Bangladesh/ Ekzekutohet udhëheqësi io lartë islamik
Bangladeshi ka ekzekutuar një udhëheqës të lartë islamik për krime të kryera gjatë luftës për pavarësi nga Pakistani në vitin 1971, ka bërë të ditur ministri i Drejtësisë i vendit.
Motiur Rahman Nizami, 72-vjeçar, është ekzekutuar me varje në orët e hershme të së mërkurës (sipas kohës lokale), ka thënë Anisul Haq, raporton BBC.
Nizami kishte udhëhequr partinë më të madhe islamike të Bangladeshit, Jamaat-e-Islami. Ekzekutimet e mëparshme të liderëve të kësaj partie patën nxitur protesta të dhunshme në vend.
Javën e kaluar, Nizami ka humbur apelin e tij përfundimtar kundër dënimit me ekzekutim.
Ai është shpallur fajtor për gjenocid, përdhunim dhe torturë, akuza që sipas mbrojtjes nuk janë vërtetuar përtej dyshimit të arsyeshëm.
Siguria ka qenë e lartë në mbarë vendin para ekzekutimit. Mbështetësit e Nizamit kanë protestuar jashtë burgut qendror të Dakas, ku është kryer ekzekutimi.
Nizami është lideri i katërt i Jamaat-e-Islamit që është ekzekutuar që kur kryeministri Sheikh Hasina ka themeluar një tribunal për krime lufte për t’u marrë me rastet e abuzimeve gjatë luftës për pavarësi.