Familje mafioze shqiptare me lidhje të forta me trafikantët kolumbianë të drogës merren me trafikun e kokainës nga Kolumbia në drejtim të Italisë. Mediat në Itali shkruajnë se shqiptarët kishin marrë përsipër të trafikonin 1.5 ton kokainë nga sasia prej 8 tonësh që u kap dy ditë më parë në Kolumbi. Ata do ta dorëzonin drogën te Ndrangheta, organizata mafioze italiane që vepron në jug të vendit. Më pas, një pjesë e saj do të kalonte sërish nëpermjet Shqipërisë për t’u shpërndarë në disa vende të BE. Lidhjet e familjeve mafioze shqiptare, gjithnjë sipas mediave italiane, ishin me klanin e njohur të narkotrafikut, të quajtur “Usuga”.