“Java e nxehtë”, zbardhet drafti i SHBA dhe BE-së

0

Lu: Ndaloni lojërat politike, reforma në drejtësi duhet të miratohet në fund të qershorit

Loading...

 

Kryediplomati amerikan në Tiranë: Nëse reforma dështon, anëtarët e këtij komisioni do të turpërohen. Kush e bllokon do përballet me zemërimin e shqiptarëve vitin e ardhshëm

 

Ambasadorja Vlahutin: Shqipëria nuk mund të përballojë më humbjen e kohës, kjo është një mundësi unike për vendin

 

Gëzim Saliu

 

Me një gjuhë më pak diplomatike por shumë të drejtpërdrejtë, ambasadori i SHBA-ve ë vend Donald Lu kërkoi dje nga palët politike që të avancojnë sa më shumë me reformën në drejtësi duke vendosur edhe afate për përfundimin e saj. I pranishëm në tryezën e komisionit të posaçëm ku u paraqit edhe një draft përfundimtar, kryediplomati amerikan në vend tha se duhet të ndalen lojërat politike. “E mëshiroj partinë e verbër politike apo udhëheqësin e shurdhët politik që e bllokon këtë reformë.  E para, do të dështoni nëse kërkoni ta bllokoni këtë reformë. E dyta, do të përballeni me zemërimin e publikut shqiptar vitin e ardhshëm në zgjedhjet parlamentare, nëse mendoni se mund të mbroni gjykatësit dhe prokurorët e korruptuar duke e bllokuar këtë reformë. Së fundmi, i kërkoj komisionit sot të mbështesë një kalendar, një kalendar të vërtetë për miratimin e kësaj reforme në këtë komision deri në fund të majit dhe në parlament deri në fund të qershorit. Ndaloni lojërat politike dhe filloni ta përfundoni këtë reformë. E keni për detyrë”, tha Lu.

 

Qëndrimi

 

Që në nisje të deklaratës së tij para anëtarëve të komisionit, ambasadori amerikan u duk qartë se nuk ishte i pranishëm në mbledhje thjesht për të bërë deklaratën e radhës rutinore. “Nëse kjo reformë dështon, ju anëtarët e këtij komisioni do të turpëroni njerëzit që ju kanë zgjedhur. Dhe, do të turpëroni marrëdhënien tuaj me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Europian. Por fatmirësisht, ne nuk do ta lejojmë të dështojë. Vendi po shpreson që ju ta realizoni këtë reformë me sukses.  Ne do t’ju ndihmojmë ta bëni këtë”, nisi fjalimin e tij kryediplomati amerikan në vend. Më tej pasi vlerësoi ekspertët Smibert dhe DeVille, Lu theksoi se në fund të diskutimeve të gjitha palët duhet të votojnë pro reformës në sistemin gjyqësor. “Gjatë vitit të shkuar, kam parë znj. Merkel, znj. Mogherini, z. Hahn, z. Kerry dhe z. Obama t’i kërkojnë Shqipërisë ta miratojë këtë reformë.  Nuk kam parë kurrë mbështetje të tillë nga aleatët tuaj më të afërt për asnjë temë tjetër. Të gjithë e pranojmë sa e rëndësishme është kjo për të ardhmen e Shqipërisë”, pohoi ai. Për më shumë lidhur me këtë çështje ai solli në vëmendje në mbledhjen e Komisionit edhe mbështetjen e popullit shqiptar ndaj reformës.  “Ju dhe unë e dimë se populli shqiptar, të pasur e të varfër, të rinj e të moshuar, qytetarë të fshatit e qytetit, burra e gra, e kërkojnë këtë reformë.  Nëntëdhjetë e një për qind e mbështesin këtë reformë.  Mendojeni pak. Shqiptarët nuk bien dakord për shumë gjëra e megjithatë 91 për qind mund të bien dakord se vendi ka nevojë për këtë reformë”, deklaroi ambasadori amerikan.

