“Drejtësi pa vonesa”, Manjani: Vonesa sjell korrupsion, duhen gjykata proaktive

0
165

 “Reforma në drejtësi është nëna e të gjitha reformave dhe për zbatimin e saj duhet patjetër që të ketë një gjykatë proaktive. Nëse gjykata shërben me vonesë, atëherë ky ekuacion del negative”

 

Shkaqet që çojnë në zvarritjen e  proceseve gjyqësore, përmirësimi i planifikimit dhe administarimit të çështjeve si dhe forcimi i bashkëpunimit me palët gjyqësore. Këto kishte si qëllim takimi i zhvilluar ditën e djeshme në Shkodër nga prezenca e OSBE-së si dhe Projekti  i USAID-it . I pranishëm në këtë  aktivitet me tem “për një drejtësi pa vonesa” ishte dhe Ministri i Drejtësisë Ylli Manjani. Gjatë fjalës së tij, Ministri Manjani theksoi se gjykatat duhet të veprojnë me shpejtësi, duke nënkuptuar se ku ka vonesa, ka edhe korrupsion, ndërkohë që u ndal edhe në nocionin e standardit të gjykimit të pandërprerë, duke e cilësuar atë si mjaft të rëndësishëm dhe një kusht i cili duhet respektuar medoemos. “Sot kalojmë në një fazë të dytë të këtij projekti ku mbulohen të gjitha gjykatat e shkallës së parë. Patjetër që reforma në drejtësi është nëna e të gjitha reformave dhe për zbatimin e saj duhet patjetër që të ketë një gjykatë proaktive. Nëse gjykata shërben me vonesë, atëherë ky ekuacion del negativ. Gjykata duhet të shërbejë shpejt, sepse ku ka vonesë ka korrupsion. Njerëzit janë të prirur që nëse vonohet gjyqi, dmth se ka korrupsion dhe dikush po shkëmben para në emër të drejtësisë që po vonohet. Ky projekt na jep një mundësi që të zgjedhim drejtësinë e shpejtë. Njerëzit duhet të dinë se kur është data e fillimit dhe e mbarimit të gjyqit. Sot jemi këtu për të shpallur një fazë të re, cilësisht ndryshe, duke nisur që nga caktimi i seancave gjyqësore”, u shpreh  Manjani. Ai vuri në dukje se shpesh perceptimi i publikut është që nuk trajtohet njësoj dhe kjo sjell rënien e besueshmërisë. “Drejtësi pa vonesa do të thotë drejtësi profesionale, e paanshme dhe e besueshme. Reforma e programuar është e thellë dhe duhet bërë e tillë sepse nuk ka rrugë tjetër. Në gjykatat e shkallës së parë, aty ku shqyrtohen provat, ka nevojë për kohë, por kjo kohë nuk mund të jetë në varësi të taktikës së avokatëve apo të atyre që duan të fitojnë gjyqet me rrugë të tjera”, tha Ministri Manjani.

 

Rritja e aftësisë së komunikimit

 

Gjithashtu, në kuadër të qëllimit që kjo nismë kërkon të realizojë,  Manjani vlerësoi se është shumë e rëndësishme të rritet aftësia komunikuese dhe këtë kërkesë ai e adresoi në mënyrë të veçantë për kryetarët e gjykatave. “Përdoruesit e gjykatave nuk janë jurist por kanë prirjen të perceptojnë fenomenet që shohin me sytë e tyre, në mënyrat e tyre. Që ky perceptim të përmirësohet ka nevojë për komunikim dhe jo një komunikim me gjuhë të drunjtë por të kuptueshëm dhe të thjeshtë, që njerëzit të kuptojnë se çfarë ka ndodhur”, u shpreh Ministri Manjani. Në përfundim, ai bëri  një apel për kryetarët e gjykatave, që të jenë përkrahës të kësaj nisme dhe t’u krijojnë të gjitha lehtësitë e nevojshme punonjësve të këtij projekti për të ushtruar detyrën e tyre, përsa kohë synimi i kësaj nisme është edhe rikonceptimi i një axhendë të re të punës së çdo gjyqtari. Nisma “Për një drejtësi pa vonesa” e pati pikënisjen e saj si një projekt pilot në Gjykatën e Krujës në shkurt të vitit 2014 dhe pak më vonë u shtri edhe nga Gjykatat e Korçës, Pukës dhe Tropojës. Nisur nga suksesi i projektit fillimisht në këto katër gjykata, kjo nismë do të shtrihet në tre vitet në vazhdim në të gjitha gjykatat e rrethit të Shqipërisë.

