Standard.al

EKSKLUZIVE/ Skandal në QSUT, KLSH kërkon shkarkimin e drejtoreshës së Ramës

2

EKSKLUZIVE

– Ja gjithë shkeljet dhe bëmat “rilindëse” të ish-drejtoreshës së Bashkisë para vitit 2011, që u katapultua dhe mbahet në këmbë nga vetë kryeministri dhe bashkëfajtori i tij Ilir Beqja

–  Kallëzohet penalisht shefja e hemodializës

Ervin Kaduku

Kontrolli i Lartë i Shtetit kërkon nga kryeministri që të shkarkojë urgjentisht drejtoreshën e përgjithshme të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë, si dhe ka bërë tashmë kallzim penal për shefen e hemodializës për shkelje të rënda të ligjeve dhe rregullave në fuqi.

Kontrolli

KLSH ka zbarkuar për të disatën herë në Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza, Tiranë, duke analizuar periudhën 01.01.2014 deri më 30.09.2015. Në këtë institucion shtetëror konstatohen pasaktësi të tilla, si psh në praktikat dokumentare të QSUT, buxheti për t’u detajuar paraqitet me 4.4 miliardë lekë, kurse në urdhrin e brendshëm të titullarit të QSUT-së urdhërohet detajimi i buxhetit për vlerën prej 3.5 miliardë lekë. Gjatë monitorimit të realizimit të buxhetit të vitit 2014, u konstatua se në situacionin përfundimtar të shpenzimeve për vitin 2014, në kolonën plan të artikullit “Paga, shpërblime e shpenzime të tjera personeli”, si dhe të artikullit “Transferta buxhete familjare/ llog. 606”, nuk janë të njëjtat vlera me ato të raportuara/paraqitura nga Sektori i Buxhetit, i cili është pjesë përbërëse e Drejtorisë Ekonomike. Në situacionin përfundimtar, të nënshkruar e vulosur edhe nga Dega e Thesarit Tiranë, vlera e artikullit “Paga, shpërblime e shpenzime të tjera personeli” në kolonën plan nuk ka të përfshirë ndryshimin në pakësim prej 50 milionë lekëve të VKM nr. 638, datë 01.10.2014, ndërsa nga Sektori i Buxhetit kjo vlerë është përfshirë. I njëjti fenomen u konstatua edhe për artikullin “Transferta buxhete familjare/llog. 606”.

U konstatuan pasaktësi në vlerën e pasqyruar si amortizim të akumuluar, pasi nuk është llogaritur amortizimi vjetor për çdo aktiv, si dhe nuk janë pasqyruar shtesat dhe pakësimet në fund të vitit ushtrimor. U konstatuan pasaktësi në normën e përdorur të amortizimit për pajisjet kompjuterike, informatike dhe në metodën e amortizimit të përdorur. Vlera sipas inventarit fizik të pajisjeve dhe vlera sipas kontabilitetit nuk janë të barabarta, duke reflektuar një sërë pasaktësish në evidentimin e aktiveve që janë në shfrytëzim pranë QSUT. U konstatua një vlerë e konsiderueshme rreth 95 milion lekë në llogaritë “Kërkesë arkëtimi mbi debitorët”, ku përfshihen llogaritë analitike “Persona, paradhënie, gjoba”; “Debitor të ndryshëm” etj, me rreth 110 persona dhe subjekte të ndryshme, juridike, fizike, dhe penalitete, pa shpresë arkëtimi. Ndër këta debitorë ka edhe subjekte juridike që vazhdojnë të kenë aktualisht marrëdhënie me QSUT.

Nga auditimi u konstatua se shërbimi i dializës është shoqëruar me një dinamikë në rritje si të numrit të pacientëve dhe të vlerave të kontratave, me arsyetimin se ka pasur një tendencë gjithmonë në rritje të pacienteve me këtë diagnoze shoqëruar me mungesë te kapaciteteve spitalore dhe pajisjeve mjekësore në QSUT. Për vite me radhë kryerja e këtij shërbimi për një numër të caktuar pacientësh u ka kaluar spitaleve private.

