj në faqen e tij zyrtare në fb, ku njofton krijimin e një partie të re politike. “Pashë të arsyeshme krijimin e një subjekti të ri politik, që nuk do të jetë një parti më shumë, por një alternativë reale në politikbërjen shqiptare. Kam siguruar shumë mbështetje nga Diaspora shqiptare në Europë, Amerikë e po ashtu kam marrë mbështetje të rëndësishme nga SHBA me rastin e vizitës time të fundit. Shqipëria është vendi i të gjithëve e nuk mund të mbahet peng vetëm një elitë ekzistuese politike. Ka plotë shqiptarë që meritojnë të jenë në jetën politike e të japin kontribut në shtetbërje. Kërkoj mbështetjen e të gjithë shqiptarëve për të bërë diçka të mirë në shërbim të vendit”, tha ai Lidhur me skandalin e përgjimeve dhe pezullimin nga detyra të  Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Ndocaj thotë se ndjen keqardhje që ëndrrat e shqiptarëve të 2013 po shuhen para kohë. “Morali i dorëheqjes duhet të jetë një praktikë e pranishme në Shqipëri”.

Lini nje pergjigje