Skandali me pronat/ Turpi i qeverisë shqiptare me pronarët del në Strasburg

0

–   Pronarët: Ajo çka u tha zyrtarisht për misionin e dy ministrave në Strasburg është një mashtrim

Loading...

–   Reforma në drejtësi rrezikon të dështojë sepse ligjet në fuqi, por edhe ato që miratohen, nuk janë në respekt të të drejtave të njeriut, por kundër tyre

–   Qeveritarët mendojnë se, ashtu siç manipulojnë gjykatat shqiptare, do ta mashtrojnë edhe Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut

 

Ervin Kaduku

 

 

Më datë 9 maj 2016 u mësua lajmi se një delegacion i nivelit të lartë i kryesuar nga ministrat Ahmetaj dhe Manjani shkoi në Strasburg dhe takoi presidentin e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ), Guido Raimondi, ku kërkoi as më shumë e as më pak që GJEDNJ të ndërpresë vendimmarrjen për çështjet që pronarët shqiptarë kanë ankimuar në atë Gjykatë. Sipas avokatit Agim Toro, sekretar i përgjithshëm i shoqatës së ish-pronarëve, ajo çka u tha lidhur me këtë takim zyrtarisht është një mashtrim i madh. Ai akuzon përpjekjen e Ekzekutivit për të bekuar një herë e përgjithshmonë vjedhjen e pronave në vite…

 

Zoti Toro, pse pronarët shqiptarë i janë drejtuar Strasburgut?

Sepse politika shqiptare vetëm sa ka gënjyer pronarët, sepse gjykatat shqiptare nuk zbatojnë Kartën Evropiane të Lirive dhe të të Drejtave të Njeriut, por janë të korruptuara dhe zbatojnë vetëm porositë e politikës. Lidhja e ngushtë politikë – sistem i drejtësisë është bazë e kësaj situate dhe politikanët janë të qetë se nuk ka kush t’i dënojë.

Çfarë ka vendosur GJEDNJ?

Në të gjitha rastet në favor të pronarëve duke e detytruar Shtetin të paguajë për pronat që nuk i kthen fizikisht.

Çfarë i thanë ministrat z. Guido Raimondi?

Se ligji i ri e zgjidh problemin.

 

A i zgjidh ligji i ri kërkesat e pronarëve për pronat që për 25 vjet klasa politike shqiptare i trajtoi sipas interesave klanore?

Jo.

 

Po qe se me ligjin e ri zgjidhjet janë në përputhje me vendimmarrjet e GJEDNJ atëhere pse kërkohet pezullimi i vendimmarrjeve nga ajo e nderuar Gjykatë?

 

Sepse GJEDNJ nuk gjykon si Qeveria Shqiptare, por konform Konventës që Qeveria Shqiptare, megjithëse e ka nënshkruar, e shkel brutalisht atë dhe ligji i ri për trajtimin e pronave shkel të drejtat e pronarëve që ata i kanë të garantuara nga neni 181 i Kushtetutës.

 

Cili është qëndrimi i Gjykatës së Strasburgut?

GJEDNJ në disa vendime të saj thekson se pagesa për pronat që nuk kthehen duhet bërë me çmimin e tregut sot dhe sipas zërit kadastral sot.

 

 Ku është ndryshimi?

Tek çmimi arbitrar dhe disa qindra herë më i ulët.

 

 Pse shkuan ministrat në Strasburg?

Të ndalojnë vendimmarrjen.

 

Mos mendon Qeveria se mund të urdhërojë GJEDNJ siç urdhëron Gjykatën Kushtetuese Shqiptare, e cila, sipas urdhërit të Qeverisë, nuk pranoi kërkesën e pezullimit të ligjit deri në marrjen e vendimit përfundimtar?

 

Une personalisht nuk mund ta mendoj që një Qeveri, e kujtdo shteti, të ndikojë një gjykatë ndërkombëtare, siç është GJEDNJ, që ajo mos gjykojë çështje të ankuara nga shtetasit evropianë.

 

A ka kërkuar herë të tjera Qeveria pezullimin e vendimmarrjes nga GJEDNJ dhe cili ka qenë vendimi i saj?

