Aktivistja: NUk pendohem, do ta godisja sërisht Kryeministrin me vezë

0
118

Kryeministër arrogant-fjalëmblin, i cili ul tonet dhe shton batutat në takimet me bizneset private brenda në fakultet publik, e jashtë u hakërrehet studentëve që ua përdor mjediset për hapësirë propagandistike; që është neoliberal i majtë; ndjek politika të djathta edhe pse pretendon të jetë socialist.

Listën e epiteteve kundrathënëse për Ramën mund ta vazhdojë lehtësisht çdokush që është syhapët dhe i ndjeshëm për katandisjen e arsimit të lartë sot. Kështu dhe unë bashkë me shoqet e mia, për arsyet e lartme, por edhe për shumë të tjera që cenojnë drejtpërdrejt të tashmen dhe të ardhmet tona si studente të universitetit të ashtuquajtur publik, goditëm me vezë në drejtim të kryeministrit. Paskëtaj edhe pse e dhunuar prej kostumzinjve kryeministrorë, edhe pse e përqeshur si pulë që kakaris, e tanimë edhe si e përndjekur penalisht me çështje të hapur në gjykatë, unë nuk pendohem që veza e hedhur në drejtim të tij doja që t’i prekte egon prej lartmadh’nie pikërisht atje ku ai mendonte se mund të vendosë me dorë të lirë. Në mungesë të arsyes e ndërgjegjes së tij, unë nuk pendohem as se doja që veza t’i njolloste kostumin e kushtueshëm me të cilin kapardisej katedrës ku jepte leksion për biznesin e shëndetshëm privat. Nuk mund të pendohem kurrsesi as përballë gjatësisë e hijes së tij të parfumosur me arrogancë, që burracakërisht iu fsheh thirrjeve tona, duke u tërhequr me bisht ndër shalë drejt strehëzës së vet me katër rrota.

Do ta godisja sërish kryeministrin, që qëllimi i shtetit tonë të mos jetë pasurimi i një grushti përtacësh e që arsimi të mos kthehet në një marrëzi të padobishme dhe të shtrenjtë, të konsumueshme veç prej këtyre përtacëve pasanikë. Nëse pata njëmijë arsye për ta qëlluar me një vezë, tash do të doja njëmijë vezë për ta goditur për secilën arsye.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here