Standard.al

Protesta e Veliajt/ Unioni i Gjyqtarëve: Po bëhet presion ndaj gjyqtarëve

0

Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë ka reaguar lidhur me protestën e organizuar nga Bashkia e Tiranës para Gjykatës së Apelit Administrativ kundër ndërtimit të pallatit 17 katësh tek diga e liqenit Artificial.

Përmes një njoftimi për mediat, Bordi i këtij Unioni ngre shqetësimin për ushtrimin e trysnisë ndaj gjithë trupës gjyqësore të Gjykatës Administrative të Apelit lidhur me çështje konkrete, të cilat janë ende në gjykim.

Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë thotë se ushtrimi në këto përmasa i trysnisë ndaj gjykatës, nga palë ndërgjyqëse, qofshin këto edhe institucione shtetërore është i paprecedentë.

“Në datën 11.05.2016 përpara godinës ku ushtron veprimtarinë e saj Gjykata Administrative e Apelit, u mbajt një protestë e cila filloi në orën 10:30 dhe zgjati deri në orën 13:15. Nga mediat kemi ardhur në dijeni se protestën e ka thirrur dhe organizuar Kryetari i Bashkisë Tiranë Z.Erion Veliaj.

Duke respektuar të drejtën e protestës së gjithkujt, në format dhe mënyrat që parashikon ligji, ngremë shqetësimin tonë në lidhje me ushtrimin e trysnisë ndaj gjithë trupës gjyqësore të Gjykatës Administrative të Apelit lidhur me çështje konkrete, të cilat janë ende në gjykim.

Ushtrimi në këto përmasa i trysnisë ndaj gjykatës, nga palë ndërgjyqëse, qofshin këto edhe institucione shtetërore është i paprecedentë. Mënyra e zhvillimit të kësaj proteste përpara godinës së gjykatës jo vetëm ka penguar funksionimin normal të veprimtarisë së Gjykatës Administrative të Apelit për disa orë, por ka cenuar në mënyrë të padrejtë imazhin e gjykatës”.

Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë kërkon nga organet kushtetuese vendimmarrëse në lidhje me gjykatat, që të ushtrojnë autoritetin e tyre kushtetues dhe ligjor për të ndërprerë çdo lloj trysnie njo vetëm ndaj daj gjyqtarëve të Gjykatës Administrative të Apelit por edhe gjithë gjykatave të tjera.

“Lutemi gjithashtu organizmave ndërkombëtarë, që veprojnë në Shqipëri të mbikëqyrin situatën dhe të ushtrojnë sadopak ndikimin e tyre, për eleminimin e çdo forme të presionit ndaj Gjykatës Administrative të Apelit në veçanti dhe gjithë gjykatave në përgjithësi, pasi ky fenomen i përsëritur po kërcënon rrezikshëm pavarësinë e sistemit gjyqsor në Shqipëri”.

 

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.