Më 2014 u tha se u pranua nga Këshilli i Evropës që mos merreshin vendime nga GJEDNJ. Por GJEDNJ e hodhi poshtë kërkesën e Qeverisë Shqiptare. Prandaj besoj se edhe kërkesa e re do të ketë të njejtin fat si një çështje e gjykuar.

 

Pse Qeveria nuk zbatoi vendimin pilot “Manushaqe Puto dhe të tjerë kundër Shqiperisë”?

Sepse nuk kishte asnjë vullnet për të zgjidhur problemin e pronave, por nisej vetëm nga interesa politike dhe ekonomike të klaneve drejtuese, që bien ndesh me të drejtën e pronësisë dhe nenin 181 të Kushtetutës dhe Qeveria sajoi një zgjidhje alla shqiptarçe.

 

Po Presidenti i GJEDNJ a do jetë dakort me Qeverinë?

 

Nuk është e mundur që Presidenti i GJEDNJ të pranojë që një shtet të shkelë të drejtat e njeriut dhe Gjykata që ai drejton të mos i gjykojë ato.

 

A mendon Qeveria se Presidenti i Gjykatës mund t’i imponohet trupës gjykuese të GJEDNJ?

Qeveria mendon se ashtu si u imponohet gjykatave shqiptare dhe i tremb ato me “reforma”, mund të funksionojë edhe me GJEDNJ, por kjo është e pamundur të ndodhë.

 

Nga kush është marrë vendimi pilot kundër Shqipërisë?

 

Nga Dhoma e Lartë e GJEDNJ dhe është vendim gjykate, që nuk mund të ndryshojë. Por Qeveria mendon se një vendim pilot mund të anulohet sepse këtë koncept ka për drejtësinë. Ku është reforma në drejtësi kur kërkohet të ndalohet vendimmarrja në GJEDNJ, që është ngritur për të dhënë drejtësi? Ky është një grusht që i jepet reformës në drejtësi, pasi shuplakën e parë ja dhe ministri i Drejtësisë, që ushtroi presion për vendimmarrjen e Gjykatës Kushtetuese dhe meqenëse Gjykata Kushtetuese zbatoi kërkesën e Qeverisë, mendoi që të njejtin presion t’ia bëjë edhe Strasburgut!! Vajmedet çfarë konceptesh kanë për drejtësinë dhe çfarë reforme do të miratojnë e jo më të zbatojnë…

 

Mos kërkojnë të bëjnë reformë në drejtësi edhe në Strasburg?

Për të qeshur e për të qarë!!

 

Pse ky qendrim i Qeverisë, ligji i ri si vlerësohet nga ju?

Ligji i ri luan me konceptin kompensim dhe ndërhyn në vendimmarrjet e deritanishme, që i rivlerëson sipas dëshirës dhe vullnetit për të ulur në maksimum pagesat. Kjo është plotësisht në kundërshtim me GJEDNJ.

 

Po premtimi se do të vendosen para’ të mjaftueshme për këtë qëllim?

Është gënjeshtra e radhës. Trumbetohet me të madhe se janë vënë në dispozicion 24 milionë dollarë. Nuk është e vërtetë, janë paratë e vëna në vitet 2014 dhe 2015, që nuk u shpërndanë. Gjithashtu të dallojmë sa para’ janë për pronarët dhe sa para’ janë për pagesën e pronarëve që shpronësohen për efekt legalizimi. Autoritetet po paraqesin në opinion sikur po paguajnë, por asgjë nuk ka për të ndodhur. E gjithë kjo bëhet se pas një viti do të vijnë zgjedhjet dhe ky vit do jetë plot me gënjeshtra e mashtrime, por asgjë nuk do të behet. Asnjë vendim për ato 11.000 dosje që flenë nuk do të merret. Do të jetë e vetmja Qeveri që gjatë katër vjetëve në qeverisje nuk do të marrë asnjë vendim për pronarët që kanë hapur dosjet dhe presin vendimin.

 

Po ku kanë shkuar pronat e trashëguara të shtetasve që u konfiskuan nga diktatura komuniste?

U ndanë dhe vazhdojnë të ndahen me ligjin famëkeq 7501, i vlerësuar nga Gjykata Kushtetuese Shqiptare si ligj për interes publik.