 

Drejtoresha për përmirësimin e gjendjes, KLSH i ka rekomanduar Kryeministrit të fillojë procedurat për dhënien e masës disiplinore deri në “Largim nga detyra” për Ogerta Manastirliu, me detyrë Drejtor i Përgjithshëm i Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” Tiranë, për arsye se: Në tenderin me objekt dhënien e shërbimit të “Mirëmbajtjes së pajisjeve mjekësore” zhvilluar në vitin 2014 nga MSH, nuk ka bashkëvepruar me të, për të saktësuar se ky shërbim, në zbatim të kontratës lidhur midis Ministrisë së Shëndetësisë dhe A…….” datë 20 tetor 2010 në Vjenë, me vlerë 7,100,000 euro, është përcaktuar të bëhet nga QSUT. Si rezultat i këtij veprimi/mosveprimi, QSUT rezulton të ketë shpenzuar fonde publike pa efektivitet deri në përfundim të auditimit në vlerën afro 600 milionë lekë të vjetra.

Po kështu, përfshirja e dy pajisjeve skaner dhe akselerator në kontratën e shërbimit të “Mirëmbajtjes së pajisjeve mjekësore …” është në kundërshtim me sa është parashikuar në nenin 20 “Trajnimi”, aneksin C të kontratës me të njëjtin emërtim “Trajnimi” etj, të “Kontratë blerje” me vlerë 7,100,000 euro lidhur në midis Ministrisë së Shëndetësisë dhe A……., për rrjedhojë vlera e kontraktuar prej afro 80 milionë lekësh lekë gjithsej, paraqitet potencialisht shpenzim pa efektivitet, i cili është realizuar proporcionalisht me masën e zbatimit të kontratës. Zj. Manastirliu në cilësinë e titullarit/nëpunësit autorizues të QSUT, mbështetur në nenin 8 dhe 9 të ligjit nr. 10296, datë 8.7.2010, “Për menaxhimin financiar dhe kontrollin” është përgjegjëse për shpenzimet e kryera pa efektivitet pasi kontrata midis ministrisë dhe kompanisë austriake është mbyllur në vitin 2014, kohë më të cilën ka qenë (dhe është) titullar/nëpunëse autorizuese e QSUT dhe ka qenë detyrim i saj të njoftonte Ministrinë e Shëndetësisë se kryerja e “Shërbimit të mirëmbajtjes” së pajisjeve mjekësore është detyrë e QSUT, thuhet në raportin auditues.

Në përfundim të auditimit konstatohet se QSUT ka në zotërim një kapacitet sterilizues mbi dyfishin e nevojave të saj dhe me kosto maksimale mirëmbajtjeje dhe blerje vegla mjekësore për operacione, deri 5 milionë lekë/vit. Përballë kësaj situate titullari i QSUT nuk ka ndërmarrë asnjë veprim për të përcaktuar shkaqet/përgjegjësitë e kësaj gjendje. Në tërësi nga veprimet e mësipërme dallohet qartë performanca e ulët dhe përdorimi pa eficencë, efikasitet dhe ekonomicitet i fondeve publike, i shoqëruar me efekte financiare negative.

Hemodializa

KLSH ka bërë kallëzim penal për mjeken A.S. me detyrë nefrologe, në cilësinë e mbikëqyrësit të kontratave me operatorët privatë për shërbimin e e Hemodializës pasi gjatë vitit 2014 ka lejuar/pranuar/ që spitali privat X të kryejë shërbimin e hemodializës me frekuencë mbi 13 seanca/muaj për pacient, në kundërshtim me kontratën fillestare, në të cilën është përcaktuar që numri i seancave që do të kryejë një pacient në javë, nuk duhet të jetë më i lartë se tre. Nga kryqëzimi i të dhënave midis datës së largimit të pacientëve nga pavijoni i nefrologjisë në QSUT, datës në të cilën janë futur për trajtim tek operatori privat dhe numrit të seancave të kryera e faturuara, rezultuan pagesa të kryera, në kohën që pacientët nuk kanë qenë të shtruar në Spitalin X me vlerë 2.626.269 lekë, e cila përbën dëm ekonomik për QSUT. Nuk ka mbajtur regjistër themeltar, ose dokument tjetër, nuk ka krijuar një database në të cilin të ishte i regjistruar çdo pacient, nëpërmjet së cilës do të evidentohej/verifikohej historiku i pacientëve, gjendja klinike e tyre, kohën në të cilën është futur në shërbimin e dializës, mënyrën se si pacienti është orientuar tek operatori privat për të marrë shërbimin dhe shpenzimet e kryera. Në shërbimin e hemodializës, deri në muajin Maj 2014 janë trajtuar jashtë numrit të përcaktuar në kontrata dhe të pa miratuara nga bordi 166 pacientë me kosto fillestare 10.309 lekë/seanca, ndryshuar në 11.204 lekë seanca, ku mesatarisht ata kryejnë 13 seanca në muaj, ose llogaritur në vlerë mesatarisht 24,178,232 lekë më tepër se sa vlerat e parashikuara në kontratat përkatëse.

