Kërkohen dy shqiptarët e arratisur nga burgu i Selanikut, të akuzuar për vrasje dhe rrëmbime

0

Gjuetia për dy shqiptarët e arratisur nga ambientet e paraburgimit në Selanik të Greqisë vazhdon, megjithëse asnjë shenjë e tyre nuk është gjetur. Mëngjesin e së martës autoritetet vunë re se dy të burgosur mungonin. Dy shqiptarët: 42-vjeçari Ludovik.D dhe 33-vjeçari Kanina L, të hënën ishin transferuar aty, në pritje që pas disa ditësh të shpërndaheshin në burgjet e Greqisë.

Loading...

42-vjeçari shqiptar ishte dënuar me burgim të përjetshëm për akuzën e rëndë të vrasjes. Ai ishte planifikuar të dërgohej për të vuajtur dënimin në burgun e sigurisë së lartë Nigrita. Kurse 33-vjeçari ishte planifikuar që të dërgohej në burgun Dhomoko. Autoritetet greke janë në alarm pasi 42-vjeçari shqiptar, që është arratisur, është i rrezikshëm.

Ludovik.D ishte arrestuar që më 24 janar 2009 pas një përplasjeje me armë zjarri me policinë, pasi një javë më parë ndaj tij ishte ngritur akuzë për vrasjen e një 50-vjeçari shqiptar, i cili punonte në një pikë karburanti në Oreokastro të Selanikut. Në atë kohë 35 vjeç Ludovik.D kishte hapur zjarr edhe ndaj forcave të policisë që ishin vënë në ndjekje të tij. Gjatë shkëmbimit të zjarrit kishte mbetur i plagosur një polic. Po ashtu, 42-vjeçari ka kryer edhe dy rrëmbime. Njëra ka ndodhur në vitin 1998 kur u rrëmbye një vajzë 16 vjeçare në Oreokastro të Selanikut. Kurse dhjetë vjet më vonë, më 2008, rrëmbeu biznesmenin Jorgos Ajvazoglu në zonën e Lahano-agora.

Për këtë krim, shqiptari u gjykua bashkë me një patriotin e tij, por asnjëherë nuk e pranoi akuzën. Ndërsa shqiptari tjetër Kanina.L, është dënuar për trafik lëndësh narkotike. Nga të dhënat që pohon drejtoria policore qendrore e Greqisë, dy shqiptarët kanë arritur të zhduken përmes dritares së qelisë, duke sharruar hekurat e saj.

Policia greke ka përforcuar kontrollet në kufij me Shqipërinë pasi dyshohet se mund të futen në tokën shqiptare, për t’i shpëtuar drejtësisë greke. Gjithashtu thuhet se janë njoftuar edhe autoritetet shqiptare.

Loading...

Lini nje pergjigje