U përvetësuan nga ndërtimet pa leje; fillimisht u pranuan ndërtimet deri në vitin 2006, pastaj deri në vitin 2009 e tashmë deri në vitin 2014. Edhe ky ligj i legalizimeve për çudi u vlerësua si interes publik.

U përvetësuan me dokumenta të falsifikuara e me makinacione nga më të ndryshmet korruptive nga oligarkia politike dhe deputetët e papërgjegjshëm.

U privatizuan ku deshën e si deshën, por vetëm në interes të pronarëve të ligjshëm të tyre jo.

U përvetësuan nga korrupsioni politik dhe ekonomik.

 

Si do të shkojë e drejta e pronës dhe zbatimi i nenit 181 të Kushtetutës?

Këtë përgjigje e përgjegjësi e ka sistemi i drejtësisë në Shqipëri e në veçanti Gjykata Kushtetuese, që shumë rrallë ka gjykuar në favor të pronarëve, por në pjesën dërmuese të gjykimeve ka vendosur kundër tyre e në favor të politikës. Të shohim tani çfarë vendimi do të japin për ligjin e ri të pronave, megjithëse fryma u duk që në mosmiratimin e kërkesës për pezullimin e ligjit, që do të ishte minimumi i përgjegjësisë civile.

Qeveria nuk do ta prekë statukuo-në dhe kërkon që, me pronat tona, të bëjë tregti, duke i shitur me ankande për njerëzit e vet apo për miqtë e shokët.

 

Në qoftë se kërkohet reformë në drejtësi, përse atëhere duhet kjo reform, që drejtimi i pushtetit gjyqësor apo i prokurorisë të kalojë sa në një dorë në një tjetër?

Nuk mund të ketë reformë në drejtësi në qoftë se nuk ndryshojnë ligjet për pronat në atë pjesë që ato shkelin të drejtat e njeriut dhe paralelisht të veprohet me gjyqtarët e prokurorët e korruptuar. Për këtë, duhet që nga drejtuesit e politikës të hiqet dorë nga porositë e Ramiz Alisë: të sekuestruarve dhe të shpronësuarve do t’u japim nga një letër në dore, t’u njihet prona, por asnjëherë nuk do t’ua japim, në forma të ndryshme t’i ngatërrojmë me njeri-tjetrin, të kalojnë në Gjykatë, ku do të zbatohet rotacioni, nga gjykata e shkallës së parë në të dytën e për difekte teknike kthim për rigjykim në shkallën e parë. … Pasuria, e tëra, na përket ne, se ne e bëmë…!

 

Çfarë vendimesh do të marrin Gjykatat Shqiptare për çështjen e pronave, sipas ligjeve antipronë që miraton Kuvendi me porosi të Qeverisë apo sipas vendimmarrjes se GJEDNJ?

Të shohim pas miratimit të reformës çfarë do të ndodhë. Qeveria me qendrimin e vet për pronat pronësoi veten me pronat tona dhe i dha vetes të drejtë t’i shesë, t’i falë, t’i premtojë me një euro, t’i shpronësojë pronarët në favor të miqve të vet që do të investojnë, etj etj. Pra qeveria tha: nuk ka rëndësi çfarë thotë Kushtetuta, rëndësi ka çfarë na intereson ne që të sigurojme pushtet dhe pasuri.

Reforma në drejtësi rrezikon të dështojë sepse ligjet në fuqi, por edhe ato që miratohen, nuk janë në respekt të të drejtave të njeriut, por kundër tyre.

Ajo çka u tha zyrtarisht për misionin e dy ministrave në Strasburg është një mashtrim. Reklama që iu bë atij takimi është pjesë e arrogancës dhe kokëfortësisë së Qeverisë për të mos parë realitetin në sy. Pjesë e këtij aktiviteti është dhe Agjencia e Trajtimit të Pronave. Ky institucion, që ka ndyshuar disa emra, nuk ka analizuar vendimet e fundit të Strasburgut të dhëna pas miratimit të ligjit 133/2015, sepse drejtohet nga mentaliteti, se ashtu siç manipulojnë gjykatat shqiptare, do ta mashtrojnë edhe GJEDNJ.

Të gjithë e dinë se GJEDNJ nuk është dhe nuk mund të bëhet gjykatë shqiptare.

Loading...

Lini nje pergjigje