Rovena Dilo letër të hapur: Kush jeni ju që të më merrni pronën time?

0
172

Kush jeni ju?!

Dy fjalë dua t’ju them dhe dua t’jua them duke ju parë në sy. Mënyrë më të mirë për t’ju parë në sy, duke ju shkruar këtë letër e hapur, nuk ka! Dy fjalë juve, dy zotërinjve të “politikës” shqiptare dhe të gjithë atyre që ju mbështesin fort në rrugëtimin tuaj drejt zhvatjes.

Unë kam një pyetje të thjeshtë dhe jua bëj atë, në emrin tim dhe në emrin e të gjithë shqiptarëve që persekutohen çdo ditë nga plotfuqia juaj pothuajse magjike.

Kush jeni ju?!

Që doni të rrëmbeni pronën e familjes time?!

Kush jeni ju që doni të shkatërroni trashëgiminë tonë, gjakun, nderin dhe jetën tonë. Kush jeni ju që nuk pyesni për bizneset tona, që janë ngritur me djersë dhe me mundimin tonë të çdo dite.

Pse keni ju pothuajse fuqinë e Zotit?!

Pse keni ju akses që për 24 orë të hipotekoni dhe ç’hipotekoni çfarë të doni dhe kur të doni?! Mos jeni gjë pronarët e këtij vendi, ju që arrini të caktoni cilindo gjykatës që doni, në të gjitha shkallët e gjyqësorit?

 

Unë po e them publikisht se ju keni bërë ç’keni dashur!

Ju që zgjidhni gjykatësit tuaj, pra maliqët tuaj, të cilët e shkelin ligjin, e keqinterpretojnë dhe bëjnë me ligjin çfarë të duan. Vetëm ju arrini të manipuloni gjykatën e Apelit në kohë rekord. Të nxirrni çështjen, gjykatësin që doni, të mos lajmëroni të paditurin dhe të merrni vendimin duke e ditur vetëm ju. Tamam si në kohërat e errëta të diktaturës kur njerëzit i merrnin në fshehtësi, i pushkatonin, i groposnin, u merrnin dhe pronën dhe përgjegjës nuk ishte askush.

Si ka mundësi që ju arrini të nxirrni në 24 orë vendimet edhe në gjykatën e Lartë duke habitur çdo shqiptar të ndershëm, çdo jurist të ndershëm, çdo gjykatës të ndershëm.

Ju në rrugën tuaj të zhvatjes nuk jeni vetëm!

Ju jeni si një kope ujqërish, gjithmonë të uritur për zhvatjen dhe prenë e radhës.

Të gjithë jemi lodhur nga ju!

 

Janë lodhur të gjithë profesionistët e ndershëm të këtij vendi që mendojnë se si do ta bëjmë realitet dinjitetin e njeriut në këtë vend. Edhe shteti është lodhur nga ju! Edhe politikanët e këtij vendi që duan të shohin prosperitetin dhe drejtësinë si të vetmin tempull të shenjtë të lirisë sonë që ende nuk e kemi!

 

Ju them të gjithë juve zotërinjve që doni të rrëmbeni pronën e familjes time dhe pronat e çdo shqiptari të ndershëm që nuk mbrohet dot nga ju – e keni kot!

Koha juaj po perëndon.

I bej thirrje Presidentit të Republikës, Kryetarit të Parlamentit, Kryeministrit, që të mos fshihen por të shprehen qartë për këtë rast!

Ata do të vijnë të hënën, më 9 maj, në orën 10 të më nxjerrin me polici nga prona ime! Le të vijnë! Unë nuk trembem! Turpi do të jetë për ta, por edhe për shtetin dhe shtetarët tanë! Të hënën është radha ime, por më pas është radha e secilit!

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here