Manjani për “Wiener Zeitung”: Aderimi i Shqipërisë në BE shpejt, reforma kyçe

0
148

Gjatë intervistës Ministr i Drejtësisë Ylli Manjani është shprehur optimist për kalimin e reformës në drejtësi në Kuvend,  ndryshimin e Kushtetutës dhe pastrimin e gjyqësorit nga element të padëshiruar. Për këtë ai ka dhënë dhe një shifër paraprake të gjyqtarëve që mund të preken. Janë 35 gjyqtarët për të cilët ILDKPI ka rezerva sepse nuk kanë deklaruar pasurinë e plotë të tyre

 

Ministri shqiptar i Drejtësisë Manjani shpreson për një fillim të shpejtë të bisedimeve të aderimit në BE.

Tiranë. Shqipëria është tashmë anëtare e NATO-s, por pranimi në Bashkimin Europian nuk është akoma konkret. Qysh nga viti 2014, vendi ka marrë statusin e kandidatit për aderim. Shteti i izoluar për dekada nga pjesa tjetër e botës, në të cilin paga mesatare mujore nuk është as 300 euro, duhet të zbatojë edhe reforma të thella – në ekonomi, administratë dhe drejtësi. Pikërisht reforma në drejtësi është një nga parakushtet më të rëndësishme që Komisioni i BE-së të rekomandojë fillimet e bisedimeve të aderimit me Shqipërinë. Në intervistë, Ministri i Drejtësisë Ylli Manjani shpreh shpresën që organet e Brukselit këtë hap do ta hedhin sivjet.

Wiener Zeitung: Reforma e drejtësisë e planifikuar në vendin tuaj përfshin më shumë se disa korrigjime. Për më tepër bëhet fjalë për reformimin e sistemit, si p.sh., me gjyqtarët. Çfarë duhet të ndryshojë?

 

Ylli Manjani: Është mentaliteti i korporatizmit që ne duhet të luftojmë. Gjyqtarët kanë ndërtuar një sistem të mbyllur në vetvete, në të cilin ata vetë-kontrollohen dhe mbështesin njëri-tjetrin reciprokisht. Kjo vlen edhe për prokurorët dhe Prokurorin e Përgjithshëm. Nëpërmjet kësaj është i mundur abuzimi. Për këtë shkak duhet të ketë një filtër, një forum të përzier, ku ndikim në emërim duhet të ketë edhe parlamenti. Në rastin e gjyqtareve Këshilli i Lartë i Drejtësisë duhet të jetë një instrument verifikimi. Nëpërmjet kësaj, të paktën bëhet më transparente politika e personelit.

Rruga për në BE është e gjatë: (Pamje nga një rrugë në Tiranë.© afp)

 

Një qëllim jo i parëndësishëm është edhe lufta kundër korrupsionit. Më shumë transparencë duhet të ketë në raportet pasurore. Mjafton kjo?

 

Në perceptim shkalla e korrupsionit është faktikisht e lartë. Deklarimet pasurore të detyrueshme duhet të kontribuojnë në uljen e tij. Por duhet të ketë edhe pasoja të tjera. Pasi meqenëse gjyqtarët mbështesin reciprokisht njëri-tjetrin, nuk ngrihen akuza, kur dikush nuk mund të justifikojë sendet pasurore ose kur bën deklarime të gabuara. Një gjyqtar i tillë nuk duhet ta ushtrojë më këtë profesion, pasi ai e diskrediton atë. Bëhet fjalë edhe për krijimin e klimës që qytetarët ti besojnë më shumë drejtësisë.

Për këtë duhet të largohen shumë gjyqtarë?

 

Nuk dua të spekuloj, por Inspektorati përgjegjës ka ngritur rezerva ndaj 30, 35 gjyqtarëve për shkak të deklarimeve të rreme të sendeve pasurore. Është një në dhjetë prej tyre.

 

Nga ana tjetër, ryshfeti në rastin e pagave të ulëta është pjesë e të ardhurave – qoftë për gjyqtarët, policët, mësuesit ose mjekët. Si duhet ta trajtojë problemin e mjeteve të pakta financiare vendi dhe qytetarët e tij?

 

Kjo është një çështje tepër e rëndësishme, pasi edhe nga statistikat del që në ato vende ku të ardhurat janë të ulëta, korrupsioni është tepër i lartë. Për këtë shkak një pjesë e reformës në drejtësi për personelin e drejtësisë duhet të jetë edhe një skemë tjetër e re pagash. Unë propozoj që një gjyqtar meriton më shumë se Presidenti i shtetit. Ndërkohë, ka dy kategori gjyqtarësh. Të parët përdorin të ardhurat e tyre si pretekst për të marrë ryshfet. Por edhe të tjerët, të cilët nuk janë të korruptuar, kanë të ardhura të pakta. Për këtë shkak duhet të rriten pagat.

 

Si duhet të financohet kjo?

Me tarifat gjyqësore.

 

Dhe reforma në tërësinë e saj?

Buxheti nuk është i caktuar, por do të jetë një kosto e madhe financiare.

 

Është e nevojshme edhe një kosto juridike: Sidoqoftë duhet ndryshuar Kushtetuta. Opozita ka rezervat e saj. Do të realizohet shumica e kërkuar në Parlament?

Për këtë jam i bindur. Për sa i takon përmbajtjes së reformës nuk ka ndarje ndërmjet partive politike. Ne e kemi ndryshuar tashmë kushtetutën disa herë – kjo do të ishte hera e pestë. Opozita nuk ka problem me këtë. Por kjo është një lojë taktike për të penguar. Ndërkohë, ka presion jo vetëm nga Bashkimi Europian, por edhe nga brenda: qytetarët e Shqipërisë e dëshirojnë reformën në drejtësi. Ata duan të shohin më në fund që të ndryshojë diçka. Opozita ka shumë arsye për të rënë dakord. Edhe nëse këtë do ta bënte në momentin e fundit, në fund të korrikut.

 

Cilat probleme duhet të përjashtohen deri atëherë?

Duhet të sqarohet disa çështje. Ka disa propozime të cilat i shmangen konceptit të ndarjes klasike të pushtete dhe në vend të kësaj mbështeten në organet e pavarur. Një shembull për këtë do të ishte Tribunali Drejtësisë, i cili është një kombinim ndërmjet Gjykatës së Lartë dhe Kushtetuese dhe ky duhet të zgjidhë mosmarrëveshjet ndërmjet gjyqtarëve. Po vazhdon gjithashtu debati në lidhje me rolin e Ministrit të Drejtësisë dhe kompetencës së tij për procedimet disiplinore. Ka çështje komplekse të cilat duhet të sqarohen, por që nuk drejtohen ndaj një partie apo grupimi politik. Bëhet fjalë për drejtësinë.

 

Por gjithashtu edhe për fillimin e bisedimeve për aderimin në BE. Si i vlerësoni shanset që drita jeshile për këtë do të hapet këtë vit?

Pasi të kemi bërë ndryshimet kushtetuese, ne shpresojmë që Komisioni i BE-së të bindet dhe të rekomandojë fillimet e bisedimeve të aderimit në BE këtë vit. Unë nuk besoj që Shtetet Anëtare do të pasojnë menjëherë. Ne e dimë që në Gjermani ose Holandë ka skepticizëm. Po ashtu është e mundshme edhe një shtyrje për shkak të zgjedhjeve, ose rezervave të tjera. Gjithmonë ka një “Por” dhe për këtë ne jemi të ndërgjegjshëm.

 

Përgatitur nga korrespondentja e ËZ-së Martyna Czarnowska

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here