Nga auditimi i likuidimeve të kryera nëpërmjet bankës, në zbatim të kontratave me spitalet private për shërbimin e dializës gjate vitit 2014 është paguar shërbimi i transportit për dializantët, ku nga auditimi u konstatua se sipas kushteve të kontratës është përcaktuar se për çdo seancë të kryer çdo pacient do të rimbursohet në vlerën 419 lekë si shpenzime transporti. Nga likujdimi i tyre u konstatua se këto shpenzime bëheshin bazuar thjesht në një listë emërore të paraqitur dhe hartuar nga operatori privat dhe që vuloset nga mjekja nefrologe e QSU A.S. Nga ana e grupit të auditimit u auditua përputhshmëria midis pacientit – seancave që kryente dhe shpenzimit të transportit që merrte, dhe rezultoi se shuma që përfitonte i faturohej dhe kalonte në llogaritë e operatorëve privatë dhe jo pacientëve. Në asnjë rast pacienti nuk është paguar në bazë të numrit të seancave që kryente, si dhe rezultuan raste që personi që listohej te shpenzimet e transportit nuk ishte në listat e pacientëve që faturoheshin për seancat që kryenin pranëspitaleve të operatorëve privatë. Shuma në total e pajustifikuar me dokumentacion vërtetues për shpenzimin e transportit llogaritet në vlerën 6,908,656 lekë, e cila ju është likuiduar operatorëve privatë, në kundërshtim me nenin 4 dhe 26 e ligjit nr. 10296 datë 08.07.2010 “Për menaxhimin financiar dhe kontrollin”.

=========

Autokritikë e Financave: Politikat fiskale penguan zhvillimin

Politikat qeveritare në drejtim të konsolidimit fiskal të ndjekura nga qeveria shqiptare në dy vitet e fundit në disa raste kanë qenë në dëm të rritjes ekonomike të vendit. Konkluzionin e ka nxjerrë vetë Ministria e Financave këto ditë në publikimin e Raport Progresit të Strategjisë së Menaxhimit financiar 2014-2020. Përpjekjet për të vënë në binarë arkën e shtetit janë përballur me sfida të tilla si një borxh publik në rritje, politika joadekuate dhe prioritizimin e shpenzimeve dhe një paragjykim i vazhdueshëm në parashikimet optimiste të rritjes së PBB-së. Raporti i progresit thotë se, Ministria e Financave nuk mundi të përmbushë detyrimin kohor për ndryshime në ligjin organik të buxhetit brenda vitit 2015. Reduktimi i borxhit publik gjatë periudhës afatmesme kërkon zotim politik për të mbështetur konsolidimin fiskal, prandaj rivendosja e kufijve për borxhin në ligj, në gjysmën e parë të 2016 paraqet emergjencë.

Strategjitë sektoriale nuk janë të lidhura tërësisht me parashikimet afatmesme dhe jo gjithmonë japin informacion të plotë në lidhje me kostot e plota dhe burimeve të financimit shtesë. Raporti i monitorimit vë në dukje se ende nuk ka veprime konkrete për forcimin e kapaciteteve të administratës publike të cilat të mund të vlerësojnë kthimin social-ekonomik të projekteve të investimeve kapitale. Procesi ka shumë të meta nga vlerësimi pamjaftueshëm i projekteve dhe vendimeve të fragmentuara financimit. Gjithashtu për shkak të vonesave në blerjen e programeve, aktivitetet e planifikuara të tilla mbi monitorimin e borxhit dhe investimeve kapitale ende nuk kanë nisur. Monitorimi vë në dukje se duhet përmirësuar efikasiteti i Departamenteve Hetimore në Tatime dhe Dogana.