 

Vlahutin

 

Ndërkohë ambasadorja e Bashkimit Evropian në vend Romana Vlahutin tha se Shqipëria nuk mund të humbasë më shumë kohë. “Të dy palët, BE dhe SHBA jemi këtu se jemi të interesuara për Shqipërinë. Nuk do të lejojmë që politika e përditshme të dëmtojë këtë të ardhme të Shqipërisë dhe do ta ndihmojmë të bëhet një demokraci funksionale. Mendoj se tani gjërat janë shumë të thjeshta. Ju keni përgjegjësi dhe personale dhe politike para vendit dhe para popullit tuaj. Një mundësi unike për Shqipërinë, mos e harxhoni atë kot”, deklaroi ambasadorja  e BE-së. Sipas saj nëse ky momentum humbet, vendi nuk do të humbë jo një, por shumë vite. “Ne besojmë se Shqipëria nuk mund të përballojë më humbjen e kohës. Nuk e ekzagjeroj kur them se kjo është një mundësi unike për Shqipërinë. Ju lutem mos e çoni dëm”, shtoi Vlahutin.

 

Meta: Koha që reforma në drejtësi të jetësohet, në javët që vijnë dhe jo në muajt që vijnë

 

“Miratimi i ndryshimeve kushtetuese dhe i reformës në drejtësi është një kusht nga ana e BE-së”

 

 

Kreu i Kuvendit Ilir Meta deklaroi dje se paketa e ndryshimeve kushtetuese për reformën në drejtësi duhet të jetësohet sa më parë. Pas një takimi që zhvilloi me ambasadorin e SHBA-së Donald Lu dhe kryediplomaten e BE-së ne Tiranë Vlahutin, kreyparlamentari deklaroi në një konferencë të mbajtur për drejtësinë se kjo reformë duhet të miratohet në javët në vijim dhe jo muajt e ardhshëm.  “Ka ardhur koha që kjo reformë të jetësohet, në radhë të parë përmes ndryshimeve kushtetuese, por e theksoj, në javët që vijnë dhe jo në muajt që vijnë. Njëkohësisht është koha që kjo reformë të monitorohet sesi do të zbatohet”, tha Meta. I pyetur më pas nga mediat për afatet e vendosura, kreu i Kuvendit tha se është shumë e rëndësishme që të miratohet sa më të shpejt paketa e ndryshimeve kushtetuese. “Duhet të ishte bërë dje, jo sot, akoma më keq të bëhet nesër, sepse ka disa afate të cilat janë bërë publike edhe më parë dhe të cilat lidhen edhe me vetë axhendën e procesit integrimit evropian të vendit tonë, duke qenë se është bërë tashmë publik synimi për të kërkuar rekomandimin për hapjen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Dhe dihet që tashmë miratimi i ndryshimeve kushtetuese dhe i reformës në drejtësi është një kusht nga ana e BE-së”- pohoi Meta. Më tej ai tha se shumicën e çështjeve të debatueshme mes palëve i ka ezauruar në mënyrë të qartë dhe të thelluar Komisioni i Venecias, që është i gjithëpranuar. “Prandaj mesazhi dhe apeli im është të fillojmë sa më shpejt procedurat për miratimin e paketës kushtetuese, që i hap rrugë reformës në drejtësi. Të përqendrohemi të gjithë në mënyrë konstruktive në këtë drejtim dhe t’i përmbahemi atyre afateve që kemi rënë dakord edhe me Bashkimin Evropian edhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si partnerët tanë kryesor që na kanë asistuar që nga dita e parë e nisjes së kësaj reforme dhe që do të na mbështesin edhe më tej në synimet që ka vendi”. Nga ana tjetër Meta nënvizoi se LSI ka qenë mjaft e angazhuar në mënyrë konstruktive në gjithë këtë proces,: “por është e rëndësishme që në fund fare kjo reformë të miratohet, të jetë e standardeve ndërkombëtare, kjo është e domosdoshme. I pyetur lidhur me propozimin e ish-kryeministrit Berisha për të bërë një ndryshim ligjor që parashikon mbajtjen e armëve nga qytetarët shqiptarë, Meta deklaroi se,: “Mendoj që miratimi i Reformës në Drejtësi absolutisht do të japë një mundësi të jashtëzakonshme për zbatimin e ligjit në vendin tonë siç dëshirojmë të gjithë qytetarët e tij”.

 

 

Loading...

Lini nje pergjigje