Partizani shokohet nga Bylis,Laçi ndal Kukësin

0
154

Të kuqtë kanë humbur në të Tiranë ndaj ballshiotëvë duke i dhënë kështu  fund shpresave për titullin kampion

Partizani shkatërron një sezon brenda 90 minutave. Të kuqtë ndalen në një humbje befasuese nga Bylisi në “Qemal Stafa” duke u larguar edhe më shumë nga kryesuesit e Skënderbeut. 2-1 fituan ballshiotët në kryeqytet ku arritën të bëjnë surprizën e kësaj jave, pavarësisht sagës së gjatë të vuajtjeve në rrugën drejt Tiranës. Ndeshja filloi me 6 minuta vonesë për shkak të problemeve të skuadrës ballshiote që mbërriti në Tiranën në limitin e orarit zyrtar. Për më tepër, miqtë udhëtuan drejt kryeqytetit edhe pa trajnerin Zildzovic, i cili nuk ishte pjesë e skuadrës për këtë sfidë. Në krahun tjetër, Agostinelli preferoi të hidhte në fushë portierin Xhika, pasi kapiteni Alban Hoxha vuan nga një dëmtim i lehtë i pësuar në derbi. Ndeshja nisi e qetë dhe Partizani e ngacmoi portën mike për herë të parë në minutën e 14 kur Fili vetëm për pak centimetra nuk arriti të devijonte me kokë një krosim nga e majta, ndërsa në minutën e 21, të kuqtë pretenduan për një penallti pas rrëzimit të Sukajt në zonën e rreptësisë. Kryesori Jubica nuk ishte i këtij mendimi duke akorduar një godityje dënimi në zonën e rreptësisë me dy takime. Ishte Sukaj ai që nuk arriti të shënjestronte rrjetën duke e stampuar topin në shtyllë. Vetëm pak sekonda më pas, Hoxhaj, i cili shënoi edhe në sfidën e disa muajve më parë në “Qemal Stafa”, ngriu të kuqtë me një goditje të saktë me kokë pas harkimit të Dukic nga e djathta. Partizani nuk arriti të impononte lojën për të kërkuar golin e barazimit, duke u ndalur nga ballshiotët të rresjhtuar mirë në mbrojtje. Vetëm në minutën e 41 Sukaj u bë i gjallë në mbrojtjen kundërshtare me një të djathtë të pasaktë, ndërsa Fejzaj kishte mundësinë e artë për të dyfishuar në të 46-ën, por nuk arriti të koordinohej. Fili u tregua mjaft aktiv në sulmin e Partizanit pasi në minutën e 51 ngjalli panik në zonën kundërshtare ku u rrëzua dhe pretendoi një 11 metërsh, ndërsa pak sekonda më vonë tentoi me kokë por goditja e tij kaloi mbi traun e Frashërit. Në të 59-ën, Sukaj u tregua sërish i pasaktë, ndërsa në të 70-ën, Realdo Fili shenoi golin e tretë me fanellën e kuqe dhe të dytin rresht pas atij në sekondat e fundit të derbit. 12 minuta nga fundi, topi përfundoi në këmbët e Fejzullahut që tentoi cepin e majtë të portës ballshiote por nuk arriti të fializonte me sukses. Partizani e rriti presionin asfiksues në zonën kundërshtare pasi në të 82-ën Sukaj kishte në këmbë një top të artë duke shpërdoruar një tjetër mundësi. Por çfare mundesie për Bylisin 5 minuta nga fundi kur Hoxhaj rrezikoi të kalonte sërish në avantazh Bylisin pas një harkimi të ardhur nga e majta. Hoxhaj ishte njeriu që dërrmoi të kuqtë me golin e dytë personal në minutën e 86, duke i dhënë goditjen fatale skuadrës së Agostinellit. Partizani i dorëzuar nuk arriti të bënte asgjë për të kthyer rrjedhën e takimit në minutat e mbetura, duke mos përfituar kështu nga asisti i Teutës që arriti të ndalte në barazim Skënderbeun. Të kuqtë do të udhëtojnë drejt Korçës me shpresat minimale që u jep matematika dhe me 5 pikë për t’i zeruar në dy javët e fundit, një mision gati gati i pamundur, ndërsa në krahun tjetër Bylisi vazhdon të qëndrojë në lojë për mbijetesën me 31 pikë, duke vazhduar ndjekjen ndaj treshes Flamurtari-Vllaznia-Laçi.