=====

Aeroporti Kukës, mirëmbajtja kushton 120 mln lekë në vit

Aeroporti i Kukësit që kur u ndërtua në vitin 1999 nuk është vënë asnjë ditë në punë, por ndërkohë ka krijuar harxhime të konsiderueshme në financat publike te vendit. Aviacioni Civil vetëm për këtë vit ka planifikuar të prokurojë rreth 15 milionë lekë për mirëmbajtjen e objektit, pa përfshirë rrogat e punonjësve. Shpenzimet më të mëdha janë për shërbimet e ruajtjes dhe sigurisë së aeroportit, që llogariten në 14 milionë lekë vetëm për ketë vit. Gjithashtu për mirëmbajtjen dhe riparimet e zyrave janë planifikuar 333 mijë lekë për këtë vit dhe po kaq para janë planifikuar të tenderohen për mirëmbajtjen e objekteve. Me gjithë rrogat e punonjësve shpenzimet publike për Aeroportin e Kukësit llogariten në miliona euro që kur ai u ndërtua në vitin 1999.

Por nëse objekti vihet në punë sipas planit të qeverisë do të duhen miliona euro shtese investime për ta bërë funksional. Duke qenë se kanë kaluar 15 vite nga ndërtimi i tij kostot e amortizimit janë të larta ndaj duhen investime të reja. Mirëpo qeveria shqiptare shpreson ti faturojë këto harxhime kompanisë që do të ofrohet për të marrë në administrim këtë aeroport. Objekti aktualisht është ndërtuar anë të qytetit në afërsi të Autostradës së Kombit dhe shihet të jetë më leverdi për fluturimet loë cost. Ndërtimi i aeroportit verior kushtoi rreth 12 milionë dollarë, por studimet e fizibilitetit të bëra në dekadën e fundit nuk kanë qenë shumë optimiste. Ndërkohë ministria e Transportit ka sqaruar se, kompanitë te huaja po interesohen Aeroportin e Kukësit.

=====

INSTAT: Femrat shpërngulen më së shumti drejt qyteteve

Dinamikat e popullsisë për vitin 2015 tregojnë për një zhvendosje të popullsisë drejt zonave urbane, por kjo tendencë rezulton të jetë më e theksuar për femrat, sipas një raporti të fundit të INSTAT. Më fund të kaluar 57,2% e popullsisë jeton në zonat urbane dhe 42,8% jeton në zonat rurale. Zonat urbane janë më shumë të populluara nga femrat, 54,4% e popullsisë urbane janë femra. Ndërkohë në zonat rurale jetojnë më shumë meshkujt, këto zonat janë të populluara nga meshkujt me 53,1% e popullsisë së tyre, vë në dukje INSTAT. Kjo shpjegohet dhe nga lëvizjet e brendshme të popullsisë të cilat kanë qenë më shumë të orientuara nga zonat rurale në ato urbane dhe kryesisht për femrat, shpjegon Instituti i Statistikës ne raportin përmbledhës. Nga lëvizjet e brendshme të vitit 2015 rezulton se 57,5% e popullsisë së larguar janë femra. Mosha mesatare e popullsisë për vitin 2015 është 37,2 vite.

Për meshkujt mosha mesatare është 36,4 ndërkohë për femrat është 37,9 vite. Mosha mesatare më e lartë tek femrat shpjegohet pasi femrat kanë jetëgjatësi më të lartë. Për vitin 2015 jetëgjatësia në lindje është llogaritur të jetë 76,1 vite për meshkujt dhe 79,7 vite për femrat. Kjo do të thotë se femrat jetojnë mesatarisht 3,6 vite më shumë se meshkujt. Popullsia e Shqipërisë vazhdon të jetë në rënie. Krahasuar me një vit më parë rënia është 0,24% në total, respektivisht shënohet një rënie 0,05% për meshkujt dhe 0,44% për femrat. Shtesa natyrore për të dy gjinitë është afërsisht e njëjtë. Rënia ka ardhur kryesisht nga migracioni neto i cili është negativ dhe është më i lartë për femrat. Raporti gjinor i popullsisë gjithsej është 51% meshkuj dhe 49% femra.

2 Comments
  1. ALDO says

    pse penalizojne drejtoreshen kur tenderin se ka bere qsut por ministria????

    Le tja lene qsut te prokuroje dhe pastaj ta gjykojne.

    KJO ESHTE E VETMJA KA PUNUAR.

  2. goni says

    Arjana strakosha perseri. E tere familja me probleme me ligjin. Cfare turpi.

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.