Eksporti shqiptar mori goditjen fatale nga politikat e qeverisë

0
171

Rënia e çmimeve të naftës e mineraleve në tregjet ndërkombëtare dhe falimenti i Kurum-it kanë çuar në pikiatë eksportet shqiptare. Në rritje vetëm tekstilet e këpucët. Rimëkëmbja në afatin e shkurtër duket e pamundur…

 

Vijojnë rezultatet skandaloze në tregtinë e jashtme të Shqipërisë, që tashmë prej disa vitesh kanë kthyer mbrapsht tendencën pozitive të krijuar mëpar me rritje të ndjeshme të eksporteve. Në fakt, sipas statistikave zyrtare, të raportuara dje, eksportet kanë shënuar një rënie të fortë prej 8.6% për tremujorin e parë të këtij viti, në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë, si rrjedhojë e ecurisë negative të “minerale, lëndë djegëse e energji” dhe “materiale ndërtimi e metale”. Të dy këto grupe kanë shënuar një rënie tepër të forte dyshifrore. I vetmi grupmall që po mban në këmbë eksportet shqiptare është ai i tekstileve e këpucëve që po rritet me ritme dy shifrore. Vetëm në muajin mars, tkurrja e shitjeve jashtë vendit ishte 13%.

Kjo është tkurrja më e lartë për tremujorin e parë, që nga viti 2012. INSTAT raportoi se eksportet për tremujorin e parë të vitit arritën në 53.3 miliardë lekë, nga 58.3 miliardë lekë që ishin në të njëjtën periudhë të një viti më parë (rënia vjetore -8.6%). Eksportet e “mineraleve lëndë djegëse e energji” ranë me 44% në 8 miliardë lekë, duke zënë vetëm 15% të totalit të eksporteve, nga 25% që përbënin të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ulja e çmimeve të naftës e mineraleve në tregjet ndërkombëtare kanë ndikuar në këtë tendencë negative, ndërkohë që dhe moti ka qenë i pafavorshëm për eksportet e energjisë, ndryshe nga dimri i vitit të kaluar. Ndërkohë, kompanitë e mineraleve janë duke pritur një paketë nxitëse nga qeveria.

Eksportet e materialeve të ndërtimit e metaleve ranë me 34% në 6.6 miliardë lekë. Në fund të shkurtit, Kurum, eksportuesi i dytë më i madh në vend shpalli falimentin, çka ka ndikuar në rënien e shitjeve të hekurit jashtë vendit. I vetmi sektor që po ecën mirë në këtë periudhë është ai i materialit të porositësit, tekstile e këpucë, që u rrit me 19% me bazë vjetore për janar-mars, duke arritur në 26 miliardë lekë. Ky zë përbën tashmë 50% të totalit të eksporteve tona, duke na çuar mbrapa në kohë, kur shitja e krahut të lirë të punës, që është avantazhi kryesor i fasonit, përbënte deri në 70% të totalit të eksporteve.  Gjithsesi, sektori, që ka vlerë të shtuar të ulët po e humb gradualisht dhe këtë avantazh për shkak të shtimit të kostove të energjisë e taksave, duke vënë në pikëpyetje rritjen afatgjatë të tij. Dy grupe që ecën mirë vitet e fundit, ai i “makineri, pajisje e pjesë këmbimi” dhe “eksporte druri e letre” kanë shënuar rënie dyshifrore në tre muajt e parë të këtij viti. Në rritje, përveç industrisë me material porositësi, janë edhe “ushqimet, pije e duhan”, që u zgjeruan me 31%, për të arritur në 4.7 miliardë lekë, por që gjithsesi mbetet e pamjaftueshme për të amortizuar rënien e grupeve të tjera. Që në fillim të këtij viti u paralajmërua se eksportet do të ishin të dobëta si rrjedhojë e konjukturës së pafavorshme ndërkombëtare të çmimeve të naftës e mineraleve, teksa vendi ynë është shumë i varur nga shitja jashtë e lëndëve të para. Këto janë probleme strukturore afatgjata që nuk zgjidhen me një të rënë të lapsit, duke paralajmëruar një vit të vështirë për eksportet tona.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here