 

Ndërkombëtarët

Florian Raunig: Nisma pa vonesa mekanizëm për të përmirësuar drejtësinë

 

Drejtori i USAID në Shqipëri, Marcus Johnson, së bashku me Ambasadorin e OSBE-së Florian Raunig prezantuan Nismën “Drejtësi pa Vonesa”.  Secili nga folësit theksoi angazhimin e institucioneve të tyre për “Drejtësinë pa Vonesa” si një mekanizëm për përmirësimin e sistemit të drejtësisë në Shqipëri dhe rikthimin e besimit të qytetarëve tek gjyqësori si dhe përmirësimin e aksesit në drejtësi.  Drejtorit Johnson dhe Ambasadorit Raunig iu bashkuan edhe Ambasadori Johann Sattler i Austrisë, Ministri i Drejtësisë Ylli Manjani, përfaqësues të lartë të sektorit të drejtësisë dhe Kryetarët e Gjykatave në rang Apeli, Rrethi dhe Administrative, të cilët do të jenë bashkëpunëtorë të rëndësishëm për këtë nismë të re. Në 2013, OSBE dhe Projekti i USAID JuST bashkuan përpjekjet për të filluar Nismën “Drejtësi pa Vonesa,” një program për të ndihmuar Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Krujë dhe vetëm pas pak muajsh zbatimi, Gjykata prodhoi rezultate domethënëse në rritjen e efektshmërisë së gjykimeve. Ka patur një ulje thelbësore në numrin e seancave gjyqësore jo produktive, numri mesatar i seancave gjyqësore për çështje ra në mënyrë domethënëse, dhe numri i çështjeve të zgjidhura nga çdo gjyqtar pothuajse u dyfishua. Nisma u shtri më pas në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Korçë në 2014, dhe në Gjykatat e Pukës dhe Tropojës në 2015. Gjyqtarët dhe stafi mbështetës, nën udhëheqjen e partnerëve ndërkombëtarë dhe lokalë analizojnë arsyet për vonesat në gjykatën e tyre dhe angazhohen për një planifikim dhe administrim të përmirësuar të çështjeve duke forcuar bashkëpunimin me pjesëmarrësit në gjykim, përfshirë institucionet shtetërore. Në prezantimin e kësaj nisme Drejtori Johnson tha “Drejtësia pa Vonesa përfaqëson një metodë praktike dhe pragmatike se si mund të përmirësohet sistemi gjyqësor. Përgjithësisht, gjithçka duhet për ta zbatuar është vullneti,udhëheqësia nga gjyqësori dhe arsyetimi praktik.” Bazuar në suksesin e programit në katër gjykatat e para, Nisma e Drejtësisë pa Vonesa do të shtrihet tani në të gjitha gjykatat e rretheve gjyqësore në vend. Nisma do të vazhdojë të mbështetet nga USAID nëpërmjet Projektit të ri Drejtësi për të Gjithë dhe nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri e cila është në partneritet përsa i përket financimit me Agjencinë Austriake për Zhvillim. Ministria e Drejtësisë dhe Këshilli i Lartë i Drejtësisë vazhdojnë t’i japin mbështetjen e plotë teknike kësaj nisme. Zbatimi ka filluar tashmë në Gjykatën e Rrethit Durrës dhe shumë shpejt do të vazhdojë në Gjykatat e Rretheve Kukës, Lezhë dhe Shkodër. USAID dhe OSBE bëjnë me dije se të gjitha gjykatat e rretheve do ta kenë zbatuar projektin deri në Shkurt 2019.

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here