 

Vllaznia merr tre pikë ndaj Tërbunit

 

Vllaznia fitoi 2-0 përballë Tërbunit, duke zgjedhur të shfaqej cinike dhe të synonte suksesin. Dhe në fakt, 3 pikët vlenin më tepër se goleada, pavarësisht se matematika ka vulosur rënien nga kategoria të pukjanëve. Kapiteni i shkodranëve, Ndriçim Shtubina, hapi serinë e golave pas 8 minutave lojë. Në të 13-ën, ishte mbrojtësi malazez Stefan Cicmil ai që dyfishoi shifrat, me një devijim të saktë me kokë. Kaq mjaftoi për të mbyllur çdo diskutim, pavarësisht se Tërbuni tregoi krenari deri në fund të lojës, duke rrezikuar kundërshtarët. Me suksesin e arritur, i dyti në katër ndeshjet e fundit, Vllaznia ngjitet në vendin e gjashtë, në kuotën e 36 pikëve. Diferenca nga Bylisi i vendit të parafundit është 7 pikë, pas barazimit të mallakastriotëve në fushën e Partizanit. Rezultati në Qemal Stafa do të thotë se në dy javët e mbetura kuqeblutë janë të pakapshëm nga rivalët dhe siguruan qëndrimin në elitë, pas një kampionati të nisur mes problemeve të theksuara financiare, ku rrezikuan që për herë të parë në histori të binin nga kategoria.

 

Kukësi ndahet në paqe me Laçin

 

Edhe pse në letër nuk cilësohet favorit, Laçi konfirmoi se do të jetë një rival i sikletshëm për Kukësin në finalen e Kupës së Shqipërisë, që do të luhet më 25 Maj. Kurbinasit barazuan 1-1 në shtëpi përballë të besuarve të Klodian Duros në javën e 34-rt të Kategorisë Superiore, duke i komplikuar edhe rrugën drejt Europa League nga kampionati. Përballja nisi me dominimin e kuksianëve, që kërkuan golin prej minutave të para. Pas mundësisë së shpërdoruar nga Dvornekoviç, që nuk përfitoi nga pasiguria e portierit Selmani, në të 8-ën ishte Lladrovci që mund të shënonte. Por, me portën e boshatisur mbrojtësi nga Drenasi nuk gjeti devijimin drejt rrjetës. Tentativa e parë e Laçit ishte më tepër një dalje e pastudiuar e portierit Koliçi, që nuk u shfrytëzua,  ndërsa në minutën e 16-të, Kukësi kishte një tjetër mundësi për të shënuar me Hasanin. Edhe pse i vetëm me portën, mesfushori nuk arriti të godiste si duhet, me Çelën që largoi topin, duke shpëtuar të tijtë. Pa forcën e duhur ofensive, Laçi u mbështet te malazezi Marko Çetkoviç, i pafat në tentativcën e parë, ndërsa provoi sërish edhe përpara pushimit ndërmjet pjesëve me goditje standarde, pa shqetësuar Koliçin. Numri 10 i Laçit mbeti rreziku kryesor për mbrojtjen kundërshtare edhe në fraksionin e dytë të lojës, duke mos kalibruar si duhet goditjen. Por, me vendasit të pafatë, Kukësi gjeti avantazhin në të 71-ën, me 11-metërshin e fituar nga Dvornekoviç, pas duelit me Çelën. Pavarësisht protestave të lojtarëve bardhezi, vendimi i gjyqtarit Meta ishte i pandryshueshëm dhe braziliani Zhan Karioka nuk gaboi.  Portieri nga njëri krah dhe topi nga tjetri. Megjithë goditjen e marrë, Laçi nuk u dorëzua dhe pas tentativës së Mustafës  dhe manovrave ofensive të Çetkoviç, gjetën golin e barazimit në kohën shtesë.  Mbrojtja e veri-lindorëve nuk arriti të largonte rrezikun dhe Argjend Mustafa me një goditje potente nuk i la mundësi për të reaguar portierit Koliçi. Skuadrat ndahen në barazim, ndërsa Kukësi është i paralajmëruar.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here