Realiteti shqiptar dhe meritokracia e munguar

0
139

Bëj shkollën pasi duhet dëftesa. Mbaro universitetin se pa diplomë nuk bën dot. Specializohu se të duhen sa më shumë vertetime për punë. Bëj kurse trajnimi se sa më shumë certifikata të kesh aq më mirë është.

Pyetja më e shpeshtë që bëhet për të marrë pjesë në trajnime, specializime apo kurse është: A ka certifikatë trajnimi apo kursi? Duhet të pyesnin “çfarë ofron kursi”, “çfarë përfitoj unë prej tij”, “sa do të më shërbejë për zhvillimin profesional”, por jo, këto pyetje bëhen rrallë.

Të mundohesh të gjesh sot dikë që dëshiron vërtetë të investojë në dije dhe jo në certifikata është e vështirë. Dhe tregu i është përgjigjur kësaj manie duke ofruar mundësi të shumta për certifikata.

Si rezultat, edhe pse roli i certifikatave duhet të jetë dëshmi e një aftësie të fituar, ato në Shqipëri e kanë humbur tashmë këtë rol. Sot kudo këshillohen certifikata dhe jo dije. Të rinjtë këshillohen “të hipin në makinë” pa u bërë ende “shoferë”. Kështu për shembull të rinjtë nxiten të mësojnë përciptas programe të thjeshta kompjuterike, pa njohur logjikën dhe hapat e punës, si bazë e përdorimit të programeve me efiçencë. Një rast ilustrues janë financierët që mësojnë programe kompjuterike financiare pa njohur ende mirë bilancet.

Të rinjve ju sugjerohet të jenë shumëfuksionalë dhe shumëdimensionalë, por kjo që fatkeqësisht po zbeh deri në zhdukje kompetencën e kërkuar në një drejtim, njohurinë e thelluar në një fushë profesionale.

Të rinjtë orientohen tek mesatarja e notës dhe askush nuk u thotë se nuk ka rëndësi sa ke lexuar apo çfarë note ke marrë, por çfarë ke kuptuar dhe di. Dhe në mënyrë të “justifikuar”, pasi fatkeqësisht diplomat universitare përbëjnë sot kriterin e vetëm të punësimit në tregun tonë të punës. Të gjithë vërsulen drejt këtij tregu plot diploma e certifikata, por krejtësisht të papërgatitur. Tashmë, arsimi i lartë nuk përbën më arritje, pasi nuk mjafton më as një diplomë bachelor apo master për të qenë i preferueshëm, pasi të gjithë kanë një e më shumë se një të tillë.

Nga ana tjetër, certifikimet po bëhen dita-ditës edhe më abuzive, mbi të gjitha si mjet për justifikimin formal të punësimeve klienteliste apo nepotike në sektorin publik, i cili është punëdhënësi më i madh në vend—e thënë shqip, certifikimet vlejnë për t’u punësuar me mik apo njohje.

Lind pyetja: Kur do të mund ta heqim mendjen nga certifikatomania dhe të mendojmë për meritokracinë dhe përvetësimin e specializimeve duke i mbrojtur njohuritë e marra me fanatizëm në punë, diskutime, debate intelektuale dhe në fund, me rezultate konkrete e kurrsesi me certifikata?

I preferuar do të duhet të jetë ai që e reflekton nivelin në komunikim dhe me rezultatet në punë e jo ai që pretendon t’i mbrojë njohuritë duke tundur certifikatat. Ndërsa për të fituar një pozicion pune të kërkohet kompetenca në komunikim, vetëbesimi, besimi absolut tek aftësitë sidomos tek ato personale, për ta mbajtur punën më gjatë të duhen dhe kërkohen aftësitë apo niveli i lartë i zotërimit të kritereve profesionale.

Ndërsa për të qenë i suksesshëm në gjetjen e punës të duhen dhe kërkohen strategji “agresive” dhe imponuese, formale por edhe informale, kur kemi të bëjmë me një treg pune të pakonsoliduar dhe të pastrukturuar, për ta mbajtur punën më gjatë nevojitet luajalitet, fleksibilitet, aftësi të jashtëzakonshme përshtatjeje, profesionalizëm, të qenit në mënyrë të pandërprerë të motivuar, energjikë, por dhe ekstremisht surprizues dhe burim i pashtershëm idesh për punëdhënësin tënd.

Njiheni veten më shumë, vetëanalizohuni mbi potencialin që mbartni dhe përdoreni atë fuqishëm dhe të palëkunduar mbi atë që jeni, që ofroni dhe që prisni t’ju ofrohet, pasi do tju ndihmojë të negocioni dhe jo të merrni “lëmoshë” duke pranuar oferta nën investimin që keni bërë tek vetja.

Meritojini certifikimet dhe komunikoni mbi informacionin e përvetësuar dhe jo mbi certifikatën e tij. Flisni më shumë për atë që jeni, që keni dhe që i ofroni punëdhënësit tuaj dhe jo shumë për institucionin ku jeni certifikuar.

Mos flisni shumë për trajnerin që jua ka dhënë kualifikimin, por përvetësojeni tek vetja atë dhe veproni sipas tij duke e konsideruar si pjesë integrale tuajën.

Mos mbushni dosjen plot me certifikata, por këmbëngulni për t’u zhvilluar dhe azhornuar vazhdimisht me të rejat e fundit.

Të jeni të sigurtë se një trajnim apo certifikim i djeshëm është i vjetëruar nga një informacion apo trajnim i sotëm. Ritmi me të cilin zhvillohet bota, me të cilin duhet të ndryshojë edhe Shqipëria, është aq supersonik sa çdo sekondë në atë që ndodh duhet të vigjilohet me kujdesin më maksimal, në të kundërt humbasim garën me konkurrencën dhe tregun, në profesionin apo profilin të cilit i përkasim.

“Exit.al”

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here